
Sejdiu: Ministrat me aktakuza, reflektim i keq për Kosovën
Në Qeverinë e Kosovës janë disa ministra me aktakuzë të konfirmuar nga Gjykata, ndonëse ata vazhdojnë punën pa kurrfarë pengese. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, pati premtuar se do ta shkarkonte secilin ministër të tij me aktakuzë, por një veprim të tillë nuk po e ndërmerr tash e sa ditë, shkruan gazeta "Zëri".
Deputeti i pavarur opozitar, anëtar i Komisionit për Legjislacion, Korab Sejdiu, duke folur për “Zërin” është shprehur se ministrat me aktakuza, por edhe zyrtarët e lartë të shtetit që vazhdojnë t’i mbajnë këto poste e reflektojnë mendësinë e qeverisjes “Haradinaj” dhe i japin imazh të keq Kosovës.
“Nuk është befasi që në kuadër të kësaj qeverie ka njerëz të cilët kanë raste penale aktive, por kjo natyrisht që është reflektim jashtëzakonisht i keq për Kosovën dhe njëkohësisht tregon se çfarëdo retorike që ata kanë lidhur me luftimin e korrupsionit dhe të krimit është retorikë koti dhe boshe, nuk është në përputhje me atë se çfarë me të vërtetë mendojnë. Vazhdimi i punës së tyre nën aktakuza është në përputhje të plotë me mendësinë e kësaj qeverie”, ka theksuar Sejdiu.
LEXO EDHE: Ministrat e paprekshëm
Ai ka thënë se përveç imazhit të Kosovës jashtë dukuria e tillë ka ndikuar edhe në përkeqësimin e qeverisjes dhe jetës së qytetarëve të Kosovës.
“Kjo dukuri po na dëmton neve si shoqëri dhe është një fatkeqësi e madhe të kemi në vende vendimmarrëse njerëz të tillë, të cilët ia kanë humbur shpresën qytetarëve të këtij vendi. Mbetet përgjegjësi jona që të mundohemi të punojmë në të mirë të Kosovës dhe ta luftojmë këtë dukuri, por edhe këta njerëz që janë drejtpërdrejt përgjegjës për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova”, është shprehur Sejdiu./ZERI