Këtë vit s’pritet marrëveshje me Serbinë

Këtë vit s’pritet marrëveshje me Serbinë

Aktuale March 15, 2019 - 07:51
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Pavarësisht paralajmërimeve se viti 2019 do të jetë vit i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Për një marrëveshje të tillë thuhet se aktualisht nuk ka gatishmëri as presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Gjasat janë që këtë vit në Kosovë dhe në Serbi të ketë zgjedhje të parakohshme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pavarësisht zotimeve të presidentit Hashim Thaçi se gjatë këtij viti do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, gjasat janë minimale që të ndodhë kjo gjë.

Një marrëveshje të tillë si duket nuk është i gatshëm ta pranojë as presidenti Aleksandër Vuçiq, i cili qe një kohë po përballet me protesta të vazhdueshme nga opozita në Serbi, ndërsa në Kosovë gjitha partitë parlamentare janë kundër marrëveshjes nëpërmjet korrigjimit të kufijve, ku kundërshtari më i madh është kryeministri Ramush Haradinaj, shkruan më tutje "Zëri". 

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në vizitën e fundit në Bruksel, të zhvilluar ditë më parë nga negociatorët kosovarë, u është lënë të kuptohet këtyre të fundit se këtë vit janë gjasat minimale që të arrihet marrëveshja, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme edhe nga faktori ndërkombëtar, me arsyetimin se as Vuçiqi tashmë nuk e ka një gatishmëri të tillë.

Madje thuhet se më të mundshme janë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë dhe në Serbi këtë vit, ku synohet të formohen qeveri më e qëndrueshme sesa marrëveshja përfundimtare.

Në shtyrjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar edhe taksa prej 100 për qind, pasi palët nuk janë takuar në Bruksel për më shumë se katër muaj për shkak të kushtëzimeve të shtetit fqinj me heqjen e taksës.

Për ta hequr taksën ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk e kanë bindur kryeministrin Ramush Haradinaj as zyrtarët e lartë amerikanë, gjermanë e anglez, të cilët javën e fundit e kanë vizituar Kosovën.

Isufi: Nuk pritet marrëveshje finale

Para pak javësh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte shprehur edhe një herë i bindur se këtë vit do të arrihet marrëveshja finale me Serbinë.

Kreu i shtetit me këtë rast pati thënë se gjatë 2019-s rajoni do ta përmbyllë edhe konfliktin mes Kosovës e Serbinë.

“Këtë vit rajoni po përmbyll dy çështje të mëdha, atë të emrit ndërmjet Maqedonisë së Veriut e Greqisë, si dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës e Serbisë”, kishte deklaruar Thaçi.

Ndërkohë deputeti i koalicionit qeverisës, i cili vjen nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se pala kosovare tashmë është përgatitur për procesin e dialogut, por Serbia po vazhdon politikat kundër Kosovës.

Rrjedhimisht, Isufi ka vlerësuar se nuk pritet që njëherë për njëherë të arrihet një marrëveshje finale mes dy palëve.

“Kosova është e përgatitur me Ligjin për Dialogun, platformën, me ekipin negociator, kurse sa i përket anës serbe, ata edhe më tutje po vazhdojnë me të njëjtën politikë kundër Kosovës dhe deklaratat e tyre janë shumë negative. Për atë nuk pritet ndonjë pozitivitet, që të mundë të arrihet një marrëveshje, e cila i obligon të dyja palët për njohje reciproke”, ka deklaruar ai për “Zërin”.  

Ndaj sipas tij, nuk mund të flitet për ndonjë datë se kur mund të ketë një marrëveshje përmbyllëse mes Kosovës e Serbisë, pasi që siç ka thënë Isufi, një gjë e tillë varet më shumë nga trysnia e bashkësisë ndërkombëtare te pala serbe.

Selmanaj: S’ka marrëveshje pa LDK-në e pa LVV-në

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se arritja e marrëveshjes me Serbinë nuk duket të jetë afër. Madje ai ka konsideruar se pa dy partitë më të mëdha opozitare një gjë e tillë do të jetë e pamundur të ndodhë.

“Jemi të bindur se pa LDK-në dhe pa LVV-në kjo punë nuk bëhet. E dimë që këta janë futur në aventura të tilla politike, por të jeni të sigurt se përfundimi s’do të jetë në këtë vit, assesi jo. Por as ashtu si kanë menduar këta nuk do të jetë ai përfundim, sidomos agjenda e presidentit Thaçi është e pamundur të realizohet, sepse nuk është agjendë e shtetit të Kosovës”, ka potencuar ai.

