Taksa bllokon zgjedhjet

Pavarësisht përçarjeve të thella mes partnerëve të koalicionit qeverisës kryesisht për shkak të taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, rrëzimi i qeverisë “Haradinaj” dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare aktualisht duket si një “mision i pamundur” për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), shkruan sot gazeta "Zëri".
Ajo është edhe partnerja më e madhe e koalicionit qeverisës dhe po kërkon të pezullohet taksa ndaj mallrave serbe, duke u thirrur në rekomandimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA-së), por që një kërkesë e tillë po refuzohet nga kryeministri Haradinaj.
Shefin e Qeverisë në mbajtjen e taksës po e përkrahin edhe partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Partia Socialdemokrate (PSD), të cilat thonë se nuk e përkrahin asnjë iniciativë për rrëzimin e ekzekutivit për shkak të taksës.
LEXO EDHE: Amerikanët s’e bindin Haradinajn për heqjen e taksës
Edhe në partinë më të madhe opozitare në vend, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, thonë se duhet të ruhen raportet e mira me partnerët ndërkombëtarë, veçmas me Amerikën, duke u shprehur të gatshëm ta votojnë rrëzimin e Qeverisë, siç thonë, për shkak të keqqeverisjes dhe vendimeve të dëmshme për vendin, por jo për taksën e vënë ndaj mallrave serbe.
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë që në situatën e krijuar në vend zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pamundura, por mund të ndodhin vetëm nëse partia e madhe e koalicionit PDK-ja ka interes ta rrëzojë qeverinë “Haradinaj”. Mirëpo ata thonë që as PDK-së nuk i konvenon ta rrëzojë Qeverinë për shkak të taksës 100% ndaj produkteve serbe, pasi që në këtë formë do të humbiste elektoratin e saj.
Krasniqi: Taksa nuk mund të jetë arsye për rrëzim të Qeverisë
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar për “Zërin” se në asnjë formë taksa e vënë ndaj produkteve serbe dhe boshnjake nuk mund të jetë arsye për rrëzim të qeverisë “Haradinaj”.
“Asnjëherë çështja e taksës nuk mund të jetë shkas për rrëzimin e Qeverisë. Kjo temë as që mund të diskutohet. Ne jemi të gjithë unikë në qëndrimin tonë kundrejt Serbisë dhe politikës së tyre agresive ndaj Kosovës”, ka thënë ai.
Kurse shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, duke folur për taksën 100% ndaj produkteve serbe, ka thënë që kriza institucionale po shkon duke u thelluar, prandaj kreu i Qeverisë Ramush Haradinaj duhet të japë dorëheqje.
“Angazhimi kundërkushtetues i presidentit për ta shtyrë përpara ‘korrigjimin e kufijve’, si dhe mospajtimet brenda ‘koalicionit të punëve të mëdha’ PAN-it rreth taksës dhe dialogut me Serbinë kanë bërë që të thellohet kriza institucionale. Si rezultat raportet e Kosovës me partnerët janë në pikën më të ulët historikisht. Zbatimi i MSA-së ka ngecur. Njohje të reja nuk ka, ndërkaq po rrezikohen njohjet ekzistuese. Në veri të vendit nuk ka pushtet lokal që është ligjor dhe efektiv”, ka thënë Hoti teksa ka numëruar ngecjet e proceseve të rëndësishme në vend.
Duke i pasur parasysh gjitha këto Hoti vlerëson se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të domosdoshme.
“Kjo gjendje nuk duhet të vazhdojë më tutje. Përgjegjësinë për këtë degradim duhet ta marrë ai që po e quan veten shef të PAN-it, duke dhënë dorëheqje për të hapur mundësinë që qytetarët të thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira dhe t’i mandatojnë ata që duhet të udhëheqin Kosovën drejt integrimit euroatlantik”, ka thënë ndër të tjera Hoti.
Kusari-Lila: Haradinaj po përdor taksën për të qëndruar në pushtet
Kurse liderja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për “Zërin” që taksa 100% ndaj produkteve serbe po shfrytëzohet nga kryeministri Haradinaj për qëllime elektorale dhe për ruajtje të pushtetit. Sipas saj, është pikërisht kjo taksë ajo që po ia zgjat jetën Haradinajt, i cili përmes saj po tenton t’i mbulojë dështimet dhe keqqeverisjen.
