Rusia, gati ta trazojë Ballkanin
FOTO: Laura Hasani

Rusia, gati ta trazojë Ballkanin

Aktuale March 04, 2019 - 07:46
Lexoni detajet
Image

Shteti që udhëhiqet nga presidenti Vladimir Putin po shpenzon miliarda rubla në shtetet e Ballkanit, duke tentuar ta pengojë anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Madje ekspertët amerikanë alarmojnë se Rusia dëshiron të provokojë një konfrontim të dhunshëm në mes të Kosovës e Serbisë, në mënyrë që ta diskreditojë projektin e shtetit më të ri në Evropë dhe ta ngatërrojë SHBA-në e NATO-n në mosmarrëveshjet rajonale, shkruan sot gazeta "Zëri".

Rusia e ka rikthyer fuqimisht vëmendjen ndaj vendeve të Ballkanit dhe për këtë qëllim Kremlini po harxhon miliarda rubla në Mal të Zi, në Maqedoni, në Shqipëri, në Serbi, në Kosovë dhe në Greqi. Ky është alarmi që jepet nga ekspertët vendorë dhe ata amerikanë për gazetën “Zëri”, duke potencuar faktin se shteti të cilin e udhëheq Vladimir Putin është i motivuar nga antiamerikanizmi, anti-NATO dhe anti-Bashkim Evropian (BE).

LEXO EDHE: I dërguari i BE-së në Serbi: Kërkojmë heqjen e taksës dhe arritjen e marrëveshjes

Në vitin 2016 Rusia kishte tentuar organizimin e një grusht shteti në Mal të Zi, duke planifikuar vrasjen në atë kohë të kryeministrit Milo Gjukanoviq, për ta parandaluar hyrjen e saj në NATO. Vitin e kaluar ajo u përpoq ta bllokojë zgjidhjen e çështjes së emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë, duke ditur se zgjidhja do të rezultojë me anëtarësimin e kësaj të fundit në Aleancën Veriatlantike.

Ndërsa midis Kosovës dhe Serbinë, sipas ekspertëve, Rusia dëshiron të provokojë një konfrontim të dhunshëm, në mënyrë që ta diskreditojë projektin e Kosovës dhe ta ngatërrojë SHBA-në e NATO-n në mosmarrëveshjet rajonale. 

Phillips: Rusia po kërkon ta zgjerojë ndikimin e saj malinj në gjithë Ballkanin

David L. Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme, ka theksuar për gazetën “Zëri” se Rusia po kërkon ta zgjerojë ndikimin e saj malinj në gjithë Ballkanin. Ish-këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit vlerëson se Rusia është e motivuar nga antiamerikanizmi dhe armiqësia ndaj institucioneve perëndimore si: NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.

“Rusia organizoi një grusht shteti në Mal të Zi për ta parandaluar hyrjen e saj në NATO. Ajo u përpoq për t’i penguar reformat në Maqedoni, në mënyrë që të bllokojë zgjidhjen e çështjes së emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë, duke e ditur se zgjidhja do të rezultojë në anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe do t’i përmirësonte shanset e saj për integrimin e mëtejshëm euroatlantik”, pohon Phillips.

Qendra ruse në Nish spiunon vendet e rajonit

Duke folur për prezencën ruse në Serbi, Phillips thotë se e ashtuquajtura bazë humanitare në Nish është me të vërtetë një qendër për spiunimin e vendeve në rajon.

“Rusia ka shitur armë të sofistikuara në Serbi, duke përfshirë aeroplanët luftarakë ‘MIG’ dhe mjete të rënda të blinduara. Ajo dëshiron të provokojë një konfrontim të dhunshëm në mes të Serbisë dhe Kosovës, në mënyrë që ta diskreditojë projektin e Kosovës dhe ta ngatërrojë SHBA-në e NATO-n në mosmarrëveshjet rajonale. Treni rus i dërguar në Mitrovicë ishte një provokim i furishëm”, shprehet ai, duke shtuar se Rusia është e motivuar nga armiqësia ndaj Shteteve të Bashkuara dhe një dëshirë për të kufizuar depërtimin e institucioneve dhe të vlerave euroatlantike në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka shtuar se Bashkimi Evropian me vlerat e saj demokratike, progresive përbën një kërcënim ekzistencial ndaj autoritarizmit dhe fushatave të influencës malinje të Rusisë, që synojnë t’i dëmtojnë demokracitë.

“Serbia është e autorizuara e Rusisë në rajon. Të dyja vendet përpiqen t’i minojnë përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje më të madhe globale. Përpjekjet e përbashkëta të Rusisë dhe të Serbisë në takimin e INTERPOL-it në Dubai tregojnë se si Rusia e Serbia i bashkërendojnë veprimet e tyre në dëm të Kosovës”.

Ben-Meir: Rusia synon dëmtimin e interesave gjeostrategjike të BE-së në Ballkan

Edhe profesori amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, Alon Ben-Meir, thotë për “Zërin” se Serbia është shteti më i ndjeshëm ndaj ndikimit të Rusisë se çdo shtet tjetër i Ballkanit.

