Paragjykime për të kthyerit nga Siria

Paragjykime për të kthyerit nga Siria

Aktuale April 22, 2019 - 12:20

Në mbrëmjen e së premtes së kaluar 110 kosovarë u kthyen nga Siria, mes të cilëve 106 gra e fëmijë dhe katër luftëtarë që dyshohet se u ishin bashkangjitur grupeve terroriste, raporton "Zëri.info".

Sociologë e psikologë në vend kanë vlerësuar se personat e kthyer nga Siria janë në gjendje të rëndë psikologjike.

Sociologu Genc Xërxa ka thënë për “Zërin” se 110 shtetasit kosovar të kthyer nga Siria do ta kenë të vështirë që të integrohen në shoqërinë tonë.

Sipas tij, mënyra se si ata kanë ikur nga Kosova do të krijojë paragjykime të një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë.

“Integrimi i tyre institucional edhe social mund të jetë më i vështirë se sa mund të mendojmë. Shkuarja në mënyrë të tillë në Siri domosdoshmërish krijon paragjykime, stereotipe dhe stigmatizim në një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë tonë, duke mos e pranuar aspak si të mirë dhe të arsyeshme frymën e tillë ideologjike mbi konceptin dhe racionin e ikjes në Siri. Pra, ky formacion social nëse mund ta quaj, mund të shihet nga pjesa dërmuese e shoqërisë me skepticizëm, pasiguri dhe mos-besim të ndërsjellë të krijuar në raport me vlerat dhe komunikimin social”, ka thënë ai.

Xërxa ka vlerësuar se përjetimet që këta persona i kanë pasur gjatë kohës sa kanë qëndruar në Siri, do të ndikojnë në gjendjen e tyre psiçike dhe fizike, andaj edhe sipas tij, institucionet në vend duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të krijojnë kushte që këta persona të kalojnë një jetë normale.

“Duhet të përmendim se edhe të jetuarit dhe qëndruarit në Siri ka koston e vet të mbijetesës dhe përjetimit të skajshëm dehuman që mund të ndikoj direkt ose indirekt në mirëqenien e tyre psiko-fizike, që në vete mund të mbajnë peng një pjesë të një të kaluare që e vështirëson tani kthimin në normalitet. Të gjitha institucionet e mirëqenies sociale duhet të luajnë rolin kyç në integrimin, krijimin e komunikimit me këtë kategori sociale si edhe ruajtjen e psiçikës së shëndosh”, ka thënë ai./Zëri