Presidenti, kontradiktor
FOTO: Laura Hasani

Presidenti, kontradiktor

Aktuale May 03, 2019 - 07:57
Lexoni detajet
Image

Presidenti Hashim Thaçi për pak muaj disa herë ka rënë në kundërshtim me vetveten. Kontradiktat u panë në Samitin e Berlinit, ku ai qartësisht i ndryshoi qëndrimet rreth taksës dhe korrigjimit të kufirit me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Samiti i Berlinit, i mbajtur në fillim të kësaj jave, ka bërë që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi t’i ndryshojë qëndrimet e tij rreth taksës dhe korrigjimit të kufirit Kosovë - Serbi.

Ndonëse para pak javësh kërkonte me ngulm pezullimin e tarifës ndaj produkteve serbe, ditën kur u mbajt takimi i Berlinit kreu i shtetit pos që nuk e kërkoi një gjë të tillë, paralajmëroi masa shtesë ndaj Serbisë në rast se ajo nuk pushon së vepruari në dëm të Kosovës, shkruan më tutje "Zëri". 

Gjithashtu gjatë muajve të kaluar presidenti i Kosovës në mënyrë të vazhdueshme proklamonte idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, por pas Samitit të Berlinit përpos demarkacionit Thaçi nuk përmendi fare korrigjimin.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ndërrimi i deklaratave nga kreu i shtetit ka ardhur pasi që Samiti i Berlinit i ka vënë “vijë të kuqe” idesë për korrigjim të kufirit mes dy shteteve. Por ata nuk e mohojnë mundësinë që ish-kryeministri i Kosovës t’u kthehet sërish retorikave të mëparshme posa ta gjejë momentin e duhur.

Rënia e projektit për territore

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka vlerësuar për “Zërin” se presidenti Hashim Thaçi për asnjë çështje nuk ka konsistencë në qëndrime. Deklarimet e fundit të kreut të shtetit sipas tij kanë të bëjnë me “fundosjen” e projektit i cili ka të bëjë me lëvizje të kufijve.

“Tash së fundi duket sikur e ka humbur toruan për shkak se projekti i tij ka dështuar, në fakt projekti i Serbisë që është promovuar si i tij. Ndërkohë mbështetës i këtij projekti ka qenë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Duket sikur në Samitin e Berlinit mori goditjen e fundit, që nuk ishte temë diskutimi çështja e kufijve”, ka potencuar ai.

Për shkak të dështimit të këtij projekti deputeti i LDK-së ka thënë se Thaçi ka kërkuar me çdo kusht ta minimizojë rëndësinë e takimit të Berlinit.

Njëjtë ka pohuar edhe deputeti i LVV-së Rexhep Selimi, i cili ka thënë se presidenti i Kosovës bashkë me atë të Serbisë pas Samitit patën një qëndrim, minimizimin e takimit të 29 prillit.

“Në Samitin e Berlinit të dy patën qëndrime të njëjta sa i përket këtij Samiti, duke kërkuar që ai të minimizohet maksimalisht, për arsyen se atje nuk trajtohej tema e tyre e përbashkët, e ndërrimit të territoreve”, ka nënvizuar deputeti i LVV-së.

Arsyeja se pse Thaçi po përdor deklarata kundërthënëse kohët e fundit sipas Selimit ka të bëjë me realizimin e qëllimeve të tij.

“Të gjitha deklaratat kontroverse i bën me qëllim për ta fshehur qëllimin kryesor të tij, pazarin me territore. Thaçi është deklaruar herë për taksën, herë kundër taksës, prapë për taksën. Kemi parë që është deklaruar herë për ndryshim kufijsh, herë ka thënë që kufijtë e Kosovës nuk preken e prapë është deklaruar për ndryshim kufijsh”, është shprehur ai për “Zërin”.

Kurse deputeti Selmanaj ka vlerësuar se me deklarimet e tilla presidenti po mëton që ta rehabilitojë figurën e tij në Kosovë. Por një gjë të tillë, siç ai është shprehur, do ta ketë tejet të vështirë ta bëjë.

“Tash kemi deklarata kontradiktore, ai ka qenë në Kosovë promovues i idesë së ndarjes, korrigjimit të kufijve, tash thotë asnjë centimetër tokë nuk preket, ai ka qenë që taksa të hiqet menjëherë, tash thotë që taksa nuk duhet të hiqet, madje edhe të shtohen masat e reciprocitetit”, ka potencuar ai.

