Korridori i krimit të organizuar në Ballkan
Foto: Laura Hasani

Korridori i krimit të organizuar në Ballkan

Aktuale May 21, 2019 - 07:38
Lexo Detajet
Image

Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka publikuar raportin mbi funksionimin e grupeve kriminale që kontrollojnë një korridor, i cili shfrytëzohet për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave etj. Këtë raport do të mund ta lexoni në dy vazhdime në gazetën “Zëri”, ku flitet për grupet kriminale në vend, si dhe në pesë shtetet tjera të Ballkanit, shkruan gazeta "Zëri".

Grupet kriminale në Ballkanin Perëndimor kontrollojnë një korridor, i cili shfrytëzohet për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave, si dhe mallrave të tjera. Kështu thuhet në raportin e publikuar dje në Vjenë të Austrisë nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi), të cilin raport e posedon edhe gazeta “Zëri”.

Mark Shaw, drejtor i Iniciativës Globale (GI), ka theksuar me këtë rast se raporti analizon aktivitetet e paligjshme në zona kufitare, qytete kryesore, qytete bregdetare, si dhe nyje transporti ku kryqëzohen autostradat.

Ndonëse raporti nuk ndalet në mënyrë të veçantë mbi lëvizjen e mallrave kontrabandë, gjatë studimit bëhet e ditur se është krijuar një listë e përditësuar e trafiqeve të paligjshme në korridoret ballkanike, si dhe janë identifikuar pikat dhe faktorët e dhunës në rajon, raporton gazeta "Zëri".

“Të bën përshtypje fakti se shumica e aktiviteteve të paligjshme në këtë rajon kanë të bëjë me trafiqe që hyjnë ose dalin nga vende të Bashkimit Evropian”, ka bërë të ditur Shaw, duke shtuar se BE-ja i ka mundësitë dhe përgjegjësinë që të ushtrojë presion të mjaftueshëm për të shkatërruar këto tregje të paligjshme, duke reduktuar ndikimin e krimit të organizuar mbi vendet e Ballkanit dhe kjo është në vetë interesin e BE-së.

Raporti, të cilin e posedon gazeta “Zëri”, po ashtu shqyrton zona problematike në kontekstin e një ekosistemi më të gjerë të krimit, që karakterizohet nga klientelizmi, patronazhi politik dhe në disa raste edhe nga kapja e shtetit, ku potencohet se ata politikanë që luajnë rolin e nacionalistit të flaktë shpesh janë përgjegjës për dobësimin nga brenda të sovranitetit të shtetit dhe janë të gatshëm të vënë në rrezik interesat kombëtare për përfitime personale.

Sa i përket pjesës së raportit për Kosovën, aty mund të lexohet një profil për veriun e Kosovës si një zonë problematike. Për Prishtinën thuhet se ndër aktivitetet kryesore të grupeve kriminale të organizuara në kryeqytet është edhe trafikimi i drogës, për qytetin e Pejës thuhet se ushtrojnë ndikimin e tyre disa figura me peshë politike në vend, ndërsa për qytetin e Ferizajt në raport thuhet se konsiderohet si zonë problematike për trafikimin e drogës, veçanërisht kanabis dhe heroinë. “Grupet kriminale që operojnë në këtë qytet thuhet se janë të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore (për prostitucion), dhënie huash me interesa shumë të larta, si dhe zhvatje e shantazhe në lidhje me pronësinë e tokave”, thuhet mes të tjerash në raportin e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të cilin e posedon “Zëri”.

Korridori ballkanik, lidhja me trafikimin e heroinës nga Afganistani nëpër Turqi, në Ballkan e drejt BE-së

Pozita gjeografike e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas raportit të Iniciativës Globale, i bën shumë joshëse për trafikantët e drogës, të armëve dhe të njerëzve.

Ky rajon është ngjitur me Bashkimin Evropian dhe gjendet midis prodhuesit më të madh në botë të opiumit (Afganistanit) dhe tregjeve më të mëdha të heroinës (Evropës Perëndimore). Sipas këtij raporti, rajoni i Ballkanit Perëndimor po kthehet gjithnjë e më shumë edhe në një pikë hyrjeje për kokainën, si dhe një vend ku pastrohen paratë që vijnë nga aktivitete kriminale. “Nëpër këtë rajon kalon edhe korridori i kalimit të paligjshëm të njerëzve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut drejt Bashkimit Evropian, si emigrantë që largohen nga zonat e konfliktit ose si viktima të trafikut njerëzor. Po kështu është edhe nyje kryesore për trafikimin e armëve”, potencohet mes të tjerash në raport.

