Reka: Prioriteti im, një Republikë multietnike

Reka: Prioriteti im, një Republikë multietnike

Aktuale March 11, 2019 - 08:03
Mëso detajet!
Image

Kandidati i vetëm shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, ka thënë për “Zërin” se përkrahja e qytetarëve për kandidaturën e tij është e rëndësishme. Megjithatë, sipas tij, vota do ta përcaktojë fituesin në zgjedhjet që pritet të mbahen më 21 prill të këtij viti. Reka gjatë intervistës ka pohuar se synimi i mandatit të tij presidencial është kthimi i rendit republikan dhe depersonalizimi i shtetit, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Nëse duan ta ndryshojnë gjendjen intelektualët duhet ta thyejnë kufirin midis vëzhguesit,  kritikuesit verbal dhe veprimtarit aktiv. Pa marrë përgjegjësi politike nuk mund të bëhen ndryshime”. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Zërin” kandidati i vetëm shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, duke shtuar se kandidatura e tij e pavarur është mbështetur nga dy partitë politike shqiptare të opozitës: Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. 

LEXO EDHE: Një vit, asnjë njohje

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bruksel gjatë intervistës ka thënë se programi i tij përpos elektoratit shqiptar synon edhe tërheqjen e një pjese të elektoratit maqedonas.

Ndërkohë ka bërë të ditur se prioritet i mandatit të tij presidencial është kthimi i Maqedonisë së Veriut në Republikë multietnike dhe euroatlantike. Republikën e vërtetë, siç është shprehur Reka, e bëjnë vetëm sundimi i ligjit, demokracia, gjyqësori i pavarur dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Kjo pasi deri më tash, sipas profesorit universitar nga Maqedonia, ka qenë asgjë më shumë se një shtet privat dhe i kapur.

Tri parti shqiptare u rreshtuan pas kandidatit maqedonas

Zëri: Tashmë zyrtarisht jeni kandidat për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Cila ka qenë arsyeja që ju ka shtyrë të hyni në këtë garë?

Reka: Po më duhet ta përsëris atë që e postova në ditën e shpalljes së kandidaturës sime të pavarur për president. Së pari, nëse duan ta ndryshojnë gjendjen intelektualët duhet ta thyejnë kufirin midis vëzhguesit dhe kritikuesit verbal dhe veprimtarit aktiv. Pa marrë përgjegjësi politike nuk mund të bëhen ndryshime, prandaj mendova se është koha për t’u aktivizuar edhe politikisht. Ligjërimet, shkrimet ose polemikat janë formë e kritikës shoqërore, por pa veprim politik nuk ndryshohen gjërat që i kritikojmë. Së dyti, jashtë këtij diskursi të përgjithshëm filozofik në një shoqëri multietnike të pakuptimtë do të ishte që një e treta të përcaktohej për kandidatin që nuk i përfaqëson as kombëtarisht e as gjuhësisht. 

Zëri: Deri tash keni marrë mbështetje nga Aleanca për Shqiptarët dhe nga Lëvizja Besa. A prisni të keni mbështetje edhe nga parti të tjera?  

Reka: Deri më tash partitë tjera, duke përfshirë edhe tri partitë politike të shqiptarëve që janë në pushtet, u rreshtuan pas kandidatit maqedonas dhe jo pas kandidaturës së vetme shqiptare. Pra, po ato parti shqiptare që këtyre ditëve përshëndetën bashkimin e faktorit politik shqiptar në Tuz, por nuk u bashkuan në Maqedoni!

Dy subjektet shqiptare që dolën në mbështetje të Rekës

Zëri: Bashkimi Demokratik për Integrime (BDI) ka vendosur ta përkrahë një kandidat maqedonas për president. A keni kontaktuar paraprakisht me partinë që e udhëheq z. Ali Ahmeti për mundësinë e mbështetjes së kandidaturës suaj?

Reka: Jo, nuk kam kontaktuar. Kandidatura ime ishte e pavarur dhe u shpall publikisht. Pastaj ajo u mbështet nga dy partitë politike shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, të cilat publikisht ftuan partitë tjera shqiptare që po ashtu të mbështesin kandidaturën time, por kjo nuk ndodhi.

Zëri: Sa do t’i rriste gjasat për fitoren tuaj një unifikim i tërësishëm i spektrit politik shqiptar, kur dihet se votuesit maqedonas janë në numër më të madh se shqiptarët? 

Reka: As elektorati shqiptar nuk duhet nënçmuar, sepse po ky elektorat gjithnjë ishte vendimtar për zgjedhjen e presidentëve të gjertanishëm, të cilët pa votën e tyre nuk mund të fitonin postin më të lartë shtetëror. Nga ana tjetër platforma dhe programi im synon tërheqjen edhe të një pjese të elektoratit maqedonas, sidomos në situatën kur në kampin maqedonas garojnë dy partitë më të mëdha (të pozitës dhe të opozitës), që praktikisht do ta shpërbëjë elektoratin. 

