![Zgjedhjet e reja me politikanët 'e moçëm'](/uploads/zeri.info/images/2019/April/10/auto_zgjedhjwet0---zeriii1554875931.png)
Zgjedhjet e reja me politikanët 'e moçëm'
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2019/April/08/auto_Arbesa_Ibrahimi1554702902.png)
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës do të mbahen më 19 maj të këtij viti, përderisa Lista Serbe sot pritet ta marrë vendimin për pjesëmarrje ose bojkotim të tyre pas takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq. Edhe nëse nuk bojkotohen, zgjedhjet e majit pritet t’i rilegjitimojnë politikanët e njëjtë, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Gati pesë muaj pasi kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës dhanë dorëheqje, presidenti Hashim Thaçi të hënën caktoi 19 majin e këtij viti si datën kur do të mbahen zgjedhjet në këto komuna.
Por për të marrë një vendim se si të veprojnë më tutje, të marrin pjesë në zgjedhje ose jo, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës pritet që sot të shkojnë në Beograd dhe të takohen me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".
Tek pas konsultave me kreun e shtetit serb ata do të dalin me një vendim se si të veprojnë lidhur me zgjedhjet që do të mbahen në komunën e Mitrovicës Veriore, të Leposaviqit, të Zubin Potokut dhe të Zveçanit.
Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se këto zgjedhje, veçmas dështimi eventual i tyre, paraqesin një sfidë reale për institucionet e Kosovës. Një skenar i tillë, siç thonë ata, do ta sillte Kosovën në një situatë tejet të pavolitshme.
Analistët politikë nuk e shohin si zgjidhje të duhur as skenarin tjetër potencial, që në krye të komunave të vijnë sërish personat të cilët në nëntor të vitit të kaluar patën dhënë dorëheqje, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës ndaj produkteve serbe nga 10 për qind sa ishte në 100 për qind.
Serbët e komunave veriore takohen sot me Vuçiqin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pohuar se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, me ç’rast ka thënë se ky takim do të rezultojë me një vendim se si të veprohet lidhur me zgjedhjet në veri të Kosovës.
“Do të kemi bisedime të gjata me përfaqësuesit e vërtetë të serbëve nga Kosova, me ata që përfaqësojnë popullin dhe jo me ata që përfaqësojnë veten dhe askënd tjetër dhe presim që me përfaqësuesit e popullit serb të Kosovës të marrim vendim”, ka deklaruar gjatë së martës Vuçiq.
Gjersa ka folur rreth zgjedhjeve që pritet të mbahen në maj të këtij viti, Fatmir Sheholli, drejtor ekzekutiv i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike (IAMN), ka thënë se po që se serbët vendosin t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale në veri, atëherë Kosova do të gjendet në një situatë të pafavorshme.
“Mosdalja në bazë të përqindjes ashtu siç e parasheh Ligji Zgjedhor dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të na sillte në një situatë shumë të pavolitshme dhe atëherë është çështje e institucioneve qendrore se si do të vendosnin”, ka deklaruar ai.
Në një rast të tillë, sipas tij, Kosova do të ballafaqohej me një sfidë reale.
“Nëse e kemi një bojkot eventual në veri, atëherë për herë të parë pas pavarësisë së Kosovës institucionet vendore do të gjenden në një sfidë shumë reale me atë pjesë të Kosovës, për të cilën të gjithë e dimë që ende është shumë e brishtë dhe jo ashtu siç duhet të jetë. Ky fakt na bën të mendojmë shumë seriozisht të mos lejojmë që bojkoti eventual i serbëve të veriut të fitojë mbi arsyen, ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka potencuar ai.
Ndërkohë, politologu Ramush Tahiri ka thënë se zgjedhjet në veri janë të dështuara po që se qytetarët atje nuk dalin ta kryejnë obligimin qytetar - të votojnë.
“Në këto zgjedhje duhet të marrë pjesë popullata, që të ketë legjitimitet dhe të zgjidhen kryetarët. Nëse nuk merr pjesë popullata, atëherë konsiderohen të dështuara”, ka deklaruar ai.