Prandaj krejt ky proces, mënyra se si është ndërtuar ekipi negociator, ligji edhe platforma, sipas tij janë vetëm improvizime. “Prandaj ne jemi të bindur për këtë, që ky proces nuk ka epilog të shpejtë pa shkuar vendi në zgjedhje”, ka theksuar Selmanaj gjatë një bisede për gazetën.

Pika e vetme unike e ndërkombëtarëve - vazhdimi i dialogut

Lekë Batalli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë për “Zërin” se shtetet e huaja që kanë kontribuuar dhe janë përfshirë në mbarëvajtjen e dialogut Kosovë - Serbi janë unike vetëm rreth një pike - se procesi i negociatave duhet të vazhdojë. Mirëpo sipas tij një gjë e tillë nuk do të thotë që marrëveshja përmbyllëse duhet të jetësohet përgjatë këtij viti.

“Siç e theksoi edhe nënsekretari Hale, kjo nuk nënkupton që marrëveshja duhet të arrihet këtë vit. Për më tepër liderë të institucioneve, si kryeministri Haradinaj, konsiderojnë se nëse do të vazhdohej dialogu tani ai medoemos do të përfundonte me shkëmbim territoresh”, ka deklaruar ai.

Në të njëjtën kohë Batalli ka vlerësuar se arritja e një marrëveshjeje, nga kushdo qoftë, nuk nënkupton se ajo është marrëveshje finale. Kjo pasi sipas tij krejt në fund ajo duhet të votohet në Parlament dhe me gjasë të vihet në një referendum konsultues.    

Edhe njohësi i çështjeve politike Arton Demhasaj ka vlerësuar se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë nuk duket se do të ndodhë shpejt.

“E kemi parë se Serbia po heziton të hyjë në proces dialogues me Kosovën pa u hequr taksa. Tash paralel me taksën është shtruar edhe platforma dialoguese që Kosova e ka miratuar në Kuvend. Kur flasim për këto dy çështje, që në një mënyrë po e pengojnë dialogun, atëherë është vështirë të thuhet se një marrëveshje e tillë mund të jetë diku në horizont”, është shprehur ai.

Pozita paradoksale e Serbisë

Teksa ka folur për pozicionin aktual të Serbisë, Lekë Batalli ka thënë se pozita e shtetit serb momentalisht është paradoksale. Mbyllja e problemit me Kosovën sipas tij do ta përshpejtonte rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Por, siç Batalli ka konsideruar, ky përafrim vështirë se do të arrihet nëse në proces Serbia acaron marrëdhëniet me Gjermaninë, shtetin më me influencë në BE, që është kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve. Gjithashtu sipas tij serbët janë shumë të ndarë rreth anëtarësimit në BE.

Ndërkaq, derisa ka folur rreth protestave e zhvillimeve të brendshme në Serbi, Batalli ka thënë se presidentit serb i shkon në favor zgjatja e procesit të dialogut, në mënyrë që ta shpërqendrojë vëmendjen nga problemet e brendshme.

“Protestat në Serbi nuk janë të lidhura me Kosovën, por me faktin që presidenti Vuçiq çdo ditë e më shumë po shpërfaq vese të një autokrati duke kufizuar të drejtat e qytetarëve dhe me kontroll pothuajse të plotë të medieve. Rrjedhimisht, presidenti Vuçiq përfiton nga tejzgjatja e dialogut sepse në atë mënyrë mund ta përqendrojë vëmendjen e qytetarëve serbë në çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë me politikat e tij të brendshme”, ka potencuar ai.    

Për dallim prej tij, Arton Demhasaj ka konsideruar se arritja e një marrëveshjeje në mënyrë sa më të shpejtë i shkon në favor palës serbe.

“Më së shumti besoj se Serbisë i konvenon për t’u arritur një marrëveshje, për shkak se Kapitulli 35 i anëtarësimit të Serbisë në BE lidhet direkt me marrëdhëniet me fqinjët dhe me zgjidhjen e problemeve territoriale apo çkado qoftë që lidhet me vendet fqinje, ndërkohë dihet që problemi kryesor i Serbisë lidhet me Kosovën”, ka theksuar ai.