
Ministrat e paprekshëm

Në Qeverinë e Kosovës janë disa ministra me aktakuzë të konfirmuar nga Gjykata, ndonëse ata vazhdojnë punën pa kurrfarë pengese. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, pati premtuar se do ta shkarkonte secilin ministër të tij me aktakuzë, por një veprim të tillë nuk po e ndërmerr tash e sa ditë, shkruan gazeta "Zëri".
Besim Beqajt, ministër i Inovacionit dhe Pal Lekajt, ministër i Infrastrukturës, ka disa ditë që Gjykata ia ka konfirmuar aktakuzën, por të njëjtit pa kurrfarë pengese vazhdojnë t’i drejtojnë këto dikastere të rëndësishme qeveritare.
Njëjtë si për ministrin Beqaj, aktakuza për rastin “Pronto” i është konfirmuar edhe deputetit të PDK-së Zenun Pajazitit. Ndërsa për rastin e veteranëve ka aktakuzë ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe deputeti i AAK-së Shkumbin Demaliaj.
Kreu i PDK-së Kadri Veseli, në partinë e të cilit janë ministri Besim Beqaj dhe deputeti Zenun Pajaziti, kishte deklaruar se nëse një ministër i tij do të kishte aktakuzë do ta shkarkonte, por edhe një javë pas vendimit të Gjykatës ministrat e Veselit vazhdojnë të jenë të paprekshëm.
Derisa në Qeveri të Kosovës vazhdojnë punën ministrat me aktakuza të konfirmuara, Bashkimi Evropian (BE) vazhdon të kërkojë nga institucionet e vendit që ta luftojnë korrupsionin si kusht për liberalizimin e vizave.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i ka thënë “Zërit” se i takon kryeministrit Haradinaj të vlerësojë nëse zyrtarët qeveritarë me aktakuza duhet të vazhdojnë punën ose të shkarkohen. “Është çështje e kryeministrit dhe normalisht i takon atij se si e vlerëson. Ai është shef i Qeverisë së Kosovës dhe ai jep përgjigje për këtë çështje”, ka thënë Tahiri.
Ministrat s’e ndjekin shembullin e ish-ministrit Agani
Me të njëjtat probleme ligjore përballen edhe disa kryetarë komunash e deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i AAK-së Shkumbim Demalijaj, i cili ka të ngritur aktakuzë në rastin e veteranëve, nuk ka dashur të komentojë këtë çështje përderisa nuk përfundon procesi i tij gjyqësor. “Unë jam në proces, ku edhe disa ditë kemi mundësinë e kundërshtimit të fakteve të aktakuzës, nuk mund të them asgjë dhe pa dalë vendimi i Gjykatës nuk kam dëshirë të flas për këtë çështje”, ka thënë Demalijaj.
Ndryshe nga ministrat aktualë, për të njëjtën arsye Ferid Agani, që gjatë kohës së qeverisjes së Isa Mustafës mbante postin e ministrit të Ambientit, pati kërkuar nga kryeministri Mustafa që ta lironte nga detyra për shkak të ngritjes së aktakuzës.
Përderisa kushti i vetëm dhe më sfidues për Kosovën në arritjen e liberalizimit të vizave ka mbetur luftimi i korrupsionit në instancat e larta të shtetit, vlerësohet se këtë proces nuk po e ndihmojnë këta ministra me dorëheqje, por as edhe kryeministri me shkarkimin e tyre.
Qeveria nuk i shkarkon ministrat me aktakuza pa pasur vendim të fajësisë nga Gjykata
Deputeti i koalicionit qeverisës, Ahmet Isufi, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se ministrat me aktakuza në Qeverinë e Kosovë mund të vazhdojnë punën e tyre përderisa nuk ka vendim të fajësisë nga gjykatat. “Në bazë të ligjeve në fuqi deri në shkallën përfundimtare të gjyqësisë secili konsiderohet i pafajshëm, prandaj është lënë mundësia që edhe ata të cilët mund të kenë ndonjë ngritje të akuzës të vazhdojnë punën e tyre”, ka thënë Isufi.
Ndonëse po vazhdon të kërkohet luftimi i korrupsionit në nivelet e larta shtetërore dhe një kusht i tillë është vënë edhe për heqjen e vizave ndaj kosovarëve, Isufi thekson se zyrtarët e lartë të shtetit me aktakuza nuk e pengojnë Kosovën drejt liberalizimit. “Liberalizimi i vizave si proces është në dorën e Bashkimit Evropian, Kosova i ka kryer të gjitha obligimet që i ka pasur në bazë të kritereve të përcaktuara, prandaj këta zyrtarë me aktakuza nuk kanë të bëjnë asgjë me liberalizimin e vizave, sepse të gjitha shtetet e kanë për obligim ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin”, deklaroi më tutje Isufi.
