Shteti qe 40 ditë dështon të sigurojë certifikata

Shteti qe 40 ditë dështon të sigurojë certifikata

Aktuale May 03, 2019 - 08:14
Lexoni detajet
Image

Për më shumë se 40 ditë zyrat e gjendjes civile në Kosovë nuk janë të furnizuara me certifikata, pas anulimit të tenderit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për certifikata nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), shkruan sot Gazeta 'Zëri". 

Në vend të tyre qytetarëve po u jepen certifikata të printuara në letër të thjeshtë A4, me të cilat po kanë vështirësi të udhëtojnë me fëmijë jashtë vendit.

LEXO EDHE: Presidenti, kontradiktor

Të martën që lamë pas një qytetar ankohej në Bashkësinë Lokale të lagjes “Dardania” në Prishtinë se me certifikatat aktuale nuk ka mundësi të udhëtojë bashkë me fëmijët për vizitë te familjarët në Luginë të Preshevës, pasi që të njëjtat nuk pranohen nga autoritetet serbe.

“Me këto certifikata të lindjes për fëmijët nuk mund ta kaloj kufirin për në Serbi”, ankohej ai

MPB: Certifikatat në letër të bardhë, vetëm për përdorim të brendshëm

Në mungesë të letrës për shtypjen e certifikatave, MPB-ja ka kërkuar që komunat të gjejnë një zgjidhje alternative.

Kështu dokumentet në komunat e Kosovës kanë filluar të shtypen në letër të bardhë A4.

E kjo letër qytetarëve do t’u shërbejë vetëm për përdorim të brendshëm e jo edhe për aplikimin për viza ose për dalje jashtë vendit.

Të paktën kështu thuhet në një përgjigje për “Zërin” të lëshuar nga Zyra për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Procedura e tenderit për furnizim me certifikata është në proces dhe ende nuk ka përfunduar. Agjencia e Regjistrimit Civil u ka dërguar njoftim zyrtar të gjitha zyrave të gjendjes civile që janë në Kosovë, që certifikatat e mbetura të cilat janë origjinale t’u jepen vetëm qytetarëve që aplikojnë për viza dhe që u kërkohen në ambasada, ndërsa për përdorim të brendshëm vlen vendimi i mëparshëm që të shtypen në letër normale”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Në Prishtinë certifikatat po jepen në letër të bardhë

Besim Gashi, qytetar nga Prishtina, është njëri nga qytetarët që dje nga Komuna e Prishtinës i është lëshuar një dokument në letër të bardhë A4.

Dokumentin që atij po i duhej për social nuk e pranoi si zakonisht. Meqenëse dokumenti i duhej për përdorim të brendshëm, ai shpresonte që nuk do t’i paraqiste problem, edhe pse më herët nuk kishte dorëzuar ndonjë dokument në formë të tillë.

“Unë e kam nxjerrë këtë dokument për social. Ne jemi njoftuar më herët që nuk do të ketë më dokumente me letër të zakonshme, por që tani e tutje dokumentet do të merren në letër të bardhë. Më herët nuk kam dorëzuar ndonjë dokument me letër të këtillë, por edhe tani shpresoj që nuk do të ketë problem me këtë letër që do ta dorëzoj”, ka thënë ai për “Zërin”.

Komuna e Prishtinës më 28 mars të këtij viti ka njoftuar qytetarët dhe të gjitha zyrat e gjendjes civile që deri në një njoftim tjetër për lëshimin e dokumenteve do të përdoret letra e bardhë. Në këtë njoftim është theksuar fakti që këto dokumente mund të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm.

“Agjencia e Regjistrimit Civil u ka dërguar një njoftim të gjitha zyrave të gjendjes civile, që në mungesë të formularëve (dokumenteve të gjendjes civile), me qëllim të realizmit të të drejtave të qytetarëve për pajisje me dokumente të gjendjes civile, nga sot, më datën 28.03.2019, të fillohet me lëshimin e dokumenteve me letër të bardhë nga sistemi i gjendjes civile deri në njoftimin tjetër. Këto dokumente do të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Zyra për Regjistrim Civil në Komunën e Prishtinës.

Image