Dirigjimi i Beogradit
Teksa ka folur rreth zgjedhjeve të shpallura në veri nga presidenti Hashim Thaçi, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka thënë se ky veprim i kreut të shtetit paraqet një indikacion që ai po kërkon të krijojë problem të vazhdueshëm në veri.
“Ky vendimi i fundit për t’i shpallur zgjedhjet pa një ujdi paraprake tregon që është edhe një veprim i radhës për të dëshmuar që Kosova nuk e kontrollon veriun, që duket se është pjesë e një marrëveshjeje të cilën e ka premtuar Thaçi për ta dorëzuar veriun në duart e Serbisë dhe tanimë edhe në formë praktike”, ka deklaruar ai.
Thaçi, siç Abazi është shprehur, në vazhdimësi ka realizuar skenarë, të cilat kanë sjellë vetëm probleme në veri të Kosovës.
Ndërkohë, edhe po që se serbët u përgjigjen zgjedhjeve dhe sërish fitojnë figurat që deri më tash ishin në krye të komunave veriore, Abazi ka vlerësuar se as ky skenar nuk paraqet ndonjë zgjidhje, pasi që serbët do të vazhdojnë të dirigjohen prej Beogradit.
“Jo, absolutisht. Serbia ka vazhduar ta përdorë veriun si pjesë të shantazhit dhe sabotimit të shtetësisë së Kosovës dhe në këtë formë që është duke u dialoguar me Serbinë, duke ia lënë duart e lira që të përdorë Listën Serbe si instrument të politikës serbe kundër shtetësisë së Kosovës, nuk pres të ketë vullnet politik për çfarëdo zgjidhjeje që do të mundë të sillte përfaqësim demokratik të qytetarëve të veriut në institucionet e Kosovës”, ka theksuar ai.
Së këndejmi, edhe nëse zgjedhjet nuk dështojnë, sipas Abazit, komunat në veri do të vazhdojnë të jenë instrument i Beogradit. “Pavarësisht nëse ata dalin ose jo në zgjedhje, mendoj që ato institucione do të vazhdojnë të jenë instrument në duart e Beogradit”, ka nënvizuar ai.
Partitë serbe që pritet të dalin në zgjedhje
Gjatë një bisede për gazetën “Zëri” Fatmir Sheholli ka thënë se nuk mund të mohohet fakti që Lista Serbe në veri aktualisht është shumë e fuqishme dhe mbizotëron mbi partitë tjera politike serbe.
“Por ne nuk mundemi t’i bindim serbët për kë të votojnë, ata do të vendosin vetë për votën e tyre kujt do t’ia japin, por ajo që është e sigurt është që ne duhet njëherë e përgjithmonë si institucione të shtetit të Kosovës t’ua bëjmë me dije se format, veprimet dhe konceptet politike të cilat ata i shprehin e që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk mund të jenë prodhim i legalitetit dhe legjitimitetit të tyre në Kosovë”, ka potencuar ai.
Ndërkohë, teksa ka folur për Listën Serbe Sheholli ka thënë se brenda këtij subjekti ekziston një homogjenitet dhe se ata nuk marrin pjesë në zgjedhje pa u konsultuar me presidentin serb. Porse ka bërë të ditur se ekziston vullneti i disa partive të tjera serbe që të dalin në zgjedhje, siç është partia e ish-liderit tashmë të ndjerë Oliver Ivanoviq, partia e Aleksandar Jabllanoviqit, Iniciativa Qytetare e disa subjekte të tjera.
Po ashtu ai ka theksuar se edhe shqiptarët në veri të vendit janë të interesuar që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Ndërkohë, vendimin për shpalljen e zgjedhjeve në katër komunat veriore presidenti Hashim Thaçi e ka marrë gjatë së hënës së kësaj jave.
Zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) kanë thënë se nga aspekti ligjor zgjedhjet në veri të vendit mund të organizohen pa ndonjë problem.