
Specialja dërgon mbi 100 ftesa, Kuqi niset për në Hagë më 7 prill

Gjykata Speciale ka dërguar më shumë se 100 ftesa në Kosovë, teksa pritet që edhe deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi, të udhëtojë për në Hagë më 7 prill të këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Përderisa Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ka filluar tashmë aktivizimin e saj me dërgimin e ftesave për intervistim ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, vlerësohet se mbi 100 ftesa kanë arritur në Kosovë, por që nuk janë bërë ende publike.
LEXO EDHE: Tetë vjet bisedime pa marrëveshje
Kështu ka deklaruar për gazetën “Zëri” Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i cili ka bërë të ditur që pjesa e parë e të ftuarve do të nisen për në Hagë më 7 prill të këtij viti.
“Ne nuk jemi të autorizuar që t’i bëjmë publikë emrat e tyre, por është e vërtetë që në muajin prill do të shkojnë shumë të ftuar nga kjo gjykatë. Do të fillojnë nga 7 prilli një pjesë e tyre, që janë të ftuar për intervistë dhe do të shkojnë të japin intervistë. Nuk e dimë saktë sa ftesa janë aktualisht, por mbi 100 janë”, ka thënë Gucati për “Zërin”.
Ndërkohë avokatë të akredituar nga Gjykata Speciale vlerësojnë që aktivizimi i këtij organi do të rritet gjatë muajit prill dhe shumë ftesa sipas tyre do të bëhen publike ditëve në vijim.
Qerkini: Kuqi niset për në Hagë më 7 prill
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale Artan Qekini, i cili është edhe mbrojtës i deputetit të AAK-së Blerim Kuqit, ka bërë të ditur për “Zërin” që Kuqi do të udhëtojë për në Hagë më 7 prill të këtij viti, me ftesë të kësaj gjykate.
“Aktualisht i kam tre persona nën mbrojtje, me z. Blerim Kuqin do të udhëtojmë më datën 7 prill për në Hagë, ndërsa për të tjerët veçse jam deklaruar”, ka thënë Qerkini për “Zërin”.
Ndërkohë, duke i komentuar deklaratat se në Kosovë veçse kanë arritur mbi 100 ftesa, Qerkini ka thënë që kjo gjë është e mundur për shkak që tashmë ka filluar intensiteti i punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Është evidente që është intensifikuar puna e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe po ashtu edhe unë e kam marrë të njëjtën informatë nga z. Gucati se janë mbi 100 ftesa nga kjo gjykatë dhe të gjithë ata që kanë marrë ftesa pritet t’i bëjnë publike përmes avokatëve të tyre. Kjo edhe pritet për shkak që Prokuroria tashmë ka filluar aktivizimin e saj dhe dihet që do të thërrasë dëshmitarë, të dyshuar potencialë e që janë veprime hetimore të cilat duhet t’i ndërmarrë kjo prokurori”, ka shtuar Qerkini.
Gashi: Prokuroria Speciale mund të ketë ngritur aktakuza tashmë
Në anën tjetër avokati Tomë Gashi, i cili aktualisht po mbron ish-komandantin e UÇK-së Sylejman Selimin, ka thënë për “Zërin” që pavarësisht se askush nuk e di numrin e saktë të të ftuarve nga kjo gjykatë, përsëri ai vlerëson se aktakuzat e para mund veçse të jenë ngritur.
“Askush nuk mund ta dijë numrin e saktë të ftesave që janë dërguar nga Gjykata Speciale deri më tani, por numri tashmë ka kaluar me tepër se 30 persona që janë intervistuar dhe janë bërë publikë dhe me siguri që një pjesë e ish-komandantëve ose ish-ushtarëve të UÇK-së janë bërë publikë, kurse një pjesë tjetër do të publikohet ditëve në vijim sipas kërkesës së prokurorit”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, duke qenë se ka mungesë transparence nga ky institucion aktakuzat e para mund të jenë ngritur tashmë.
“Ngritja e akuzave përveçse mund të bëhet publike, mund të ndodhë që një numër i aktakuzave veç është ngritur dhe po mbahen ende si çështje sekrete të Prokurorisë, sepse Prokuroria ka të drejtë të dërgojë aktakuza në Gjykatën Speciale dhe nëse gjyqtari i konfirmon ato, atëherë personat thirren”, ka theksuar ai.
Derisa nuk është përcaktuar data se kur duhet të përfundojë punën Specialja, Gashi thotë se do të ketë me qindra ftesa të reja nga ky institucion i drejtësisë.
Abazi: Gjykata Speciale, lojë politike
Kurse njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, punën e deritanishme të Gjykatës Speciale e sheh si një lojë të orkestruar ndërmjet faktorit politik në vend dhe “hienave” të korruptuara ndërkombëtare.
“Dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale janë një përzierje që ka ngritur dyshime dhe është duke ndryshuar situatën në Kosovë. Paqartësia e veprimit dhe format e marrjes në pyetje, sidomos të atyre që veç kanë kaluar njëherë nëpër duart e drejtësisë së UNMIK-ut ose EULEX-it, e bëjnë një lojë që nuk i kontribuon as besimit të qytetarëve e as drejtësisë. Por kjo është edhe një simptomë e një përzierjeje të politikës dhe shantazhimit për të bërë kompromise me Serbinë”, ka thënë Abazi për “Zërin”.
Sipas tij, nuk është aspak e rastësishme që veprimet “sporadike” të Gjykatës dhe të prokurorëve janë të ndërlidhura me presionin për të arritur kompromise të paralajmëruara e të dhimbshme me Serbinë.
“Duke parë se si ka ecur Gjykata në Hagë, ka pak shpresë se mund të ketë përfundim të shpejtë të proceseve dhe qartësi për atë se çfarë në fakt është duke ndodhur. Kosova është bërë monedhë kusuritjeje si duket në pazare stërkeqe dhe të fëlliqura ndërmjet faktorit vendor politik dhe hienave të korruptuara ndërkombëtare”, ka potencuar ai.