Ismaili: Presidenti shquhet për ndryshim të qëndrimeve

ka folur rreth kësaj çështjeje, Valmir Ismaili, nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, ka thënë për “Zërin” se presidenti shquhet për ndryshim të qëndrimeve të tij varësisht se në çfarë situate gjendet dhe kujt i drejtohet. Në këtë aspekt, siç ai është shprehur, Samiti i Berlinit si duket i ka dhënë fund idesë së Thaçit dhe të Vuçiqit për korrigjim ose shkëmbim të territoreve. Por pavarësisht këtyre, sipas Ismailit, nuk mund të thuhet që kreu i shtetit nuk do t’i kthehet sërish opsionit së korrigjimit.

“Tani, duke bërë këtë, Thaçi ka ndryshuar qëndrimin, mirëpo kjo nuk do të thotë që ai nuk do të kthehet tek ideja e tij nëse do të shihte që është krijuar një mundësi e mirë për të bërë atë. Prandaj ai është duke deklaruar ndryshe në takime me përfaqësues ndërkombëtarë e ndryshe para opinionit publik. Këtë e dëshmoi më së miri Haradinaj kur tha që ka pasur presion nga të gjithë për heqje të taksës, duke përfshirë edhe Thaçin, a në anën tjetër Thaçi deklaron këtu që taksa është legjitime dhe duhet mbetur”, ka potencuar ai.

Kërkesa për përfshirjen e SHBA-së në dialog

Qysh prej ditës kur u mbajt Samiti i Berlinit kreu i shtetit, Hashim Thaçi, është duke kërkuar përfshirjen e SHBA-së në procesin e negociatave me Serbinë. Derisa e ka bërë këtë, presidenti i Kosovës e ka cilësuar BE-në si jo të fuqishme.

“As dialog, as negociata nuk ka pa rolin e SHBA-së. BE-ja është shumë e dobët dhe jounike për t’i lëvizur çështjet e Ballkanit Perëndimor përpara. As dialog, as marrëveshje nuk mund të ketë pa SHBA-në”, kishte potencuar i pari i shtetit ditën kur u mbajt Samiti i Berlinit.

Deputeti Driton Selmanaj ka konsideruar se pikërisht moszbatimi i projektit të tij ka bërë që kreu i shtetit të dalë me të tilla deklarata në drejtim të BE-së.

“Tash thotë që BE-ja është e dobët, ndërkohë vazhdimisht thoshte se Mogerini po bën punë të madhe dhe thoshte që shumë shpejt, në maj, do ta kemi një zgjidhje për Kosovën, sepse kanë menduar që projekti famëkeq për Kosovën mund të zbatohet. Tash kur u është prishur projekti dalin me ide, me qasje sa paradoksale, aq kontradiktore”, është shprehur ai.

Sa i përket përfshirjes së SHBA-së, ka thënë se kjo gjë dihet qartazi, që pa inkuadrimin e saj nuk ka vulë të procesit të negociatave. Por një gjë të tillë sipas Selmanajt nuk e thoshte më herët presidenti.

Ndërkohë, deputeti Rexhep Selimi ka konsideruar se SHBA-ja tashmë veçse është e përfshirë në procesin e dialogut. “SHBA-ja në fakt është e përfshirë, deshi ose jo Thaçi, SHBA-ja nuk përfshihet pse i kërkon Thaçi, por për shkak se dihet tashmë roli i SHBA-së në rajon dhe në Evropë”, ka theksuar ai.

Valmir Ismaili, nga “D+”, ka thënë se SHBA-ja është faktori kryesor për garantimin e çfarëdo marrëveshjeje jo vetëm në Kosovë, por në nivel global. Edhe ai, sikurse Selimi, ka konsideruar se në një formë ose tjetrën SHBA-ja ka qenë e përfshirë në dialog. Por kërkesa me ngulm e presidentit sipas tij për përfshirje më të gjerë të SHBA-së ka të bëjë me diçka tjetër.

“Insistimi i Thaçit për përfshirje më të gjerë të SHBA-së në dialog në këtë rast më shumë ka të bëjë me atë se ideja e tij për korrigjim të kufijve ka gjetur një mbështetje tek administrata aktuale e Shtëpisë së Bardhë dhe për këtë arsye, në këtë rast, ai dëshiron që të ketë një përfshirje më të madhe të SHBA-së në proces”, ka shtuar ai.

Tani, pa ditur se në çfarë formati do të vazhdojë dialogu, sipas Ismailit është e vështirë të thuhet se si do të përfshihet SHBA-ja në proces, por çfarëdo përfshirje e saj në dialog, siç ka vlerësuar ai, do të ishte një garantues shtesë për zbatim të marrëveshjeve të arritura.