Haxhiu: Nuk i kemi numrat për rrëzimin e Qeverisë
FOTO: Laura Hasani

Haxhiu: Nuk i kemi numrat për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale April 08, 2019 - 13:16
DETAJET

Opozita nuk i ka 61 vota për rrëzimin e Qeverisë. Të paktën kështu ka deklaruar deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje” Albulena Haxhiu në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri”.

Teksa ka treguar për tubimet që janë duke u organizuar nga lëvizja “Vetëvendosje” deputetja ka thënë që shumë qeveri mund të rrëzohen edhe organizimet qytetare.

LEXO EDHE: Haxhiu: Edhe LDK-ja mund të na bashkohet në protesta

"Bojkoti aktiv i seancave të Kuvendit ka qenë njëri prej vendimeve që ne nisëm ta praktikonim, por në anën tjetër ishin deputetët të cilët kanë ikur nga Lëvizja Vetëvendosje që qëndronin aty dhe mundësonin që qeveria “Haradinaj” të kalonte çështje të cilat i kishte me interes. Ata u bënë me të dyja këmbët pjesë e koalicionit dhe kjo e vështirësoi edhe bojkotin tonë. Po ashtu edhe në aspektin e numrave e bëri më të vështirë rrëzimin e Qeverisë. Edhe veprimet e tyre të fundit në favor të negociatave janë veprime që nënkuptojnë se ata janë në shërbim të plotë të kësaj qeverie, por edhe kanë për qëllim jetëgjatësinë e saj. Është e vërtetë po ashtu që aktualisht nuk i kemi 61 numra, do të ishte e lehtë që të shkonim me mocion në Kuvend nëse do t’i kishim, por ne nuk guxojmë të qëndrojmë dhe të themi që nuk i kemi numrat dhe po vazhdojmë me këtë qeveri. Kjo është arsyeja pse ne po vazhdojmë me tubime dhe nuk mund të paragjykojmë nëse mund ose jo t'i bëjmë numrat, por nuk mund as të paragjykojmë që vetëm me anë të mocionit rrëzohet kjo Qeveri, sepse shumë qeveri, duke përfshirë edhe qeverinë “Haradinaj”, mund të rrëzohen edhe me organizimet qytetare. Ne në asnjë formë nuk i përjashtojmë protestat për rrëzimin e kësaj qeverie”, ka pohuar ajo. /ZERI