I ashtuquajturi korridori ballkanik, sipas raportit, përmendet më shumë në lidhje me trafikimin e heroinës nga Afganistani, nëpër Turqi dhe në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Në raportin e Iniciativës Globale potencohet se heroina kalon nga Turqia në drejtim të Bullgarisë ose Greqisë dhe më pas lëviz nëpër Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi. “Heroina më tej drejtohet për në veri, nëpër të ashtuquajturin korridori i Evropës Qendrore: nëpër Hungari, Sllovaki, Austri dhe Zvicër. Heroina trafikohet edhe në Itali, duke kaluar nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, nëpërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi”, bëhet e ditur në raport.

Fitimet e trafikantëve, 1.7 miliard euro në vit

Nga Serbia dhe Mali i Zi, sipas raportit, drogat kalojnë edhe në Bosnjë e Hercegovinë, për të vazhduar më pas rrugën për në Kroaci dhe në Slloveninë fqinje. “Në vitin 2015 llogaritej se trafikantët e opiateve në Evropën Juglindore fitonin rreth 1.7 miliard dollarë në vit”, bëhet e ditur në këtë raport. Ndërsa për heroinën thuhet se jo vetëm që trafikohet nëpër vendet e Ballkanit, por në këtë rajon ka edhe pika përpunimi. “Shqipëria dhe Mali i Zi janë pika të rëndësishme të hyrjes së kokainës që vjen nga Amerika Latine drejt Evropës. Transporti bëhet kryesisht me kontejnerë nëpër portet e Durrësit dhe Tivarit. Ngarkesat e drogës më pas shpërndahen nëpër Kosovë, Serbi dhe Bosnjë, nga ku trafikohen drejt Evropës Qendrore”, bëhet e ditur në raport, duke shtuar se ka të dhëna se në këtë rajon bëhet edhe përpunimi i kokainës.
Mbase më i rëndësishëm është fakti se grupe kriminale nga Ballkani janë të përfshira në shpërndarjen e kokainës në Evropën Perëndimore, veçanërisht në Austri, Greqi, Itali, Belgjikë, Holandë, Spanjë, Suedi dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica e krerëve të këtyre grupeve kriminale jetojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bëjnë edhe pastrimin e parave të pista. Ballkani, thuhet ndër të tjera në raport, është një rajon transit për të gjitha llojet e drogave, por është edhe furnizues i madh i kanabisit. “Shqipëria ka qenë një prodhues kryesor i kanabisit në rajon dhe grupe të krimit të organizuar jo vetëm që bëjnë transport kontrabandë të këtij produkti në vendet fqinje me BE-në, por bëjnë edhe shpërndarjen e drogës nëpër të gjithë rajonin”.

Në Shqipëri bie kultivimi i kanabisit, por shtohen kapjet e ngarkesave të drogës

Megjithatë duket se ka pasur një rënie të madhe në kultivimin e kanabisit në Shqipëri, ndërsa janë shtuar ndjeshëm edhe kapjet e ngarkesave të drogës. Në vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe veçanërisht në Shqipëri kanabisi është droga që përdoret më gjerë, pasi mund të gjendet lehtë dhe lirë. Destinacioni kryesor për kanabisin shqiptar është Italia dhe transporti bëhet kryesisht me skafe të shpejtë. Në të kaluarën janë përdorur edhe aeroplanë të vegjël. Sipas autoriteteve italiane, në vitin 2017 u kap një shifër rekord prej 90 tonësh kanabis që vinte nga Shqipëria. Destinacione të tjera të rëndësishme për kanabisin shqiptar janë Greqia dhe Turqia, shpesh duke kaluar nga Maqedonia e Veriut. Trafikantët zakonisht, sipas këtij raporti, përdorin rrugët kryesore, pikat zyrtare të kalimit të kufirit, por ka raste kur kalojnë ilegalisht kufirin edhe nëpër zonat malore për të trafikuar drogën drejt jugut dhe lindjes. “Edhe Deti Jon përdoret për trafikimin e kanabisit drejt Greqisë dhe më pas drejt Turqisë. Po kështu sasi të mëdha kanabisi trafikohen drejt Malit të Zi dhe Kosovës nëpërmjet pikave zyrtare të kalimit të kufirit, por edhe nga pika të paligjshme të kalimit të kufirit”.
Kur trafikimi kryhet nëpërmjet Kosovës, sipas këtij raporti, zakonisht rruga kalon nëpër Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë; ose nga Kosova drejt Serbisë dhe Bullgarisë.