“Taksa po shfrytëzohet maksimalisht për qëndrimin në pushtet, por edhe për populizëm folklorik, të cilin është duke e mbajtur kryeministri, që po deklarohet si njeri i fjalës e si patriot. Por ajo që është duke ndodhur realisht është që shumë procese të tjera kanë ndodhur dhe po mbeten në hije të kësaj çështjeje. Jeta e qytetarëve të Kosovës vazhdimisht po rrezikohet, sepse po shihet një keqpërdorim i parasë publike, shpenzim i pakontroll, asnjë llogaridhënie në raport të shpenzimeve dhe vendime politike të grupeve të interesit të lidhura me punësimet politike etj.”, ka thënë Kusari-Lila.
Prandaj, sipas saj, në situatën e krijuar në vend janë të pashmangshme zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Natyrisht që domosdoshmërisht duhet të ketë zgjedhje për shkak të rrethanave dhe keqqeverisjes së të gjithë partnerëve të këtij koalicioni, jo vetëm Haradinaj, por të gjithë partnerët e koalicionit kanë treguar jopërgjegjshmëri dhe mungesë të përkushtimit të ndërtimit dhe të konsolidimit të shtetit”, ka potencuar ajo.
PSD: Nuk e votojmë rrëzimin e Qeverisë për shkak të taksës
Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka thënë për “Zërin” se do të votojnë pro cilësdo arsye që rrëzohet Qeveria përpos për taksën e vënë ndaj produkteve serbe.
“Ne kemi qenë të gatshëm të votojmë për rrëzim të Qeverisë dhe i kemi dhënë nënshkrimet tona për këtë gjë, por kur të bëhet një mocion mosbesimi për Qeverinë përcaktohet arsyeja pse duhet që ajo qeveri të rrëzohet. Ne pranojmë çfarëdo arsye tjetër, si keqqeverisjen, moszhvillimin e vendit e kështu me radhë, por nuk do ta votojmë atë mocion i cili si arsye kryesore për rrëzim të Qeverisë e ka largimin e taksës 100%, sepse mendojmë që është njëri prej vendimeve më të drejta që ka marrë kjo Qeveri”, ka potencuar Pantina.
Sipas deputetes së PSD-së, partitë në pushtet kanë më shumë mundësi ta dërgojnë vendin në zgjedhje sesa opozita.
“Mundësitë për ta çuar vendin në zgjedhje i kanë më shumë partitë që janë në koalicion qeverisës sesa vetë opozita”, ka theksuar ajo.
Ndërkohë Pantina vlerëson se shkuarja në zgjedhje po diskutohet në medie, por jo edhe në organet e partive të vendit.
Tahiri: PDK-ja e vetme nuk mund ta rrëzojë Qeverinë
Ndërsa analisti politik Ramush Tahiri, duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ka thënë që partia e cila mund ta rrëzojë qeverinë “Haradinaj” është partia e koalicionit PDK-ja, mirëpo kjo e fundit nuk mund ta bëjë një gjë të tillë pasi nuk e ka përkrahjen e partive të tjera.
“Jeta qeverisë ‘Haradinaj’ po i zgjatet sepse kryeministri nuk po dëshiron të japë dorëheqje, por po thotë bëni 61 vota dhe dihet që partitë opozitare nuk i kanë. Kjo po ia zgjat jetën atij. As PDK-ja nuk e ka përkrahjen e partive tjera që të rrëzojë qeverinë ‘Haradinaj’, votat e saj nuk mjaftojnë. Ndërsa Vetëvendosja është deklaruar që nuk e rrëzon Qeverinë me PDK-në”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, ekzistojnë dy mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje: njëra është që Parlamenti i Kosovës të shpërndahet me 2/3 e votave ose kryeministri Haradinaj të japë dorëheqje në mënyrë vullnetare, mirëpo sipas tij asnjëra nga dy opsionet nuk mund të ndodhë në situatën aktuale./zeri