Sejdiu: Ministrat me aktakuza, reflektim i keq për Kosovën
Deputeti i pavarur opozitar, anëtar i Komisionit për Legjislacion, duke folur për “Zërin” është shprehur se ministrat me aktakuza, por edhe zyrtarët e lartë të shtetit që vazhdojnë t’i mbajnë këto poste e reflektojnë mendësinë e qeverisjes “Haradinaj” dhe i japin imazh të keq Kosovës.
“Nuk është befasi që në kuadër të kësaj qeverie ka njerëz të cilët kanë raste penale aktive, por kjo natyrisht që është reflektim jashtëzakonisht i keq për Kosovën dhe njëkohësisht tregon se çfarëdo retorike që ata kanë lidhur me luftimin e korrupsionit dhe të krimit është retorikë koti dhe boshe, nuk është në përputhje me atë se çfarë me të vërtetë mendojnë. Vazhdimi i punës së tyre nën aktakuza është në përputhje të plotë me mendësinë e kësaj qeverie”, ka theksuar Sejdiu, shkruan gazeta "Zëri".
Ai ka thënë se përveç imazhit të Kosovës jashtë dukuria e tillë ka ndikuar edhe në përkeqësimin e qeverisjes dhe jetës së qytetarëve të Kosovës. “Kjo dukuri po na dëmton neve si shoqëri dhe është një fatkeqësi e madhe të kemi në vende vendimmarrëse njerëz të tillë, të cilët ia kanë humbur shpresën qytetarëve të këtij vendi. Mbetet përgjegjësi jona që të mundohemi të punojmë në të mirë të Kosovës dhe ta luftojmë këtë dukuri, por edhe këta njerëz që janë drejtpërdrejt përgjegjës për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova”, është shprehur Sejdiu.
Hoxha: Zyrtarët e lartë me aktakuza duhet të dorëhiqen
Rreze Hoxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, është shprehur për “Zërin” se edhe pse nuk janë të obliguar me ligj ministrat, zëvendësministrat ose deputetët duhet të dorëhiqen nga postet e tyre në rast se janë nën hetime, sepse në të kundërtën, siç ka thënë ajo, do të jenë në kundërshtim me qeverisjen parimore e llogaridhënëse. “Duhet të jetë e domosdoshme që të njëjtit të dorëhiqeshin nga postet e tyre gjatë kohës kur janë nën hetime dhe gjatë procedurave gjyqësore. Për më tepër, nëse të njëjtit nuk do të dorëhiqeshin, atëherë kjo do të mundë të ndikojë edhe në perceptimin e gjyqësorit nga qytetarët të cilët konsiderojnë që këta funksionarë nuk marrin trajtimin e njëjtë nga sistemi. Ndërsa vlen të theksohet që edhe pse një praktikë e tillë nuk është shprehimisht e ndaluar me ligj, e njëjta është kundër një qeverisjeje që bazohet në parime të integritetit dhe llogaridhënies”, ka potencuar ajo.
Ajo theksoi se zyrtarët e lartë shtetërorë që kanë aktakuza ose janë nën hetime ndikojnë keq në liberalizimin e vizave për Kosovën, meqë ndër kushtet kryesore për këtë proces është edhe luftimi i korrupsionit në funksionet e larta të shtetit. “Meqenëse në procesin e marrjes së liberalizimit të vizave progresi i Kosovës vazhdon të matet edhe në bazë të ndjekjes së rasteve serioze kriminale, siç janë edhe ato të funksionarëve të lartë shtetërorë, medoemos që qëndrimi i funksionarëve të lartë në pozitat e tyre ndikon negativisht në perceptimin dhe në imazhin e Kosovës nga BE-ja. Këtë situatë rëndon edhe fakti që ekziston një numër i madh i këtyre zyrtarëve që mbajnë pozita të larta shtetërore dhe ndaj të cilëve ka aktakuza të ngritura për vepra të ndryshme penale ose të njëjtit janë nën hetim”, ka deklaruar Hoxha.
Baraliu: Zyrtarët me aktakuza e pengojnë liberalizimin e vizave
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, u shpreh për “Zërin” se ministrat, zëvendësministrat ose deputetët me aktakuza ndikojnë negativisht në procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët. “Njëra prej hallkave kryesore në të cilën përqendrohet Bashkimi Evropian si një tërësi është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë të gjitha sondazhet e bashkësisë ndërkombëtare tregojnë që krimi dhe korrupsioni nuk janë luftuar. Madje rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave nuk kanë dhënë asnjë rezultat dhe kjo ndikon negativisht në procesin e heqjes së vizave”, ka thënë Baraliu.
Baraliu theksoi se zyrtarët që janë nën hetime duhet të japin dorëheqje morale nga postet e tyre. “Duke e parë nga këndvështrimi moral i të bërit politikë do të duhej që me t’u ngritur aktakuza të dorëhiqeshin qoftë nga postet ministrore, qoftë zëvendësministrore ose ato të deputetëve edhe pse e dimë që është një parim i njohur që nga zanafilla, i cili thotë se pa një vendim zyrtar të formës së prerë për fajësinë nuk mund të konsiderohet dikush i fajshëm”, potencoi ai./ZËRI