Kaq është numri i kosovarëve që jetojnë në Gjermani
Numër i madh i kosovarëve jetojnë ende në shtetet e perëndimit.
Megjithë tendencën e zhvillimit ekonomik të vendit, numri i mërgimtarëve nuk duket të jetë në rënie.
Nga statistikat që ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur për lajmi.net, vetëm gjatë janarit 378 persona deponuan kërkesa për lënien e shtetësisë kosovare.
Gjatë së njëjtës periudhë, asnjë person nuk aplikoi për fitim të shtetësisë së saj.
E vetëm në vitin që lamë pas, 5 mijë qytetarët hoqën dorë nga shtetësia kosovare.
Por cili është shteti në të cilin jetojnë më së shumti mërgimtarë.
Në një përgjigje për lajmi.net nga ministria e Diasporës, është bërë e ditur se Gjermania prin me numërin e kosovarëve që jetojnë aty.
Thënë në përqindje, rreth 36.77 % e diasporës kosovare jeton në Gjermani.
Nga kjo përqindje e përgjithshme, shumica e mërgimtarëve i përkasin gjinisë mashkullore.
Menjëherë pas Gjermanisë, në bazë të regjistrit të fundit vjen Zvicra. Aty kalkulohet se jeton rreth 29.77 % e mërgimtarëve kosovarë.
Me rradhitjen e saj befason SHBA-ja, ku nga ministria e Diasporës thuhet se jeton vetëm 1.97% e mërgates kosovare.
Ajo çka bëhet tutje e ditur në këto statistika, është se shumica e mërgimtarëve kosovarë, i përkasin moshës nga 15 e deri në 19 vjeç.
Përqindjen më të vogël e kanë grupmoshat nga 65 vjeç e mbi.
Theksojmë se mërgata kosovare cilësohet si shtyllë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, ngase një pjesë e madhe e të ardhurave sigurohen pikërisht nga kjo kategori.