“Serbia qëndron si më e ndjeshmja ndaj ndikimit të Rusisë se çdo shtet tjetër i Ballkanit dhe Moska do të vazhdojë të përdorë çdo levë në dispozicion për ta parandaluar Serbinë drejt anëtarësimit në BE”, thotë Ben-Meir për gazetën “Zëri”, duke shtuar se shkalla e ndikimit të saj luhatet në varësi të realitetit historik, fetar dhe gjeopolitik në terren.

Ai sqaron se Rusia ka interes gjeostrategjik në Ballkanin Perëndimor, si dhe në vendet e Mesdheut, pasi Ballkani veçanërisht ofron një mundësi me kosto të ulët për Rusinë për të ndërmarrë një kombinim të masave politike dhe ekonomike për t’i dëmtuar interesat gjeostrategjike të BE-së.

Për më tepër, sipas tij, interesi i Rusisë në shtetet ballkanike qëndron mbi dy konsiderata të tjera: Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike si një rrugë tranziti për gazin rus dhe së dyti rrënjët sllave e feja ortodokse së bashku me vlerat kulturore dhe tradicionale bilaterale që Moska dëshiron për t’i ruajtur.

Ai ka shtuar se Rusia ka çdo qëllim të mbjelljes së përçarjes për t’i parandaluar shtetet ballkanike të bëhen anëtare të BE-së.

“Disa përpiqen t’i balancojnë marrëdhëniet e tyre dypalëshe me Rusinë dhe me BE-në si Serbia, të tjerët si Kosova e Maqedonia janë më transparente në kërkimin e procesit të evropianizimit drejt anëtarësimit”, shprehet eksperti amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare.

 Format e shtrirjes së ndikimit rus në Ballkan

Zëvendësministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Burim Ramadani, pranon se shtrirja e influencës armiqësore e Rusisë, kryesisht përmes luftës hibride e asimetrike, është në rritje të vazhdueshme në Ballkan përgjithësisht. Megjithatë, sipas tij, sukseset që ka pretenduar t’i arrijë shteti, i cili udhëhiqet nga presidenti Vladimir Putin, janë larg prej investimeve që ka bërë.

“Përkatësisht, Rusia ka dështuar dy herë radhazi në ndërhyrjen brenda disa shteteve. Të paktën në Mal të Zi dhe në Maqedoni është dëshmuar se nuk është arritur suksesi i plotë”, ka thënë Ramadani për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, format e shtrirjes së ndikimit rus janë kryesisht të ndërlidhura me luftën asimetrike dhe hibride, por këtu përfshihen ndër të tjera edhe lufta informative, aktivitetet e mbuluara, përhapja e konfuzionit shoqëror, delegjitimimi i proceseve politike, ndërhyrja në vendimmarrje politike të shteteve, financimi i kategorive të caktuara shoqërore, organizatave të ndryshme, financimi i lajmeve të rrejshme dhe deri tek operacionet subversive, që synojnë destabilizimin e brendshëm të shteteve ballkanike.

“Krejt kjo në përputhje me ‘Doktrinën e Gerasimovit’, përmes së cilës Rusia po tenton të shtrijë influencën e vet në të gjitha shtetet demokratike”, shprehet Ramadani.

Ramadani: Shqiptarët paraqesin murin ndaj influencës ruse

Ramadani thotë se shqiptarët në përgjithësi, pavarësisht shtetit ku jetojnë, paraqesin murin ndaj influencës armiqësore ruse.

“Kjo sigurisht se lidhet me traditën tashmë të definuar, sikurse edhe me orientimin tepër të qartë të shqiptarëve drejt integrimeve euroatlantike”, shprehet ai.

“Kështu krahas Shqipërisë, shqiptarët kanë qenë vendimtarë në anëtarësimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut në NATO. Pra shqiptarët kanë anëtarësuar deri më tash tri shtete të Ballkanit në NATO. Shteti i katërt do të duhej të jetë Kosova”.

Duke u nisur nga ky fakt i pakontestueshëm, sipas tij, është e qartë se Kosova dhe Shqipëria janë më imune ndaj influencës armiqësore ruse, “porse kjo nuk e largon vetvetiu përzierjen e Rusisë në shoqëritë tona gjegjëse”, thekson Ramadani.

Zëvendësministri kosovar i Mbrojtjes flet edhe për “veton” e Rusisë kundër transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës për vite me radhë.

“Është krejtësisht e argumentueshme që refuzimi i deputetëve serbë kosovarë për t’i votuar ndryshimet kushtetuese për FSK-në ka qenë realisht veto në duar të Rusisë dhe të ndikimit të saj të drejtpërdrejtë”, thotë ai.

Serbia, “Rusia e Vogël” e Ballkanit

Ramadani ka folur edhe për qendrën ruse në Nish të Serbisë, e cila në konstelacionin e tashëm të avancuar të ndikimit, Serbia mund të cilësohet edhe si “Rusia e Vogël” e Ballkanit.

