Listës Serbe i rrezikohet certifikimi për zgjedhje
FOTO: Laura Hasani

Listës Serbe i rrezikohet certifikimi për zgjedhje

Aktuale April 22, 2019 - 07:50
Lexoni më shumë detaje
Image

Lista Serbe mund të mos certifikohet për zgjedhjet e 19 majit të këtij viti. KQZ-ja aktualisht është duke funksionuar me 9 anëtarë, pasi presidenti Thaçi nuk i ka emëruar të gjithë anëtarët në këtë institucion, përderisa për të ndodhur certifikimi nevojiten 8 vota. Por dy përfaqësuesit e LVV-së në KQZ paralajmërojnë votë kundër nëse nuk ofrohen dëshmi konkrete se kandidatët serbë do ta respektojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Pak orë para se të mbyllej afati, më 18 prill 2019, Lista Serbe aplikoi për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, që pritet të mbahen më 19 maj të këtij viti.

LEXO EDHE: Reka triumfon në komunat shqiptare, Pendarovski e Siljanovska në balotazh

Mirëpo ekziston rreziku që ky subjekt politik të mos certifikohet fare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen që pritet të mbahet këtë fillimjave. Kjo pasi dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi e Nazlie Bala, mund të votojnë kundër certifikimit të LS-së në rast se paraprakisht nuk përmbushen disa pika të kërkuara.

Ndërkohë,për të ndodhur certifikimi nevojiten 2/3 e votave të anëtarëve të KQZ-zë, respektivisht 8 vota. Meqë presidenti Hashim Thaçi ende nuk i ka emëruar të gjithë anëtarët në këtë institucion, KQZ-ja aktualisht është duke funksionuar me 9 të tillë, çka certifikimin e LS-së e bën të pamundur mosvotimi eventual i anëtarëve të LVV-së.

Të kontaktuar nga gazeta “Zëri” lidhur me këtë çështje, anëtarët e KQZ-së nga Vetëvendosja kanë pohuar për gazetën se certifikimi i Listës Serbe nuk mund të ndodhë nëse paraprakisht nuk ofrohen dëshmi konkrete se kandidatët e LS-së do ta njohin, do ta respektojnë rendin kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës dhe do t’i përmbushin të gjitha përgjegjësitë.

Ish-kryetarët e komunave veriore patën dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, ndërkohë në letërdorëheqjet e tyre iu patën referuar Kosovës si “Kosova e Metohija”. Ndaj sipas LVV-së, KQZ-ja duhet ta trajtojë me shumë kujdes aplikacionin e Listës Serbe.   

KQZ: Aplikimet për certifikim janë duke u shqyrtuar

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se aplikacionet e subjekteve për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet, që pritet të mbahen në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ende janë duke u shqyrtuar. “Zyra është duke shqyrtuar aplikimet që janë bërë dhe rekomandimet do t’i paraqesë në mbledhje të KQZ-së, e cila do të jetë e hapur për mediet”, ka deklaruar ai.

Sipas Elezit, shqyrtimi i rekomandimeve pritet të bëhet në mbledhjen e ardhshme të KQZ-së. “Në mbledhjen e radhës së KQZ-së një nga pikat e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i rekomandimeve të Zyrës lidhur me certifikimin e subjekteve politike dhe të kandidatëve që kanë aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje”, ka theksuar ai gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Megjithëkëtë, nga KQZ-ja nuk kanë bërë të ditur nëse mbledhja do të mbahet sot, ashtu siç figuron në “Planin Operacional” për zgjedhje në veri, të publikuar në uebfaqen e këtij institucioni.

LVV-ja paralajmëron votë kundër certifikimit të Listës Serbe

Zgjedhjet që pritet të mbahen më 19 maj në komunat veriore, sipas anëtarit të KQZ-së nga LVV-ja, Adnan Rrustemi, janë të jashtëzakonshme jo vetëm për shkak të afateve të shkurtra, por edhe për faktin e dorëheqjeve të ish-kryetarëve dhe për vonesat mbi pesë muaj të shpalljes së tyre nga presidenti. Meqë ish-kryetarët në letrat e dorëheqjes i ishin drejtuar Kosovës si “Kosova e Metohija” Rrustemi ka thënë se KQZ-ja duhet ta trajtojë kujdesshëm edhe aplikacionin e LS-së për certifikim. “Andaj, KQZ-ja si institucion kushtetues e ka përgjegjësi që edhe ta mbrojë kushtetutshmërinë, rendin institucional e Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim KQZ-ja duhet ta trajtojë me kujdes dhe më në detaje aplikacionin e Listës Serbe dhe kandidatët e saj, duke mos lejuar që të keqpërdoret ky proces për të shtyrë përpara skenarë kundër Republikës, siç po bën Lista Serbe nën ndikimin e Aleksandar Vuçiqit”, ka deklaruar ai.

