Ultimatumi s’e heq taksën
Foto: Laura Hasani

Ultimatumi s’e heq taksën

Aktuale April 19, 2019 - 08:02
Lexoni detajet!
Image

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka dhënë ultimatum palës kosovare që deri më 6 maj 2019 ta heqë taksën ndaj mallrave të tyre, në të kundërtën ka paralajmëruar masa konkrete. Por deputetët e partisë së kryeministrit Haradinaj kanë thënë se Kosova është për dialog, porse nuk pranon kushte e as ultimatume nga Serbia, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Këtë të diel bëhen pesë muaj prejse Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për rritjen e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe nga 10 për qind sa ishte në 100 për qind.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili menjëherë pas këtij vendimi pati bërë të ditur se nuk do të merrte pjesë në bisedime deri në heqjen e tarifës, ditëve të fundit i ka dhënë ultimatum Kosovës për heqjen e tarifës, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas Vuçiqit, po qe se Kosova nuk e largon masën prej 100 për qind deri më 6 maj 2019, ditën kur bëhen gjashtë muaj kur taksa fillimisht ishte vendosur vetëm prej 10 për qind, do të ndërmarrë masa konkrete ndaj Kosovës.

Pavarësisht kësaj, zyrtarë të AAK-së, partisë që drejton kryeministri Ramush Haradinaj, thonë se taksa do të vazhdojë të mbetet në fuqi dhe se nuk pranohen kurrfarë kushtesh nga Serbia.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se Serbia nuk ka më çfarë masash të ndërmarrë ndaj Kosovës, pasi deri më tash pala serbe ka përdorur të gjithë mekanizmat e mundshëm kundër Kosovës.

Selmanaj: Taksa mbetet, s’pranojmë kushte nga Serbia

Gjersa ka folur rreth taksës, ditëve të fundit presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia do të ndërmarrë masa karshi Kosovës, po qe se ajo vazhdon ta mbajë në fuqi vendimin për taksën.

“Nëse taksa ndaj mallrave serbe nuk hiqet deri më 6 maj do të mbahet një seancë speciale e Komitetit Kryesor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), në të cilën do të dalim me masa kundër Prishtinës”, deklaroi Vuçiq përmes ultimatumit të dhënë.

Duke komentuar deklaratat e tilla, deputeti i koalicionit qeverisës nga radhët e AAK-së Rasim Selmanaj, ka thënë se Kosova është për dialog, porse nuk pranon kushte e as ultimatume nga Serbia. Vendimi i Qeverisë për vendosjen e taksës, sipas tij, është vendim sovran dhe kundërpërgjigje ndaj politikave agresive serbe kundër Kosovës. Ndaj, sipas tij, vendimi në fjalë nuk do të zhbëhet.

“Qeveria e Kosovës do të vazhdojë ta mbajë taksën në fuqi. Nuk kemi zhvillime të reja derisa nuk kemi një marrëveshje, ku do të ndodhë njohja reciproke mes dy shteteve”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Selmanajt, Kosova ka përplot arsye për të vendosur kushte ndaj Serbisë, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. “I kemi një mijë arsye për të vendosur kushte, por s’kemi vendosur kushte”, ka potencuar ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se Qeveria duhet t’i mbrojë qëndrimet e veta dhe të mos lëvizë nga to për shkak të presioneve nga Serbia.

“Ultimatumet e Vuçiqit janë sikurse ultimatumet e paraardhësve të tij politikë, Sheshelit e Millosheviqit e të tjerëve. Kosova është mësuar me ultimatume të tilla, por institucionet e Kosovës duhet t’u qëndrojnë mbrapa vendimeve që tanimë i kanë marrë, qofshin ato edhe jo të favorshme në këndvështrimin e raportit me partnerët tanë ndërkombëtarë. Shteti i Kosovës nuk duhet t’u nënshtrohet ultimatumeve të Serbisë”, ka theksuar ai.

Meqë kryeministri Ramush Haradinaj tashmë dhjetëra herë ka deklaruar se taksa nuk hiqet deri në sigurimin e njohjes së Kosovës nga Serbia, sipas Rugovës shefi i ekzekutivit duhet ta mbajë këtë qëndrim.

“Nëse kjo do të ishte deklaruar në një fushatë paraelektorale do të ishte gjë tjetër, por kur merret vendimi dhe deklarohet si kryeministër i një shteti, atëherë konsideroj se ai duhet t’u qëndrojë deri në fund vendimeve dhe deklarimeve të veta publike”, është shprehur Rugova.

Kollçaku: Serbia ta rishikojë politikën e vet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka vlerësuar se Serbia duhet ta rishikojë politikën e vet e jo të merret me vendosjen e masave ndaj Kosovës.

“Ata e kanë për detyrë t’i kthehen pak historisë dhe ta shohin se çka ka ndodhur deri më tani. Ata duhet ta rishikojnë politikën e vet, jo vetëm karshi Kosovës, por edhe karshi shteteve të tjera me të cilat kanë luftuar. Nëse kanë dëshirë të shkojnë drejt BE-së më mirë është t’i rishikojnë politikat e veta, të kërkojnë falje dhe t’i kompensojnë krimet e luftës karshi krejt asaj që ka ndodhur”, ka theksuar ajo.

Demhasaj: Kërcënimet e Vuçiqit, për konsum politik

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, ka thënë se Serbia deri më tash nuk ka lënë masë pa përdorur kundër Kosovës.

“Qëllimi i vendosjes së taksës ndaj produkteve të Serbisë ka qenë pikërisht kundërvënia ndaj masave të Serbisë kundër Kosovës. Këto masa kanë qenë qoftë pengimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në të gjitha strukturat ndërkombëtare, siç ka qenë edhe UNESCO-ja, INTERPOL-i e lobimi i Serbisë për çnjohjen e Kosovës nga ana e vendeve që më herët e kanë njohur”, ka theksuar ai.

Ndaj sipas tij, Serbisë nuk i ka mbetur më asnjë veprim tjetër i mundshëm që ta ndërmarrë ndaj Kosovës.

“E dimë se veturat që janë me targa të Kosovës nuk mund të shkojnë në Serbi pa i ndërruar, qytetarët e Kosovës nuk mund të kalojnë në Serbi pa u pajisur me një letër tjetër, nuk njihen dokumentet, targat. Ndaj nuk po besoj se ka më ndonjë mekanizëm që Serbia mund ta përdorë ndaj Kosovës nëse nuk hiqet taksa. Kështu që kërcënimet e tilla janë vetëm për konsum publik politik, se jo për diçka tjetër”, ka potencuar ai.

Më tej Demhasaj ka vlerësuar se në muajin e fundit ka rënë presioni i bashkësisë ndërkombëtare për heqjen e taksës. Por sipas tij, presioni mund të rinisë tek pas Samitit të Berlinit, i cili do të mbahet në fund të këtij muaji.

“Ajo çka po vërehet është se momentalisht ka rënë presioni sa i përket heqjes së taksës, sepse e dimë që para një muaji ka qenë një presion i madh i faktorit ndërkombëtar. Kështu që kemi pasur një lloj armëpushimi e nuk ka pasur presion. Tash presioni mund të shtohet ndoshta prej takimit të Berlinit e më tutje, sepse në Berlin e dimë se do të jenë të gjitha delegacionet e vendeve të Ballkanit, si dhe presidenti i Francës e kancelarja gjermane”, ka theksuar ai./ZERI