Deputetët formojnë komisionin për krimet serbe në Kosovë

Deputetët formojnë komisionin për krimet serbe në Kosovë

Aktuale April 15, 2019 - 11:28
Lexoni më shumë detaje

Kuvendi i Kosovës sot ka formuar Komisionin e veçantë i cili do të merret me gjenocidin serb në Kosovë, raporton "Zëri.info".

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi kërkoi që të nxirret një rezolutë në lidhje me krimet serbe në vend.

Me anë të kësaj rezolute deputetët synojnë që ta dërgojnë Serbinë në tribunal ndërkombëtarë.

“Ne kërkojmë që të tjerët ta dënojnë krimin, por ne ende nuk e kemi dënuar atë. Duke pasur parasysh deklarimet publike të të gjitha partive në lidhje me sanksionimin e krimit të gjenocidit nga Serbia, mendoj që tani është koha që të krijojmë një komision Ad Hoc nga Kuvendi dhe të gjitha deklarimet publike të partive t’i shkrijmë në një rezolutë të përbashkët. Rezoluta do të përdoret si bazë ku do të delegohen të gjitha aktet tjera”, tha Sherifi.

Propozimi i Sherifit u mbështet edhe nga partitë tjera në pozitë dhe opozitë.

Subjektet politike propozuan që, Armend Zemaj, Bilall Sherifi, Saranda Bogujevci, Mërgim Lushtaku, Muharrem Nitaj, Aida Dërgudi dhe Danush Ademi, të jenë pjesë e këtij komisioni.

Derisa e përkrahi iniciativën e Sherifit, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se edhe mëherët ka pasur rezoluta për këtë çështje.

“Ne e mbështesim dhe e përshëndesim këtë iniciativë. Kuvendi edhe në të kaluarën ka pasur së paku tre rezoluta për këtë çështje. Ne do ta delegojmë deputetin Armend Zemaj. Shpresojmë që të nxirret një rezolutë që është e pranueshme për të gjithë deputetët, e cila mund të përcillet pastaj edhe në parlament evropian dhe institucione tjera të BE-së”, tha ai.

Ndërsa, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se deri tani nuk ka pasur vullnet që të adresohen krimet e kryera nga Serbia.

Sipas saj, Vetëvendosje do ta mbështet një gjykate vendase që do të merret me këtë çështje.

“Kjo është e rëndësishme dhe Vetëvendosje do të kontribuojë në këtë. Ne propozojmë deputeten Saranda Bogujevci që të jetë në këtë komision. Ne është dashur qysh moti të kemi një gjykatë të veçantë që do të trajtonte të gjitha krimet që janë bërë në Kosovë. Ne jemi dëshmitar se as UNMIK-u as EULEX e as institucionet e vendit nuk e kanë pasur as minimumin e vullnetit për të adresuar krimet e kryera nga Serbia. Vetëvendosje e mbështet gjykatën vendëse”, tha ajo./Zëri/