
Hoxhiq: Shpresoj që procesi zgjedhor të kalojë pa probleme
Pavarësisht paralajmërimeve dhe kërcënimeve të Listës Serbe se do të veprojnë kundër rendit kushtetues në Kosovë, Adriana Hoxhiq, ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), është shprehur optimiste se procesi i zgjedhjeve në veri do të shkojë në mënyrë të rregullt, shkruan sot Gazeta "Zëri".
“Sa i përket procesit zgjedhor në veri të Kosovës, unë shpresoj që do të kalojë pa ndonjë problem dhe duke i respektuar ligjet e Kosovës. Shpresoj se do të kemi zgjedhje të atilla ku procesi do të kalojë me përkrahjen e të gjitha institucioneve tona në nivelin demokratik”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Sa u takon paralajmërimeve të zyrtarëve të LS-së se do të dorëhiqen sërish në rast se zgjidhen në krye të komunave, Hoxhiq ka thënë se mbetet me shpresë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. “Unë me të vërtetë shpresoj fuqimisht që nuk do të ndodhë edhe një situatë e tillë, ku kryetarët e komunave do të japin dorëheqje”, ka potencuar ish-zyrtarja ekzekutive në administratën e Komunës së Mitrovicës Veriore.
Ndërkaq Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, partisë që drejton kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria do të ndërmarrë veprimet e nevojshme që kandidatët të cilët do të fitojnë në zgjedhje ta respektojnë rendin kushtetues dhe ligjor në Kosovë. Sipas tij, nuk duhet lejuar që ata të cilët zgjidhen në krye të komunave të bëhen vegla të Beogradit./ZËRI