Deklarimet e vazhdueshme të drejtuesve të Listës Serbe kundër shtetit të Kosovës, nënshtrimi i tyre ndaj Beogradit zyrtar, si dhe paralajmërimet për dorëheqjet e serishme menjëherë pas zgjedhjeve, sipas Rrustemit janë argumente që duhet të merren parasysh nga KQZ-ja.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, Rrustemi ka bërë të ditur se ka kërkuar që KQZ-ja t’i kërkojë nga Ministria e Pushtetit Lokal letrat e dorëheqjes së ish-kryetarëve, si dhe të kërkojë dokumente shtesë nga LS-ja që dëshmojnë distancimin e tyre nga qëndrimet dhe nga sulmet e Vuçiqit. Gjithashtu, sipas tij, duhet të dëshmohet se kandidatët e LS-së do ta njohin dhe do ta respektojnë rendin kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës dhe do t’i përmbushin të gjitha përgjegjësitë. “Ne nuk mund të shpërdorojmë miliona euro të taksapaguesve për skenarë të tillë të paralajmëruar për dorëheqje, për kandidim dhe për dorëheqje sërish. Aq më tepër që tre nga kandidatët janë ish-kryetarët, të cilët kanë dhënë dorëheqje. Ne si anëtarë të LVV-së nuk jemi kundër serbëve, por kundër instrumentalizimit të Listës Serbe nga Beogradi e përmes saj luftimin e shtetit të Kosovës”, ka potencuar ai gjatë një bisede për gazetën.  

LVV-ja sipas tij, është për zgjedhje të mirëfillta, për respektim të kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë, mbrojtje të interesit publik. Ndaj për një gjë të tillë, siç ai është shprehur, do të kërkohen dëshmi shtesë gjithnjë në mbrojtje të integritetit shtetëror, të kushtetutshmërisë e të rendit institucional të Republikës. Në të kundërtën, Rrustemi ka bërë të ditur se qëndrimi i anëtarëve të LVV-së në KQZ do të jetë kundër certifikimit të Listës Serbe. “Në të kundërtën, si e tillë, Lista Serbe nuk mund dhe nuk duhet të certifikohet nga ana e KQZ-së”, ka nënvizuar Adnan Rrustemi.  

LDK: Nëse subjektet i plotësojnë kushtet, do t’i votojmë për certifikim

Sa i përket votimit për certifikim të partive, anëtari tjetër i KQZ-së nga LDK-ja, Florian Dushi, ka thënë për “Zërin” se duhet të veprohet në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës. “Si Komision i Zgjedhjeve ne jemi të thirrur për respektimin e ligjeve, të rregullave dhe të Kushtetutës. Por nëse secili subjekt, secili kandidat i ka plotësuar kushtet ligjore, atëherë neve nuk na mbetet tjetër veçse për të votuar për certifikim”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, pavarësisht faktit se ish-kryetarët e LS-së në dorëheqjet e tyre i ishin referuar Kosovës si “Kosova e Metohija” Dushi ka thënë se një praktikë e tillë nuk mund të ndiqet në aplikimin për certifikim.   “Unë e di se në dokumentacionin për certifikim nuk mund t’i referohen ashtu, ata janë të obliguar t’i respektojnë rregullat e KQZ-së dhe të aplikojnë për certifikim konform rregullave, sepse nuk mund të ketë referime të tilla”, është shprehur Florian Dushi.

Procedurat në rast të moscertifikimit

Por në rast se do të ketë moscertifikim të ndonjë subjekti, i cili tashmë ka aplikuar, ish-kryetari i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Tahir Rrecaj, ka bërë të ditur për “Zërin” se subjekti në fjalë pastaj mund të bëjë ankesë në këtë Panel dhe tutje të vazhdohet me procedurat e tjera. “Duhet paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pastaj mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme është instanca e fundit që vendos lidhur me zbatimin e procedurës për certifikim”, ka theksuar ai.

Megjithëkëtë, Rrecaj ka pohuar se një gjë e tillë mund të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese, po qe se vendos Supremja. Pavarësisht kësaj, afatet për të përfunduar të gjitha këto procedura sipas tij nuk marrin shumë kohë. “Afatet janë shumë të shkurtra, janë të llogaritura me orë dhe me ditë, pasi këto janë raste me prioritet absolut dhe duhet të shqyrtohen brenda afateve shumë të shkurtra”, ka potencuar Rrecaj./ZERI/