Jo pazarit taksë - viza
FOTO: Laura Hasani

Jo pazarit taksë - viza

Aktuale May 17, 2019 - 07:55
Lexoni detajet
Image

Presidenti Hashim Thaçi, i cili fillimisht kishte kundërshtuar ashpër taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, tashmë i është vërsulur diplomatëve ndërkombëtarë me arsyetimin se po lobojnë tek institucionet e Kosovës që ta largojnë taksën në këmbim të heqjes së vizave. Por përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se nuk duhet negociuar taksa për liberalizimin, pasi ky pazar ia humb kuptimin taksës, e cila i është vënë Serbisë dhe jo BE-së, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndonëse para pak muajsh kërkonte heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kohët e fundit ka ndërruar qëndrim prej 360 shkallësh, duke u barrikaduar tërësisht “pro” vendimit të Qeverisë për vendosjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Madje, kreu i shtetit tashmë ka nisur të hedhë edhe dyshime se diplomatët ndërkombëtarë janë duke lobuar tek institucionet e Kosovës që ta largojnë taksën në këmbim të liberalizimit të vizave. Kjo, sipas Thaçit, është e papranueshme, shkruan më tutje "Zëri". 

Mirëpo përfaqësuesit e partisë që drejton kryeministri Ramush Haradinaj, AAK-së, thonë se për çështjen e taksës dhe të vizave vlejnë vetëm ato që tashmë i ka deklaruar i pari i Qeverisë.

Ndërkohë, gjersa ka potencuar në vazhdimësi se taksa nuk hiqet pa pasur një garanci për njohje nga Serbia, shefi i ekzekutivit është shprehur i bindur se vizat do të hiqen këtë vit.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e shoqërisë civile konsiderojnë se në asnjë rrethanë nuk duhet të bëhet ndërlidhja e taksës me çështjen e liberalizimit të vizave. Sipas tyre, assesi nuk duhet lejuar pazare me këto dy çështje, pasi Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura për heqje të vizave.

Heqja e taksës, me njohje të Kosovës nga Serbia

Gjersa ka shpërfaqur në publik dyshimin se po tentohet të bëhet një këmbim taksë - viza, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se një gjë e tillë paraqet fyerje për Republikën e Kosovës.

“Bredhja turistike e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës, nga një zyrë në zyrën tjetër të institucioneve vendore, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë në këmbim të liberalizimit të vizave është fyerje e radhës për institucionet dhe për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar i pari i shtetit.

Ky reagim i Thaçit ka ardhur pak orë pasi kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

Të pyetur nëse nga ndërkombëtarët është kërkuar një këmbim i tillë taksë - viza, nga zyra e kryeministrit nuk kanë kthyer përgjigje.

Por deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se lidhur me këto dy çështje vlejnë deklarimet e deritanishme të kryeministrit. Haradinaj ka theksuar disa herë tashmë se taksa nuk hiqet pa pasur garanci për njohje nga Serbia. Ndërkohë pas Samitit të Berlinit shefi i ekzekutivit ka thënë se ka marrë “Po”-në e Gjermanisë për vizat dhe se këtë vit do të ndodhë liberalizimi.

“Sa i përket taksës vlen ajo që është thënë nga kryeministri, njohje - heqje e taksës. Kurse sa i përket liberalizimit pas kthimit nga Berlini kryeministri është deklaruar ngase ka marrë konfirmim prej njerëzve kompetentë që nuk kanë folur përpara. Jam e sigurt se kësaj radhe konfirmimet i ka marrë prej njerëzve të thirrur”, ka deklaruar ajo.

Deklarimet e Thaçit për këmbimin taksë - viza, për poenë politikë

Deklarimet e presidentit Thaçi lidhur me mundësinë e këmbimit të heqjes së taksës me vizat sipas deputetes së LVV-së Arbërie Nagavci nuk duhen marrë seriozisht.