Zëri: Pavarësisht mosunitetit të partive politike shqiptare, a besoni se elektorati shqiptar do ta përkrahë kandidaturën tuaj?

Reka: Duket se përkrahja për kandidaturën time është e rëndësishme, së paku nga analizat ditore që i bën shtabi im zgjedhor, si dhe nga entuziazmi i përgjithshëm në medie dhe në rrjetet sociale. Mirëpo vota është ajo që vendos se kush do të bëhet president i vendit.

Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, në krye të shtetit të 30-të të NATO-s

Zëri: Dihet që shqiptarët në Maqedoni e kanë pozitën e kryetarit të Kuvendit. Sa do të ndikonte në rritjen e tolerancës ndëretnike fitorja e një kandidati shqiptar për president në këtë shtet?

Reka: Sigurisht që presidenti si simbol i unitetit të shtetit do të mundë të ndikonte edhe në tolerancën ndëretnike, nëse ai do të ishte i pranueshëm nga të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përvoja e hidhur dhjetëvjeçare me aktualin që as nuk pranohej nga një pjesë e popullatës dhe as ai vetë nuk dekretonte ligje për një pjesë të popullatës sigurisht se nuk do të ishte përvojë që duhet përsëritur. 

Zëri: Zgjedhjet për president pritet të mbahen më 21 prill 2019. Sa është sfiduese një garë e tillë? 

Reka: Si çdo garë zgjedhore, por kjo sidomos që këto zgjedhje po mbahen në një periudhë kthese: gati dy dekada nga periudha postkonfliktuale dhe në hyrje të periudhës paraintegruese. Presidenti i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jetë në krye të shtetit të 30-të të NATO-s, pra do ta ketë shumë më të qartë pozicionin strategjik, por njëkohësisht edhe komandant i Forcave të Armatosura, që do të jenë anëtare të aleancës më të fuqishme ushtarako-politike.

Kthimi i rendit republikan në Maqedoninë e Veriut, prioritet 

Zëri: Cilat janë prioritet e juaja në rast se vini në pozitën e të parit të Maqedonisë së Veriut?

Reka: Prioriteti im është një Republikë multietnike dhe euroatlantike. Republikën e vërtetë e bëjnë vetëm: sundimi i ligjit, demokracia, gjyqësori i pavarur dhe respektimi i drejtave të njeriut. Sundimi i individit ndërkaq e zhbën Republikën. Qeveria e mëparshme për 11 vjet e shndërroi Maqedoninë në shtet të kapur, kurse presidenti aktual për 10 vjet e bëri atë shtet privat. Besuam të gjithë se shteti do të çkapet dhe do të depersonalizohet, por për këto 2 vjet kjo nuk ndodhi. Gjyqësori është ende politikisht i varur, Prokuroria Speciale pezull, administrata publike e nepotizuar, kriminelët e amnistuar, kurse deputetët nën hetime - të imunizuar. Prandaj kthimi i rendit republikan dhe depersonalizimi i shtetit është synimi i mandatit tim presidencial. Shteti nuk është pronë private, por trashëgimi e gjithë qytetarëve të saj të barabartë. Prandaj Maqedonia e Veriut si shoqëri shumetnike duhet të jetë edhe Republikë shumetnike. Më së paku ajo mund të funksionojë me dozat e lejuara për të drejtat individuale dhe kolektive. Republika nuk njeh demokracinë e dozuar dhe as “kombe statistikore” (20%), të cilëve u lejohen aq të drejta sa janë në përqindje. Në Republikë nuk ka “dhënie” të drejtash, sepse ato janë të drejta të lindura si shtetas të këtij shteti e jo “dhuratë” diskrecioni nga pushteti që vendos se kujt, kur dhe sa të drejta do t’i lejohen. Ky synim për një republikë të njëmendtë do të jetësohej përmes pesë drejtimeve të programit tim presidencial, nga stabilizimi i marrëdhënieve ndëretnike e deri te politika e jashtme euroatlantike dhe e koekzistencës rajonale fqinjësore; gjitha këto si parakushte për të kthyer perspektivën jetësore në vend dhe me të ndaljen e procesit të zbrazjes së vendit. Pra, synimet e para do të jenë në funksion të atij të fundit: parandalimit të zbrazjes së shtetit. Ndryshe, në BE para shtetit do të “integrohen” qytetarët e ikur, kurse Republika e Maqedonisë së Veriut nga shtet anëtar do të mbetej shtet i zbrazët./ZERI