Kontrabanda e cigareve është një tjetër aktivitet me rëndësi për grupet e krimit të organizuar në Ballkan. Pika kryesore është Mali i Zi, ku prodhohen dhe falsifikohen cigare të markave të njohura, që më pas kalojnë kontrabandë nga porti i Tivarit drejt vendeve të ndryshme të BE-së, por dhe drejt Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Cigaret malazeze trafikohen edhe nëpër rajon. Cigare prodhohen në mënyrë të paligjshme edhe në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Ato më pas kalojnë kontrabandë në Mal të Zi, nga ku trafikohen së bashku me cigaret malazeze drejt BE-së e më tej.

Së fundmi Kosova është kthyer në një pikë të rëndësishme rajonale për shpërndarjen e cigareve. Ngarkesat hyjnë kontrabandë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, më pas transportohen nëpërmjet kufirit poroz me Malin e Zi.

Trafikimi i drogës, një nga aktivitetet e grupeve kriminale në Prishtinë

Në raportin e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar potencohet se Prishtina konsiderohet një zonë aktive sa i përket aktivitetit kriminal. Grupet kryesore kriminale në këtë qytet në raport thuhet se zakonisht përbëhen nga ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Njëri nga aktivitetet kryesore të grupeve kriminale të organizuara në Prishtinë është edhe trafikimi i drogës. Për shembull, në dhjetor 2018 Enis dhe Selim Qerka u arrestuan pasi dyshohej se kishin trafikuar 113 kilogramë heroinë nga një pikë e kalimit të kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruhet mes të tjerash në raport. Këtu përmendet edhe rasti i Ukë Rugovës, djalit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, i cili ishte arrestuar më herët për falsifikim të vizave italiane Schengen. “Janë hedhur edhe akuza se grupe të ndryshme kanë falsifikuar dokumente për të përftuar në mënyrë të paligjshme nga tokat në pronësi të shtetit. Po kështu në fshatrat pranë Prishtinës ushtrojnë aktivitetin e tyre disa grupe që merren me dhënien e huave me interesa shumë të larta. Kohët e fundit ka pasur edhe një sërë grabitje bankash në Prishtinë dhe në zona të tjera të Kosovës”, shkruhet në pjesën e raportit për Prishtinën.

Peja në duart e politikanëve me ndikim, Ferizaj zonë problematike për trafikimin e drogës

Ndërsa për qytetin e Pejës në raport thuhet se në këtë zonë në të kaluarën janë shënuar një numër i madh vrasjesh të pazgjidhura, që mendohej se kanë ardhur si rezultat i konflikteve midis dy grupeve rivale të formuara nga ish-pjesëtarë të UÇK-së. “Këto përplasje kishin motive kriminale (në lidhje me kontrollin e korridoreve të trafikimit në rajon) si dhe politike, pasi disa nga ish-komandantët e UÇK-së tani janë politikanë dhe zyrtarë të lartë të Kosovës. Thuhet se në këtë zonë ushtrojnë ndikimin e tyre disa figura politike me peshë. “Ndonëse numri i vrasjeve ka rënë, thuhet se niveli i aktiviteteve kriminale në këtë zonë problematike vazhdon të jetë i lartë, veçanërisht në trafikimin e drogave, cigareve, si dhe armëve. Korridori deri te pika e kalimit kufitar në Kullë, si dhe zona rreth fshatit Çakor janë veçanërisht të frekuentuara nga trafikantët”.

Qyteti i Ferizajt, sipas këtij raporti, konsiderohet si zonë problematike për trafikimin e drogës, veçanërisht kanabis dhe heroinë. “Në maj 2017 Policia konfiskoi mbi 800 kilogramë kanabis nga Shqipëria në një fshat pranë Ferizajt. Grupet kriminale që operojnë në këtë qytet thuhet se janë të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore (për prostitucion), dhënie huash me interesa shumë të larta, si dhe zhvatje e shantazhe në lidhje me pronësinë e tokave”.

Image