Ben-Meir: Rusia synon dëmtimin e interesave gjeostrategjike të BE-së në Ballkan
Shteti që udhëhiqet nga presidenti Vladimir Putin po shpenzon miliarda rubla në shtetet e Ballkanit, duke tentuar ta pengojë anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Madje ekspertët amerikanë alarmojnë se Rusia dëshiron të provokojë një konfrontim të dhunshëm në mes të Kosovës e Serbisë, në mënyrë që ta diskreditojë projektin e shtetit më të ri në Evropë dhe ta ngatërrojë SHBA-në e NATO-n në mosmarrëveshjet rajonale, shkruan sot gazeta "Zëri".
Edhe profesori amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, Alon Ben-Meir, thotë për “Zërin” se Serbia është shteti më i ndjeshëm ndaj ndikimit të Rusisë se çdo shtet tjetër i Ballkanit.
“Serbia qëndron si më e ndjeshmja ndaj ndikimit të Rusisë se çdo shtet tjetër i Ballkanit dhe Moska do të vazhdojë të përdorë çdo levë në dispozicion për ta parandaluar Serbinë drejt anëtarësimit në BE”, thotë Ben-Meir për gazetën “Zëri”, duke shtuar se shkalla e ndikimit të saj luhatet në varësi të realitetit historik, fetar dhe gjeopolitik në terren.
LEXO EDHE: Rusia, gati ta trazojë Ballkanin
Ai sqaron se Rusia ka interes gjeostrategjik në Ballkanin Perëndimor, si dhe në vendet e Mesdheut, pasi Ballkani veçanërisht ofron një mundësi me kosto të ulët për Rusinë për të ndërmarrë një kombinim të masave politike dhe ekonomike për t’i dëmtuar interesat gjeostrategjike të BE-së.
Për më tepër, sipas tij, interesi i Rusisë në shtetet ballkanike qëndron mbi dy konsiderata të tjera: Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike si një rrugë tranziti për gazin rus dhe së dyti rrënjët sllave e feja ortodokse së bashku me vlerat kulturore dhe tradicionale bilaterale që Moska dëshiron për t’i ruajtur.
Ai ka shtuar se Rusia ka çdo qëllim të mbjelljes së përçarjes për t’i parandaluar shtetet ballkanike të bëhen anëtare të BE-së.
“Disa përpiqen t’i balancojnë marrëdhëniet e tyre dypalëshe me Rusinë dhe me BE-në si Serbia, të tjerët si Kosova e Maqedonia janë më transparente në kërkimin e procesit të evropianizimit drejt anëtarësimit”, shprehet eksperti amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare./ZERI