Thaçi flet për vizat, Hahn për taksën

Thaçi flet për vizat, Hahn për taksën

Aktuale April 16, 2019 - 08:07
Lexo Detajet
Image

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë filluar sërish të kërkojnë vazhdimin e procesit të negociatave Kosovë - Serbi dhe pezullimin e tarifës së vendosur ndaj produkteve serbe e atyre boshnjake. Pas një takimi që ka pasur dje me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, Komisionari për Zgjerim nga BE-ja, Johanes Hahn, ka thënë se rinisja e dialogut i kontribuon edhe rajonit, jo vetëm palëve të përfshira në këtë proces, shkruan gazeta "Zëri".

Ndërkohë, pas përfundimit të takimit me Hahn dhe me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk, Thaçi nga Brukseli njoftoi se gjatë diskutimit me zyrtarët e lartë të BE-së ka përsëritur faktin se zvarritja e vendimit për heqjen e vizave për Kosovën është e papranueshme dhe e pakuptimtë.

LEXO EDHE: Serbia kushtëzon investimet me vota për Listën Serbe

Në anën tjetër, gjatë së hënës për mediet ndërkombëtare Hahn ka folur edhe rreth idesë për shkëmbim të territoreve, me ç’rast ka thënë se një opsion i tillë nuk përjashtohet po qe se palët bien dakord për arritjen e një marrëveshjeje. Lidhur me këtë ka reaguar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se një deklaratë e tillë, që e lë të hapur mundësinë e bisedimit të kufijve, është vazhdim i politikës së gabuar të evropianëve. Ndaj ai është zotuar se një skenar i tillë nuk do të lejohet që të realizohet.

Thaçi: Zvarritja e vendimit për vizat, e pakuptimtë

Teksa ka bërë të ditur se çka është diskutuar në takimet e së hënës në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se BE-ja sa më parë duhet ta marrë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. “Në takimet e sotme me presidentin Tusk dhe komisionarin Hahn në Bruksel ritheksova se zvarritja e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë është e pakuptimtë dhe e papranueshme. Bashkimi Evropian, pa vonesa të tjera, duhet ta marrë vendimin për heqjen e vizave dhe duhet ta përshpejtojë rrugëtimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”, ka deklaruar ai.

Kreu i shtetit më tej ka vlerësuar se rajoni po vazhdon të jetë në një status quo të vështirë, që po ngadalëson shumë procese. Një situatë e tillë, siç Thaçi është shprehur, tejkalohet vetëm me lidership dhe vizion të qartë të BE-së për tërë rajonin.

Hahn: Dialogu të vazhdojë, taksa të pezullohet

Pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, komisionari për Zgjerim nga Bashkimi Evropian, Johanes Hahn, ka thënë se rifillimi i procesit të negociatave me Serbinë është në interes të stabilitetit të gjithë rajonit. “Ishte një takim i mirë me presidentin Hashim Thaçi. Është e rëndësishme që dialogu Kosovë - Serbi të rinisë shumë shpejt. Kjo është në interes të stabilitetit dhe të progresit më të gjerë rajonal. Gjithashtu përsërita qëndrimin e Bashkimit Evropian se taksa, të cilën e ka vendosur Kosova, duhet të paktën të pezullohet”, ka deklaruar Hahn.

Ndërkohë, së fundi gjatë një interviste dhënë për gazetën amerikane “The Washington Post”, Hahn ka thënë se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë është i mundur të ndodhë po qe se dy palët negociuese merren vesh rreth kësaj çështjeje. “Në këtë moment nuk mund të parashikojmë asgjë, por një shkëmbim territoresh është i mundshëm”, ka potencuar komisionari i BE-së.

Menjëherë pas kësaj ka reaguar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se një gjë e tillë paraqet një përpjekje destruktive. Me këtë rast shefi i ekzekutivit ka konsideruar se Hahn dhe ndërmjetësuesja e dialogut Federika Mogerini kanë humbur një vit kohë duke u marrë me çështje të kufijve e të territoreve. “Duke e toleruar një logjikë të tillë Mogherini dhe Hahn ia kanë humbur një vit BE-së dhe Ballkanit. Sikur të mos kishin folur për kufij e për territore ndoshta do ta kishim një marrëveshje. Një deklaratë që e lë të hapur mundësinë e bisedimit të territorit dhe të kufijve është vazhdim i politikës së gabuar të këtyre evropianëve që po shkojnë fatmirësisht”, ka deklaruar Haradinaj, teksa ka shtuar se një gjë e tillë nuk do të lejohet të ndodhë.

Krasniqi: Çështja e integritetit territorial, e përfunduar për Kosovën

Teksa ka folur rreth thirrjeve të zyrtarëve të BE-së për vazhdim të dialogut, deputetja e LDK-së Besa Gaxherri ka thënë se dialogu nuk duhet të vazhdojë pa shkuar vendi në zgjedhje. “Ne e kemi atë qëndrim, i cili është i pandryshuar. Sot kemi një seancë në Kuvend në të cilën nuk po mund të kalohet thuajse asnjë pikë e rendit të ditës sepse koalicioni qeverisës nuk i ka votat, të mos flasim pastaj për rënien e imazhit ose për humbjen e besueshmërisë që e ka bërë në çdo institucion, duke u nisur prej presidentit e me radhë në Republikën e Kosovës. Kështu që e vetmja zgjidhje e këtij problemi është shkuarja në zgjedhje”, ka theksuar Gaxherri për “Zërin”.

Ndërkohë gjersa ka komentuar deklaratat e komisionarit Johanes Hahn rreth shkëmbimit të territoreve, Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për dialogun me Serbinë në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se një skenar i tillë nuk duhet të lejohet të jetësohet. “Ky është një qëndrim i papranueshëm, pasi në dialog nuk duhet të ketë hapësirë për diskutime për integritetin territorial të Kosovës. Territori i Kosovës është i paprekshëm”, ka deklaruar ajo.

Në këtë proces sipas saj mbetet e rëndësishme që institucionet e Kosovës të kenë qëndrim unik dhe të mos kenë të drejtë të flasin mbi integritetin territorial të Kosovës. “Kosova duhet ta ketë një qëndrim unik në diskutimet me Serbinë, që për Kosovën çështja e integritetit territorial është e përfunduar me shpalljen e pavarësisë më 2008-n, që Kosova është duke biseduar me Serbinë për t’i përmbyllur disa nga çështjet të cilat janë ende të hapura, që kanë të bëjnë me suksesionin, me ato që kanë të bëjnë me konsolidimin e shtetësisë së brendshme të Kosovës, me shpërbërjen e strukturave paralele dhe me ballafaqimin me të kaluarën”, ka nënvizuar ajo./ZERI/