Serbët dalin në zgjedhje, frikohen se pushtetin do ta marrin shqiptarët
Foto: Laura Hasani

Serbët dalin në zgjedhje, frikohen se pushtetin do ta marrin shqiptarët

Aktuale April 10, 2019 - 08:01
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Dushan Radakoviq, drejtor i Qendrës për Përfaqësim të Kulturës Demokratike (ACDC) në veri të Mitrovicës, ka tërhequr vërejtjen se në rast se serbët bojkotojnë zgjedhjet e shpallura nga presidenti Hashim Thaçi, atëherë kryetar të Mitrovicës së Veriut do ta kenë një shqiptar, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndonëse me parulla të shumta të vendosura në pjesë të ndryshme të Mitrovicës së Veriut, në Leposaviq, në Zubin Potok e në Zveçan u kërkohet serbëve t’i bojkotojnë zgjedhjet, të cilat ata i quajnë separatiste, analistët serbë, njerëz të jetës politike e kulturore janë shprehur pro pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet për kryetar të katër komunave veriore, të cilat do të mbahen më 19 maj 2019.

LEXO EDHE: Zgjedhjet e reja me politikanët 'e moçëm'

Deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok ka ardhur pas dorëheqjeve në fund të vitit të kaluar të kryetarëve Goran Rakiq, Vuçina Jankoviq, Zoran Todiq dhe Stevan Vulloviq, për shkak të vendosjes së taksës prej 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Shumica e serbëve frikohen se bojkoti i zgjedhjeve nga serbët u jep rast shqiptarëve ta marrin pushtetin në katër komunat veriore.

Serbët të mos i bojkotojnë zgjedhjet

Drejtori i Qendrës për Përfaqësim të Kulturës Demokratike (ACDC) në veri të Mitrovicës, Dushan Radakoviq, ka vlerësuar se zgjedhjet e shpallura për kryetar të komunave veriore janë prekje e pulsit për bashkësinë serbe, ndërkohë shpreh mendimin e tij se serbët nuk duhet t’i bojkotojnë ato.

“Nuk kemi kryetar, kemi taksën 100 për qind në mallrat serbe, kemi probleme rreth ushtrisë, probleme rreth ‘Trepçës’, kemi probleme rreth gjykimeve në mungesë për krimet të luftës. Ka shumë probleme dhe krejt këto serbët duhet t’i lënë anash e të mendojnë për fushatën zgjedhore. Mendoj se do të ketë më shumë kandidatë se në zgjedhjet e kaluara, por gjithashtu mendoj se serbët duhet të marrin pjesën në zgjedhjet që janë shpallur. Nëse serbët nuk marrin pjesë do ta kemi kryetarin shqiptar, ndërkohë bojkoti definitivisht nuk i konvenon bashkësisë serbe”, ka thënë Radakoviq, duke folur për radion “Kontakt Plus”.

Ndërkaq gazetari Milivoje Mihajloviq, thotë se pret të ketë protesta të serbëve dhe dhunë në veri të Kosovës, ndërsa ka vlerësuar se me shpalljen e zgjedhjeve Thaçi ka hedhur topin në veri.

“Thaçi ka arsye për këtë, pasi komunat nuk punojnë nga 27 nëntori i vitit të kaluar kur kryetarët e komunave patën dhënë dorëheqje, por Thaçi nuk e ka bërë këtë për ta freskuar procesin demokratik, por për ta hedhur topin në veri. Reagimi i parë nga Serbia për Listën Serbe, e cila udhëheq politikën e serbëve në Kosovë, ndoshta mund të jetë këshilla a të marrin pjesë në zgjedhje ose t’i bojkotojnë. Dalja ose mosdalja në zgjedhje kanë anët e veta të mira dhe të këqija. Unë jam për atë se serbët të dalin në zgjedhje, sepse qëndrimi i tyre do të jetë më i sigurt nëse janë në institucione. Nëse i bojkotojnë zgjedhjet, atëherë mund të ndodhë ndonjë ndërhyrje në veri të Kosovës”, ka thënë Mihajloviq.

Drejtuesit e Listës Serbe sot takohen me Vuçiqin

Se a do të marrin serbët pjesë në zgjedhjet e 19 majit nuk di ta thotë as nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq. Ai thotë se vendimin për të dalë në zgjedhje ose për t’i bojkotuar ato do ta marrin pas konsultimeve në Beograd, të paralajmëruara për të mërkurën.

“Vendimin për të dalë në zgjedhje gjithmonë e kemi marrë pas konsultimeve me presidentin e Serbisë dhe me qeverinë, kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Vendimi që do ta marrin do të jetë në interes të popullit serb, i cili jeton në Kosovë”, ka thënë Simiq, i cili ka potencuar mbështetjen, të cilën siç thotë ai, autoritetet shqiptare ua japin serbëve të tyre privatë.

“Përgjigjja e shqiptarëve në unitetin e serbëve në Kosovë është përpjekje për të gjetur ata persona që kanë interes para atij nacional dhe me të cilët është shumë lehtë të bisedohet”, ka thënë nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq.

Kundër zgjedhjeve të 19 majit dhe për bojkotin e tyre janë deklaruar krerë të subjekteve politike më ekstremiste, të cilët përbëjnë opozitën në Serbi. Në mesin e tyre është edhe Sllavisha Ristiq, ish-kryetar paralel i Zubin Potokut, i cili shprehet me këmbëngulje për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në komunat veriore.

Kryetarët e katër komunave veriore, Goran Rakiq, Stevan Vulloviq, Zoran Todiq dhe Vuçina Jankoviq menjëherë pas dorëheqjeve kishin nxituar të deklarojnë se institucionet e Prishtinës janë shuar në atë pjesë.

Prej atëherë as kuvendet komunale nuk kanë funksionuar, ndonëse shërbimet komunale janë kryer.

Mitrovica e Veriut ka pasur probleme me zgjedhjen e kryetarit, pasi ata nuk pranonin të betoheshin me logon dhe me rregullat e Republikës së Kosovës.

Në zgjedhje për kryetar të komunës në nëntorin e vitit 2013 ato i kishte fituar Kërstimir Pantiq, i cili deri atëherë mbante postin e kryetarit paralel të Mitrovicës.

Por Pantiq nuk kishte pranuar që të betohet nën logon e Republikës së Kosovës dhe në këtë mënyrë zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Veriut ishin përsëritur.