Gjashtë muaj deputet 'rezervë'
Foto: Laura Hasani

Gjashtë muaj deputet 'rezervë'

Aktuale mars 22, 2019 - 07:48
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Për shkak të mosfunksionalizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Rafet Rama që nga shtatori i vitit të kaluar është në pritje për t’u ulur në kolltukun e Kuvendit. Njëjtë si Rama po presin edhe dhjetëra asamblistë lokalë. Për bllokim të KQZ-së partitë opozitare po e akuzojnë presidentin Thaçi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nezir Çoçaj ka gjashtë muaj që ka dhënë dorëheqje nga funksioni i deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, përderisa ende askush nuk e ka zëvendësuar atë në legjislativ.

Prej asaj kohe, të shtatorit të 2018-s, në pritje për t’u bërë deputet është Rafet Rama i PDK-së, por ai nuk po mund të ulet në kolltukun e Kuvendit për shkak të mosfunksionalizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili duhet ta certifikojë dhe t’ia japë mandatin, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Gazeta “Zëri” dje ka kontaktuar Ramën, i cili nuk po arrin të bëhet deputet qe gjashtë muaj. Rama i ka deklaruar gazetës se mandati i tij si deputet është në dorë të presidentit Hashim Thaçi.

"Nuk dua ta komentoj, ajo është në dorën e presidentit. Kurdo që ai e funksionalizon KQZ-në, atëherë KQZ-ja më certifikon mua. Më shumë nuk kam çfarë të them, nuk varet prej meje kjo punë", ka thënë Rama.

Rafet Rama në vitin 2016 kishte qenë kundërkandidat i Thaçit për president të Kosovës, por ky i fundit edhe me përkrahjen e shumicës së deputetëve të LDK-së kishte arritur t’i marrë votat e nevojshme në Kuvend për një mandat 5-vjeçar.

Opozita në vend ka disa javë që po e akuzon Thaçin për bllokim të KQZ-së, për të cilin veprim madje kanë deklaruar se do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.

PDK-ja po ia ndien mungesën deputetit Rama në votime

Partia Demokratike e Kosovës mungesën e deputetit Rama e ndien edhe nëpër votime. Deputetja e kësaj partie, Blerta Deliu-Kodra, u shpreh për “Zërin” se një deputet më tepër në Kuvend për PDK-në do të ishte përparësi.

“Natyrisht se një deputet plus është përparësi për një grup parlamentar dhe do të kishte qenë mirë që KQZ-ja të zhbllokohet, për shkak se ai është i nevojshëm edhe për grupin tonë parlamentar, por edhe për votime”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra është shprehur optimiste se KQZ-ja do të funksionalizohet së shpejti.

“Ne e kemi pasur një seancë, në të cilën është diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe natyrisht për shkak të kësaj ne kemi mbetur pa një deputet. Por besoj se ditëve në vazhdim do të angazhohen që të gjendet zgjidhja sa më shpejt, sa i përket zhbllokimit të këtij institucioni”, ka thënë ajo.

Bllokimi i KQZ-së dëmton organizimin e zgjedhjeve të ardhshme

Adnan Rrustemi në cilësinë e ish-anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe tashmë kandidat për një mandat tjetër, në një përgjigje për "Zërin" është shprehur se bllokimi i KQZ-së mund ta dëmtojë edhe procesin organizativ të zgjedhjeve të ardhshme.

"Me këtë bllokadë po dëmtohet edhe kapaciteti organizativ i Komisionit Qendror për zgjedhjet e ardhshme, sepse duke dëmtuar KQZ-në dëmtohen edhe zgjedhjet, duke ditur se shumë aktivitete që realizohen gjatë vitit ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e zgjedhjeve", deklaroi ai.