“E ashtuquajtura ‘Qendra Humanitare Ruso-Serbe’ në Nish të Serbisë është kthyer tashmë disa vjet si qendër rajonale e spiunazhit dhe e aktiviteteve djallëzore të Rusisë. Njëkohësisht bashkëveprimi i Rusisë me të ashtuquajturat ‘Shoqatat e Veteranëve Serbe të Luftës’ për të ritheksuar nacionalizmin dhe hegjemonizmin serb nëpër tërë Ballkanin Perëndimor deshifron po ashtu nivelin e ndërhyrjes ruse”.

Sipas tij, Rusia ka thelluar aktivitetet armiqësore në Ballkan, kryesisht për të ndryshuar rrjedhën dhe orientimin e shteteve ballkanike drejt NATO-s dhe BE-së. Po ashtu edhe për të mos lejuar shtetet e Ballkanit të demokratizohen.

“Shiheni Serbinë. Përmes investimit rus ajo është kthyer në sistem krejtësisht autokratik. Njëjtë edhe Republika Serbe e Dodikut. Pra Rusisë i pengon demokracia në shtetet e Ballkanit, njëjtë sikurse i pengon orientimi i shteteve të Ballkanit drejt NATO-s dhe BE-së”, shprehet Ramadani, duke shtuar se pas disfatës ruse në Maqedoni të Veriut, aktivitetet armiqësore të Rusisë do të intensifikohen edhe më shumë në shtetet e mbetura, përkatësisht në Kosovë, në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Mustafa: Ballkani s’ka alternativë tjetër përpos BE-së dhe NATO-s

Se Rusia ka ndikim të madh në shtetin e tyre e pranon edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafa.

“Lidhjet më të forta me Rusinë i kanë ato shtete, të cilat nuk i kanë vënë sanksione Rusisë pas aneksimit të Krimesë, në këtë rast Serbia, siç kanë vepruar shtetet e tjera të botës”, shprehet Mustafa për “Zërin”.

Sipas tij, shteti në krye të së cilit qëndron Vladimir Putin lufton që vendet e Ballkanit të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Megjithatë, siç thotë kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, vendet e Ballkanit nuk kanë alternativë tjetër përpos BE-së dhe NATO-s.

Financimet e biznesmenëve rusë në Shqipëri

Lavdrim Lita, gazetar nga Shqipëria, thotë se Rusia ka një histori shekullore ndërhyrjesh dhe influencash në Ballkan, i cili ka qenë gjithmonë një nga rajonet që ka marrë më shumë vëmendje të politikës së jashtme ruse, kryesisht për pozicionin strategjik të gadishullit.

Lita thotë se oligarkët rusë dhe pasuria e tyre me origjinë të errët përdoret për të rritur influencën ruse në shtetet e Ballkanit.

“Sektori energjetik është pothuajse nën diktatin e kompanive ruse ‘Lukoil’, ‘Gasprom,’ ‘Litasko’, ‘Rosneft’ etj. Për këtë plan të ri është rritur edhe fondi specifik i miratuar me dekret presidencial, ku Shqipëria dhe vendet e Ballkanit do të jenë vende në të cilat do të investohet para, burimi i të cilave është i paqartë”, shprehet gazetari Lita për “Zërin”.

Sipas tij, të dhënat e institutit “Për studime strategjike” në Romë evidentojnë se financime të biznesmenëve rusë në Shqipëri po kanalizohen  nëpërmjet bankave të nivelit të dytë në xhirollogaritë e kolegëve shqiptarë, sipas kërkesave të ambasadave ruse të atashuar në Shqipëri e në Mal të Zi.

“Për këtë arsye po bëhet hetim i thelluar për objektivin final të këtyre financimeve, që kanë për qëllim çorientimin e tregut shqiptar dhe të konkurrencës”, shprehet ai.

Lita: Kosova dhe Shqipëria, terren më i vështirë për rusët

“Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete ku përpjekjet ruse kanë gjetur një terren të vështirë për të lulëzuar dhe kjo për disa arsye: shqiptarët si komb kanë pasur gjithmonë prirje pro vendeve Perëndimore kjo edhe për shkak të pasojave që la sistemi i ideuar mbi baza të ‘politikave shoviniste-marksiste leniniste’ që deri në vitin 1990 e la Shqipërinë në vend të fundit për nga zhvillimi ekonomiko-socialo-kulturor”, shprehet Lita.

Sipas tij, dëbimi i dy diplomatëve rusë nga Tirana është një shenjë e fortë se Shqipëria nuk ka qenë jashtë orbitës influencuese malinje ruse edhe pse pala ruse hedh dyshime mbi këto vendime, por ajo çka është për t’u marrë në konsideratë është fakti se as Ministria e Jashtme Ruse dhe as Kremlini nuk deklaruan se dy diplomatët ishin pjesë e diplomacisë ose nuk mohuan akuzat ndaj tyre për sjellje jashtë kornizave të diplomatit. Nga analiza e ngjarjeve gjeopolitike të periudhës parazgjedhore vihet re se qarqet ruse dhe persona të afërt me politikën ekspansioniste ruse e shtojnë aktivitetin e tyre, sidomos në periudha parazgjedhore”, shprehet ai./ZERI