Spektri politik në Suharekë 'njëzëri' mbështesin shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit

Spektri politik në Suharekë 'njëzëri' mbështesin shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit

Aktuale March 22, 2019 - 13:04
Lexoni detajet!
Image

Vrasja e të riut Jetmir Aliaj nga Suhareka, në vendin e tij të punës në një kazino në këtë qytet, e kishte shtyrë kryetarin e komunës Bali Muharremaj që të kërkonte mbylljen e kazinove në këtë qytet. Fillimisht ai i kishte dhënë urdhër Drejtorisë së Inspeksionit për një operacion verifikimi në objektet ku zhvillohej veprimtaria e lojërave të fatit, e më pas nisi edhe një peticion ku kërkoi shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit. Kjo iniciativë po mbështetet pothuajse nga të gjitha degët e partive politike në Suharekë. Përveç tyre, edhe komunat si Gjakova, Rahoveci, Vushtrria e Lipjani i kanë dhënë përkrahje deri më tani kësaj nisme. Ndërkohë në Kuvendin e Kosovës u miratua edhe rezoluta që kërkon mbylljen e kazinove dhe ndalon hapjen e tyre në 10 vitet e ardhshme, shkruan “Zeri.info”. Kjo rezolutë kërkon që Qeveria të nis procedurat ligjore për pezullimin e aktivitetit të të gjitha llojet lojërave të fatit, deri në plotësim ndryshimin e ligjit si dhe brenda 30 ditëve ajo të sjell në Kuvend ligjin e ri që ndalon aktivitetin e të gjitha llojeve të lojërave të fatit në një periudhë prej 10 viteve.

Degët e partive politike në komunën e Suharekës po e përkrahin iniciativën e kryetarit Muharremaj për mbylljen e lojërave të fatit përmes peticionit, iniciativë kjo që erdhi pas vrasjes së të riut Jetmir Aliaj në vendin e tij të punës në një kazino, të dielën e 17 marsit.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, iniciativa e kryetarit Muharremaj gëzon mbështetje të plotë. Megjithatë, Ardian Shala, asamblist i kësaj partie në Kuvendin Komunal në Suharekë, konsideron se për vrasjet e kohëve të fundit që po ndodhin në kazino, fajtor është një sistem i tërë e për lejimin e veprimtarive të kazinove, ai fajëson Qeverinë.

“Ne kemi qenë edhe iniciatorë të kësaj, jo vetëm që e mbështesim. Nuk kemi asgjë kundër, veç ishalla realizohet edhe në Parlament. Lojërat e fatit nuk po na sjellin asgjë të mirë. Aty po i humbin të gjitha paratë, po kanë probleme e stres. Nuk është ende ajo kulturë në Kosovë që lojërat e fatit të shërbejnë për argëtim”, ka thënë Shala për “Zeri.info”.

Megjithatë për vrasjet e fundit, ai ka shprehur dyshimin se fajtor është komplet sistemi që sipas tij, nuk po funksionon e që nuk ka kontroll të duhur në vendet ku po zhvillohen lojërat e fatit

“Nëse flasim për vrasje nuk po di kanë me e fajësuar. Ndoshta është në pyetje një sistem i tërë që ne po e dimë në Kosovë qysh po funksionon. Dihet që nuk ka ndonjë kontroll”, ka shtuar tutje ai.

Këtë iniciativë e mbështet edhe Lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë, ata e kanë vënë në pikëpyetje seriozitetin e peticionit pasi që sipas tyre, kryetari nuk i ka dërguar fare ftesë në takimin që e ka zhvilluar për këtë çështje me përfaqësues të subjekteve të tjera politike. Po ashtu, ata e kanë përmendur edhe koncept-dokumentin për lojërat e fatit, duke thënë se ai i përket një partie e cila “i konsideron lojërat e fatit mundësi për zhvillim ekonomik dhe ulje të papunësisë”.

“Të shqetësuar me numrin e madh të lokaleve të lojërave të fatit që operojnë në Komunën e Therandës, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Therandë mbështet çdo veprim përmes së cilit kontribuohet në ndryshimin e ligjit sa i përket lojërave të fatit ashtu siç vepruan deputetët e LVV-së të cilët iu bashkuan thirrjes së seancës për pezullimin e lojërave të fatit dhe kërkon nga Komuna e Therandës që përpos peticionit të ketë edhe veprime konkrete nga organet e sigurisë konform kompetencave të Komunës lidhur me inspektimin dhe mbylljen e lojërave të fatit” thuhet në reagim,

“Sa i përket peticionit të organizuar nga Kryetari i Komunës së Therandës, ne shprehum dyshimin tonë rreth seriozitetit të këtij peticioni, fillimisht iniciatori i këtij peticioni Kryetari i Komunës në takimin në të cilin është diskutuar rreth organizmit të peticionit nuk ka dërguar fare ftesë për Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Therandë as si subjekt politik e as si përfaqësues në Kuvendin Komunal në Therandë, pastaj ky Kryetar i përket një subjekti politik kryetari i të cilit subjekt e udhëheq qeverinë dhe i cili i konsideron lojrat e fatit mundësi për zhvillim ekonomik dhe ulje të papunësisë”, theksohet tutje aty.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu kanë bërë të ditur se e mbështesin këtë nismë.

“Po, patjetër. Shfuqizimi i ligjit për lojërat e fatit është diçka që duhet të ndodhë”, ka thënë shkurt kryetari i PDK-së, dega në Suharekë, Blerim Xhemajli.

Nga Partia Socialdemokrate, po ashtu e mbështesin iniciativën e kryetarit Muharremaj. Leonard Shala, asamblist i kësaj partie ka thënë për “Zeri.info” se këto duhet të mbyllen sepse nuk ka menaxhim të duhur. Sipas tij duhet të shfuqizohet ky ligj, të bëhet ligji i ri e më pas të përcaktohen kushtet e kriteret e reja.

“Ne e kemi mbështet qysh në fillim iniciativën, pas konsultimeve që i kemi bërë. Mendojmë që duhet me u mbyll. Nuk ka menaxhim të duhur. Të shfuqizohet ligji e më pas të bëhet i riu e të fillojnë diskutimet se çka duhet të bëhet më këtë çështje”, ka thënë ai për “Zeri.info”.

“Zeri.info” ka provuar disa herë të kontaktojë edhe me përfaqësues të Nismës Socialdemokrate në këtë komunë, por kontakti ka qenë i pamundur.

Sipas një postimi në Facebook të para tre orësh të kryetarit Muharremaj, mbi 4000 persona e kanë nënshkruar peticionin për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit.

Sipas tij, janë mbi 120 pika të lojërave të fatit në komunën e Suharekës, Ndërsa, Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi tha për gazetën “Zëri” se aktualisht në Kosovë nuk ka asnjë kazino të regjistruar dhe për më tepër nuk ka pasur asnjë kërkesë për regjistrimin e bizneseve të tilla./Zeri.info/