
Në Shqipëri bie kultivimi i kanabisit, por shtohen kapjet e ngarkesave të drogës
Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka publikuar raportin mbi funksionimin e grupeve kriminale që kontrollojnë një korridor, i cili shfrytëzohet për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave etj. Këtë raport do të mund ta lexoni në dy vazhdime në gazetën “Zëri”, ku flitet për grupet kriminale në vend, si dhe në pesë shtetet tjera të Ballkanit, shkruan gazeta "Zëri".
Megjithatë duket se ka pasur një rënie të madhe në kultivimin e kanabisit në Shqipëri, ndërsa janë shtuar ndjeshëm edhe kapjet e ngarkesave të drogës, thekson raporti. Në vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe veçanërisht në Shqipëri kanabisi është droga që përdoret më gjerë, pasi mund të gjendet lehtë dhe lirë.
Destinacioni kryesor për kanabisin shqiptar është Italia dhe transporti bëhet kryesisht me skafe të shpejtë. Në të kaluarën janë përdorur edhe aeroplanë të vegjël. Sipas autoriteteve italiane, në vitin 2017 u kap një shifër rekord prej 90 tonësh kanabis që vinte nga Shqipëria. Destinacione të tjera të rëndësishme për kanabisin shqiptar janë Greqia dhe Turqia, shpesh duke kaluar nga Maqedonia e Veriut, shkruhet në raport, transmeton "Zëri".
Trafikantët zakonisht, sipas këtij raporti, përdorin rrugët kryesore, pikat zyrtare të kalimit të kufirit, por ka raste kur kalojnë ilegalisht kufirin edhe nëpër zonat malore për të trafikuar drogën drejt jugut dhe lindjes. “Edhe Deti Jon përdoret për trafikimin e kanabisit drejt Greqisë dhe më pas drejt Turqisë. Po kështu sasi të mëdha kanabisi trafikohen drejt Malit të Zi dhe Kosovës nëpërmjet pikave zyrtare të kalimit të kufirit, por edhe nga pika të paligjshme të kalimit të kufirit”.
Kur trafikimi kryhet nëpërmjet Kosovës, sipas këtij raporti, zakonisht rruga kalon nëpër Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë; ose nga Kosova drejt Serbisë dhe Bullgarisë.
Kontrabanda e cigareve është një tjetër aktivitet me rëndësi për grupet e krimit të organizuar në Ballkan. Pika kryesore është Mali i Zi, ku prodhohen dhe falsifikohen cigare të markave të njohura, që më pas kalojnë kontrabandë nga porti i Tivarit drejt vendeve të ndryshme të BE-së, por dhe drejt Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Cigaret malazeze trafikohen edhe nëpër rajon. Cigare prodhohen në mënyrë të paligjshme edhe në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Ato më pas kalojnë kontrabandë në Mal të Zi, nga ku trafikohen së bashku me cigaret malazeze drejt BE-së e më tej.
Së fundmi Kosova është kthyer në një pikë të rëndësishme rajonale për shpërndarjen e cigareve. Ngarkesat hyjnë kontrabandë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, më pas transportohen nëpërmjet kufirit poroz me Malin e Zi./ZERI