Sot ka filluar kampanja e riciklimit 'Ruje, mos e gjuj'

Sot ka filluar kampanja e riciklimit 'Ruje, mos e gjuj'

Aktuale March 18, 2019 - 16:03
Lexo Detajet

Në ditën botërore të riciklimit, qytetarët e Kosovës, më konkretisht ata të Vushtrrisë dhe Prishtinës do të bëhen pjesë e projektit të riciklimit, një iniciativë nga Coca-Cola HBC Kosova së bashku me 10 partnerë, e cila synon kryesisht të rris vetëdijesimin rreth rëndësisë së krijimit të sistemit të duhur për menaxhimin e mbeturinave dhe rreth riciklimit në përgjithësi. Një sërë aktivitetesh do të realizohen nën sloganin "Ruje, mos e gjuj" me qëllim të mbledhjes dhe riciklimit të shisheve të plastikes dhe kanaçeve. Ky projekt, i cili u formalizua sot me nënshkrimin e marrëveshjes të bashkëpunimit do të implementohet këtë vit nga marsi deri në nëntor.

Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua në mes të dhjetë partnerëve institucional: Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komunës së Vushtrrisë, Coca-Cola HBC Kosova, Qendrës së Studentëve, Kolegjit AAB, Kolegjit RIT, Green Art Centre Kosova, KRM Uniteti, Qendra për Përkrahjen e Punësimit dhe Ruajtjen e Ambientit dhe Green Eko Recycling.

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor z. Fatmir Matoshi e ka vlerësuar shumë këtë iniciativë dhe në fjalimin e tij ndër tjerash ka theksuar se “Projekti “Ruje, mos e gjuj” është një shembull i mirë i vetëdijësimit të qytetarëve mbi rëndësinë e mbledhjes dhe riciklimit të shisheve dhe kanaçeve për të evituar ndotjen e mjedisit. Bashkëpunimi mes institucioneve, bizneseve, shoqërisë civile, qytetarëve, për ndarjen në burim, grumbullimin dhe riciklimin e shisheve, kanaçeve, dhe mbeturinave të tjera është i rëndësishëm dhe shumë i mirëpritur.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, bëri thirrje që të kontribuojmë për një mjedis të pastër për brezat e ardhshëm. “ Një prej detyrave tona themelore është që përveq që të lëmë një shtet më të mirë të lëmë edhe një ambient të pastër. Këtë detyrë duhet ta kryejmë të gjithë së bashku”, tha z. Tahiri.

Drejtori Ekzekutiv i Coca-Cola HBC Kosova, z. Neritan Tira tha “Të gjithë ne nga Coca-Cola HBC Kosova punojmë dhe jetojmë në këtë komunitet lokal. Ne qytetarët e Kosovës duhet të demonstrojmë përgjegjësi personale në ruajtjen e mjedisit tonë për gjeneratat e ardhshme. Si kompani ne jemi këtu për të mbështetur komunitetin lokal në krijimin e sistemit të duhur për menaxhimin e mbeturinave dhe për të vetëdijesuar qytetarët për rolin e tyre personal. Si gjithmonë do të jemi partnerë të besueshëm të komunitetit lokal të Kosovës për të siguruar një të ardhme sa më të mirë”.

Sa i përket procesit të implementimit të këtij projekti, drejtoresha ekzekutive e GAC-it, znj. Merlina Beu Muçaj, njoftoi se “Ky projekt me moton “Ruje, mos e gjuj” e jep vetëvetiu mesazhin për rëndësinë e riciklimit si vlerë ekonomike, në ato që në jetë të përditshme i quajmë mbeturina. Pikërisht, institucionet tona universitare pjesëmarrëse në zbatimin e skemës së riciklimit dhe një lagje prej 500 amvisërishë në qytetin e Vushtrrisë, ata të cilët do të kenë qasje dhe falë përkrahjes përmes Coca-Cola HBC, do të nisin praktikimin e ndarjes së mbeturinave të riciklueshme duke krijuar një kulturë të re mjedisore në shoqëri. Ne bashkarisht mundemi, ia dalim dhe do të ja bëjmë një Kosovë ekologjike.

Partnerët e projektit "Ruje, mos e gjuj" u zotuan të forcojnë bashkëpunimin e tyre në mënyrë që ky projekt të shërbejë si një shembull i suksesit dhe të kontribuojë në krijimin e një sistemi të menaxhimit të mbeturinave dhe zgjerimin e projektit në komunat tjera gjatë viteve të ardhshme.

Coca-Cola HBC në Kosovë është themeluar në qershor te vitit 2003 dhe është anëtare e kompanisë ndërkombëtare Coca-Cola Hellenic AG, e cila operon në 28 vende në 3 kontinente. Që nga fillimi, kompania ka qenë e angazhuar në krijimin e vlerave përgjatë zinxhirit te vlerave, duke investuar më shumë se 4 milionë euro në përmirësimin e kushteve të tregut, përmirësimin e shkathtësive të punonjësve dhe krijimin e programeve afatgjata të CSR për komunitetet lokale. Kompania ka të punësuar staf lokal dhe është një pagues i përgjegjshëm i tatimeve.

Image

Image