'Lufta' njëvjeçare mes Thaçit e Haradinajt

'Lufta' njëvjeçare mes Thaçit e Haradinajt

Aktuale May 15, 2019 - 07:50
Lexoni detajet
Image

Ideja për korrigjim të kufirit Kosovë - Serbi ka bërë që presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj të mos reshtin së përplasuri deklarativisht gjatë dhjetë muajve të fundit. Derisa Thaçi po insiston në korrigjim të kufirit, Haradinaj është barrikaduar fuqishëm kundër këtij opsioni, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Është bërë gati një vit prejse dy krerët institucionalë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë nisur “luftën” verbale sa i përket çështjes së kufijve. Menjëherë pas muajit qershor 2018, kur nisi zyrtarisht faza finale e dialogut Kosovë - Serbi, kreu i shtetit shpërfaqi në publik idenë e korrigjimit të kufirit.

Ky opsion pati ngjallur reagim të menjëhershëm të shefit të ekzekutivit, sipas së cilit ideja për lëvizje kufijsh paraqiste ftesë për një tragjedi të re në Ballkan, shkruan më tutje Gazeta 'Zëri'. 

Hendeku i thellë në qëndrime rreth kufijve mes Thaçit e Haradinajt po vazhdon edhe sot, ndonëse muajin që vjen bëhet një vit prejse kanë filluar negociatat në kuadër të etapës përmbyllëse.

pse para dy ditësh Thaçi rikujtoi sërish idenë për korrigjim kufijsh, Haradinaj gjatë së martës tha edhe një herë se opsioni i ndarjes tashmë ka marrë fund. Duke u nisur nga këto, sipas njohësve të çështjeve politike, është më se e pritshme që takimi i Parisit t’i zërë në pozicionet aktuale dy krerët institucionalë. Por, sipas tyre, paraqitja jounike në takimin e 1 korrikut të thirrur nga presidenti francez Emmanuel Macron, ku do të marrë pjesë edhe Serbia, dobëson tejet shumë palën kosovare në procesin e negociatave.

Thaçi insiston në korrigjim, Haradinaj thotë se kjo ka marrë fund

Gjersa edhe në këtë fillimjavë ka përsëritur se do të angazhohet për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se një gjë e tillë paraqet korrigjim të padrejtësive historike.

“E drejta e përfshirjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës është legjitime, korrigjim i padrejtësive historike dhe siguri për qytetarët e asaj treve për të jetuar në trojet e tyre”, ka deklaruar ai para dy ditësh, ndonëse pak pas Samitit të Berlinit nuk e pati përmendur fare çështjen e korrigjimit të kufijve.

Me këtë rast Thaçi ka thënë se vazhdon të besojë fuqishëm se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës. Ndaj për arritjen e këtij qëllimi, sipas tij, spektri politik duhet të jetë i bashkuar. Në të kundërtën humbja eventuale e kësaj mundësie, siç kreu i shtetit është shprehur, do të jetë një gabim historik i pariparueshëm.

Por lëvizjen e kufijve e konsideron temë të mbyllur kryeministri Ramush Haradinaj. “Procesi është tash në duar të sigurta. Është hequr nga Mogerini, nuk rrezikohet ndonjë propozim për ndarje, ka një stabilitet. Kjo është kryesorja, për të tjerat si do të shkojnë dinamikat është vështirë të parashikohet”, ka theksuar numri një i Qeverisë.

Moskoordinimi i liderëve, në dëm të Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka konsideruar se është bërë kohë e gjatë prejse ka nisur përplasja mes dy krerëve institucionalë. Kjo sipas tij pa dyshim që dëmton shtetin e Kosovës.

“Është luftë që po zgjat. Presidenti është mësuar t’i imponojë qëndrimet e tija, por kryeministri nuk po i përfill qëndrimet sa i përket çështjes së kufijve dhe besoj se aty duhet të mbetet kryeministri. Po ta kishte mundësinë presidenti do ta sillte një kryeministër më të dëgjueshëm, por ja që aktualisht kjo është situata”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Agron Halitaj, ka vlerësuar se Kosova nuk e ka luksin të hyjë në “zonën e nxehtë” me qëndrime të kundërta të përfaqësuesve kryesorë të shtetit.

“Jo vetëm Thaçi e Haradinaj, por edhe të gjithë liderët partiakë duhet të dalin me një qëndrim unik rreth zgjidhjes përfundimtare me Serbinë. Çdo polarizim i spektrit politik shkon në dëm të shtetit të Kosovës. Me sjelljet e deritashme as Thaçi e as Haradinaj nuk kanë dhënë prova se janë të gatshëm për një ujdi. Prandaj është shumë e pritshme që në këto pozicione do t’i zërë edhe takimi i Parisit”, ka nënvizuar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Edhe Taulant Kryeziu, nga instituti EPIK, ka thënë se moskoordinimi i krerëve institucionalë rreth dialogut e dobëson jashtëzakonisht faktorin politik. “Qëndrimet jounike e bëjnë Kosovën palë të dobët në tryezën e dialogut dhe po ashtu tregojnë papërgjegjësinë institucionale të këtyre udhëheqësve”, ka potencuar ai.

Lëvizje ose jo e kufirit, gjasat 50:50

Se sa mund të jetësohet ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë sipas Agron Halitajt është vështirë të thuhet në këtë kohë. Kjo për faktin se i gjithë procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi është i ndërvarur nga faktorët ndërkombëtarë me ndikim. Por sipas Halitajt asnjëri version nuk mund të merret i përfunduar.

“Ajo që mund të thuhet tash për tash është se ideja për korrigjimin e kufijve mes dy shteteve i ka gjasat për t’u jetësuar po aq sa janë gjasat që kufiri të mos preket. Pra të dyja opsionet janë 50:50. Kështu do të jetë derisa SHBA-ja të mos i vërë ‘vijë të kuqe’ opsionit të ndryshimit të kufijve”, ka deklaruar ai.

Aktualisht sipas Halitajt kemi një pozicion të qartë të dy shteteve të fuqishme evropiane, Gjermanisë dhe Francës, që në Ballkan nuk duhen lejuar kufijtë në vija etnike dhe një pozicion ende të mjegullt të SHBA-së, që sipas tij mund të merret edhe si sinjal se kufijtë mund të ndryshojnë.

“Çfarëdo që të jetë zgjidhja përfundimtare, ajo nuk do të arrihet pa një marrëveshje paraprake mes shteteve të mëdha”, ka potencuar ai.

Teksa ka folur rreth kësaj, Taulant Kryeziu ka thënë se Samiti e Berlinit e ka përjashtuar mundësinë që çështja e territorit të Kosovës të jetë temë diskutimi në procesin e dialogut.

Ky Samit sipas tij ka vendosur parime të reja sa i përket çështjes së negociatave. Së këndejmi, siç ai është shprehur, Franca dhe Gjermania e kanë rimarrë procesin në duart e tyre në momentin që kanë parë se procesi i dialogut nën udhëheqjen e Federica Mogherinit ka devijuar prej qëllimeve që ka pasur kur ka nisur procesi në vitin 2011.

“Franca dhe Gjermania e kanë marrë udhëheqjen e këtij procesi për së paku deri në një momentum kur do ta kemi përfaqësuesin ose përfaqësuesen e re të Bashkimit Evropian. Unë mendoj që zgjidhja e çështjes për Kosovën do të bëhet gjithmonë kur do të ketë ujdi mes Gjermanisë dhe SHBA-së. Vetëm atëherë ne mund të kemi një marrëveshje pozitive për të ardhmen e të dyja vendeve”, ka potencuar Kryeziu.