Rrustemi konsideron se me mosfunksionalizimin e KQZ-së presidenti është duke ndërhyrë në pavarësinë e këtij institucioni, por edhe në aktivitetet politike të partive.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve plot një vit është jofunksional, nuk mban mbledhje, nuk merr vendime dhe krejt kjo prej papërgjegjësisë së presidentit të Kosovës, i cili nuk po i përmbush kompetencat që i ka me Kushtetutë. Presidenti është duke ndërhyrë në pluralizimin politik, po cenon aktivitetet politike të subjekteve, në veçanti të opozitës, sepse duke ia ndalur fondin shtetëror partive po ndërhyn në aktivitetin e tyre të përditshëm, por edhe partitë në qeverisje po abuzojnë me pushtetin që kanë. Gjithashtu kjo është edhe ndërhyrje në pavarësinë e KQZ-së”, është shprehur ai.

“Zëri” gjatë ditës së enjte ka provuar të kontaktojë edhe me ish-anëtarët e tjerë të KQZ-së, por nuk ka mundur të marrë përgjigje nga ata.

Baraliu: KQZ-ja ka shkaktuar pasoja të shumëfishta

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, në një përgjigje për "Zërin" është shprehur se edhe deputeti Rafet Rama që po pret për t’u certifikuar, por edhe partia e tij (PDK-ja) janë dëmtuar nga bllokada që i është bërë KQZ-së tash e një vit.

"Deputeti që po pret për certifikim është dëmtuar politikisht, sepse ai ka marrë vota për të qenë pjesë e këtij Parlamenti, i ka ardhur radha dhe votuesit e tij presin që ai të japë kontributin e tij kushtetues dhe me të drejtë pret edhe partia e tij që ai të jetë në Parlament dhe të kenë një votë më tepër, sepse e dimë se shumica parlamentare është jashtëzakonisht minore, gjithmonë në mungesë të votave për t’i shtyrë më tutje planet legjislative të Parlamentit", ka theksuar ai.

Baraliu përmendi edhe pasojat e shumëfishta që ka shkaktuar mosfunksionimi i KQZ-së për këtë kohë kaq të gjatë.

"Ka reflektim negativ në zëvendësimin e deputetëve, e kemi në Parlament Partinë Demokratike të Kosovës që ka në mungesë një deputet, për shkak se nuk po mund të bëhet zëvendësimi dhe nuk po mund të bëhet as zëvendësimi i asamblistëve nëpër disa komuna të Kosovës dhe tash e kemi rastin gjithsesi të katër komunave të Kosovës që për më shumë se katër muaj janë pa kryetarë, ndërkohë që është dashur të mbahen zgjedhjet domosdoshmërish dhe shumë zyrtarë të partive politike nuk mund të marrin rroga qe disa muaj", ka thënë ai.

Asamblistët në pritje, 2000 euro dëme nga KQZ-ja

Arbër Vokrri, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka një vit që po pret nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta certifikojë si asamblist në Komunën e Prishtinës. Në një përgjigje për “Zërin” Vokrri është shprehur se moscertifikimi i tij jo vetëm që e ka dëmtuar atë dhe votuesit e tij, por edhe subjektin e tij politik pasi që nga 7 asamblistë të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës ka kohë që kanë mbetur 6.

“Dëmi është serioz, në radhë të parë për qytetarët të cilët i kanë votuar këshilltarët si puna ime dhe e afërsisht 35 të tjerëve në tërë vendin. Mua ma kanë besuar përfaqësimin së paku 500 qytetarë të Prishtinës dhe zëri i tyre nuk dëgjohet atje ku më kanë deleguar. Natyrisht, është dëmtuar edhe subjekti im - Lëvizja Vetëvendosje, grupi i së cilës në Asamblenë Komunale funksionon me një ulëse me pak”, ka deklaruar ai.

Vokrri përmendi edhe dëmin financiar që ia ka shkaktuar kjo vonesë e certifikimit nga ana e KQZ-së.

“Mbase nuk është e tepërt të përmendet edhe dëmi financiar, sado periferik që është brenda tërësisë së problemit, sepse asamblistët nuk i kanë marrë pagat që në kushte normale u takojnë e as që do të marrin ndonjë kompensim. Në rastin tim kjo i kalon tani 2000 euro dhe vazhdon të rritet. Shto këtu edhe faktin se KQZ-ja është institucion, i cili i akordon mjetet financiare vjetore për subjektet parlamentare dhe vlera e dëmit kap përmasa shqetësuese”, ka theksuar ai.