“Deklaratat e presidentit Thaçi nuk duhet t’i marrim fare me seriozitet, duhet të kemi kujdes prej dëmeve që ai mund t’i sjellë. Ai asnjëherë nuk ka qenë konsistent. Kohët e fundit është jashtëzakonisht me deklarata kontradiktore, ka ndryshim të qëndrimeve prej ditës në ditë”, ka theksuar Nagavci.

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj ka konsideruar se deklarimet e tilla kreu i shtetit po i bën vetëm për të fituar poenë politikë.

“Më shumë e shoh përpjekje për të fituar poenë politikë, si demagogji, si hipokrizi të tij. Mos të harrojmë se vetë presidenti prej fillimit ka qenë kundër taksës, ka kërkuar që taksa të hiqet, ndërkaq tash papritmas ai po kërkon që ajo të mbetet”, ka nënvizuar Mushkolaj.

Taksa dhe vizat, dy çështje të ndara

Përparim Kryeziu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka konsideruar se vendimi për taksën edhe liberalizimi janë dy procese të ndara dhe se duhet të mbeten e të trajtohen si të tilla.

“Nëse diskutohet mundësia për t’u negociuar taksa për liberalizim ajo së pari ia humb kuptimin taksën, sepse taksa i është vënë Serbisë e jo BE-së”, ka potencuar ai.

Edhe Imer Mushkolaj ka vlerësuar se nuk duhet bërë pazare me këto dy çështje.

“Heqja e taksës nuk ishte dashur të jetë si lëshim për ta marrë liberalizimin e vizave, për shkak se taksa s’ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave, ashtu si e kanë vërtetuar vetë zyrtarët e BE-së dhe nuk ishte dashur të hyhet në pazare të tilla, për shkak se atëherë do të konsiderohej dobësi një gjë e tillë”, ka theksuar ai.

Edhe po qe se bëhet ndonjë ofertë e tillë, që taksa të hiqet në këmbim të vizave, sipas Mushkolajt një gjë e tillë nuk duhet lejuar të ndodhë. “Edhe nëse do të ndodhë, thjesht BE-së duhet t’i bëhet e ditur që liberalizimi i vizave nuk ka lidhje me taksën dhe se është pazar shumë i ulët. Kjo nuk duhet të pranohet”, ka potencuar ai.

Ndërkohë arsyeja se pse taksa duhet të mbetet akoma në fuqi sipas Arberie Nagavcit, nga LVV-ja, ka të bëjë me faktin se kjo tarifë ende nuk e ka arritur efektin e plotë. “Taksa duhet të mbetet si çështje reciprociteti, duhet të jetë një reciprocitet i plotë me Serbinë”, ka potencuar deputetja e LVV-së.

Megjithatë, Përparim Kryeziu ka konsideruar se kërkesat e BE-së për heqjen e taksës janë të kuptueshme, pasi vendosja e tarifës ndaj një shteti tjetër konsiderohet si një vendim që shkon kundër vlerave të BE-së.

Franca, në mëdyshje për vizat

Sa i takon liberalizimit të vizave, Kryeziu ka thënë se vonesat e vendimit të Bashkimit Evropian në këtë drejtim nuk kanë të bëjnë me sjelljen e Kosovës në dialog, por kanë të bëjnë me politikat e brendshme të disa shteteve kryesore të BE-së.

“Së fundmi po duket se ka mbetur vetëm Franca, e cila është në mëdyshje se a të hiqen vizat ose jo dhe kjo është kryekëput në bazë të perceptimit të saj me përvojat e kaluara me shtetin e Shqipërisë dhe të Gjeorgjisë. Pra vendimi varet edhe nga diskutimi i brendshëm i këtyre shteteve, në këtë rast i shtetit të Francës dhe nga përvojat e tyre me shtetet në të kaluarën”, është shprehur ai.

Sipas tij, Raporti i Komisionit Evropian ka vlerësuar se shteti i Kosovës e meriton heqjen e vizave përkitazi me kriteret që janë vendosur.