Ismaili: S’ka më çmime të larta që dallojnë nga barnatorja në barnatore

Aktuale February 21, 2019 - 21:49
Lajmet e fundit nga vendi!

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se së shpejti do të rregullohen çmimet nëpër barnatore, dhe të bëhen njësoj në të gjitha pikat, transmeton Gazeta Metro.

Ministri Ismaili ka bërë të ditur se një gjë e tillë do të realziohet përmes finalizimit të Udhëzimit Administrativ, përmes së cilit qytetarët, kudo që të jetojnë, do ta blejnë ilaçin me çmim të njëjtë nëpër të gjithë Kosovën.

“Përmes iniciativës për finalizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave, qytetarët tanë, kudo që jetojnë, në fshat ose në qytet, do të mundë ta blejnë ilaçin e tyre me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën”, ka shkruar Ismaili.

Ai ka përfunduar se një gjë e tillë po ndodhë në mbrojtje të qytetarëve nga shpenzimet.

Postimi i plotë i Ismailit:

Që nga fillimi i mandatit kam marrë shumë ankesa të qytetarëve se çmimet e barnave, të cilat ata po i blejnë, dallojnë nga barnatorja në barnatore, duke i vënë ata para detyrimit që të bëjnë shpenzime të larta. Por, edhe kësaj padrejtësie që ka dëmtuar xhepin e qytetarëve për rreth dy dekada, po i japim fund. Përmes iniciativës për finalizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave, qytetarët tanë, kudo që jetojnë, në fshat ose në qytet, do të mundë ta blejnë ilaçin e tyre me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën. Gjithë këtë po e bëjmë që t’i mbrojmë qytetarët tanë nga shpenzimet dhe t’i ndihmojmë farmacistët që të orientohen vetëm në ofrimin e shërbimit profesional farmaceutik.