11 vjet shtet, ende me struktura paralele të Serbisë

Aktuale February 16, 2019 - 07:59
Lexo tjera detaje
Image

Strukturat paralele të Serbisë vazhdojnë të jenë funksionale edhe në Përvjetorin e 11-të të Pavarësisë së Kosovës. Dialogu i Brukselit nuk i ka shuar këto struktura joligjore, shkruan Gazeta "Zëri".

Ndonëse janë bërë 11 vjet prejse Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran, strukturat paralele serbe në veri ende po vazhdojnë të jenë funksionale.

Një gjë të tillë e ka pohuar për “Zërin” edhe ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë - Serbi, Edita Tahiri, e cila ka thënë se në veri të vendit ende ka struktura paralele në fushën e arsimit e të shëndetësisë, shkruan Gazeta "Zëri".

Megjithëkëtë, sipas saj, procesi i negociatave ka kontribuar dukshëm në shuarjen e strukturave që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë. Edhe zyrtarë të Misionit të OSBE-së në Kosovë kanë deklaruar për “Zërin” se negociatat Kosovë - Serbi kanë ndihmuar në integrimin e strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës.

Por, përfaqësues të opozitës vlerësojnë se procesi i dialogut nuk ka ndihmuar aspak në eliminimin e institucioneve paralele serbe. Shuarja e strukturave sipas ish-ministres për Dialog, Edita Tahiri, është paraparë të ndodhë me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Megjithëkëtë, institucionet paralele serbe në veri ende po vazhdojnë të funksionojnë pa ndonjë pengesë.

Struktura paralele, në arsim dhe në shëndetësi

Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë - Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se procesi i bisedimeve ia ka dalë t’i shuajë shumicën e strukturave paralele në veri të vendit.

“Në kuadër të dialogut të Brukselit 2011-2017, të udhëhequr nga unë, ne kemi arritur t’i shuajmë strukturat paralele serbe në fushën e drejtësisë, pra të gjykatave dhe të prokurorive paralele në veri, pastaj është shuar Policia Paralele Serbe, është shuar Struktura e ashtuquajtur Paramilitare e Mbrojtjes Civile, janë shuar doganat paralele që kanë vepruar”, ka deklaruar ajo.

Po ashtu, sipas saj, marrja nën kontroll e pikëkalimeve kufitare me Serbinë ka qenë njëra prej arritjeve të procesit që ajo ka udhëhequr.

“Më e rëndësishmja, është vendosur kufiri mes Kosovës e Serbisë në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat para dialogut jo vetëm që nuk kanë pasur kontroll, por edhe kanë qenë të djegura. Serbia ka bërë djegie si reagim ndaj Pavarësisë së Kosovës. Prandaj unë them që dialogu i Brukselit ka arritur që ta mundësojë integrimin e veriut në sistemin e Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri të vendit, në fushat kryesore”, ka theksuar Tahiri.

Pavarësisht kësaj, Tahiri ka pohuar se strukturat paralele ende nuk janë eliminuar në tërësi.

“Ka struktura të mbetura paralele, këto janë struktura në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, si dhe aty këtu mund të jenë struktura paralele në zyrat e ndryshme që Serbia ka preferuar t’i ketë, pra Zyra për Çështje Pronësore e të tjera”, ka shtuar ajo. 

Por sipas saj shuarja e këtyre strukturave është paraparë të ndodhë me hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ka qenë e paraparë që duke hartuar statutin për Asociacionin, i cili është pa kompetenca ekzekutive, një grup trepalësh do të punojë në Bruksel për t’i shuar strukturat e mbetura paralele në arsim dhe në shëndetësi”, është shprehur ajo. 

Efektet negative të strukturave paralele 
 

Strukturat paralele serbe sipas ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë efekte negative. Në pjesën veriore, sipas tij, nuk mund të thuhet se ka siguri për qytetarët.

“E para, atje mungojnë institucionet e fuqishme, pastaj ato veprojnë me kapacitete të zvogëluara. Në anën tjetër kemi shumë krim të organizuar dhe frikësim të popullatës, mungesë të lirive në shumë aspekte, pastaj zhvatje të bizneseve. Pra efektet janë shumë negative edhe për vetë popullatën në atë pjesë, por edhe për vetë fuqizimin e shtetit të Kosovës”, është shprehur ai për “Zërin”.

Madje, sipas ish-ministrit, në pjesën veriore të Kosovës mungon edhe siguria e liria e shprehjes.

“Fuqizimi i strukturave kriminale nënkupton se atje mungon siguria, liria e të shprehurit dhe liria e organizimit. Atje pikërisht strukturat që i ka instaluar Beogradi dhe me struktura kriminale e ka bërë kontrollin në veri dhe ka elemente të mungesës së sigurisë”, ka nënvizuar Ferati. 

Edhe Edita Tahiri ka vlerësuar se strukturat në fjalë në vazhdimësi i kanë sjellë efekte negative shtetit të Kosovës.

“Strukturat paralele kanë krijuar efekte që nga paslufta. Serbia ka arritur ta shtrijë njëfarë influence dhe kontrolli në komunat veriore, por edhe në disa enklava serbe”, ka thënë ajo. 

OSBE: Dialogu ka çuar drejt integrimit të strukturave paralele

Të pyetur rreth strukturave paralele, nga Misioni i OSBE-së në Kosovë kanë thënë se OSBE-ja punon me institucionet e Kosovës dhe me përfaqësuesit e komuniteteve e nuk mban një pasqyrë të gjendjes jashtë fushëveprimit të saj. Në një përgjigje dhënë “Zërit” nga zyra për informim e OSBE-së kanë thënë se procesi i negociatave Kosovë - Serbi ka kontribuar rreth integrimit të strukturave paralele në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Ne kemi theksuar se procesi i dialogut për normalizim të marrëdhënieve në Bruksel ka çuar deri te një nivel i konsiderueshëm i integrimit të strukturave ekzistuese në kornizën institucionale të Kosovës dhe e kemi mbështetur këtë proces në forma të ndryshme. Ne vazhdojmë të besojmë fuqishëm në efektin pozitiv të këtij dialogu dhe presim progres të mëtutjeshëm me rifillimin e dialogut”, potencohet në përgjigje.

Por ish-ministri Ferati ka konsideruar se pavarësisht bisedimeve që janë zhvilluar në kuadër të dialogut Serbia ka arritur që ta ruajë ndikimin e saj në veri të Kosovës.

“Sot për sot atje në veri janë dy struktura të instaluara nga Beogradi dhe këto që janë të instaluara me ligje të Republikës së Kosovës. Por në të dyja rastet Beogradi ushtron një kontroll, një autoritet mbi institucionet në veri”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Së këndejmi shuarja e strukturave në tërësi sipas tij do të shkojë në mënyrë tejet të ngadalshme. 

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, i cili njëherësh është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka konsideruar se moseliminimi i strukturave serbe do të thotë moslargim i Serbisë nga Republika e Kosovës.

“Strukturat paralele, që janë struktura të sigurisë dhe struktura politike, në fakt janë prezenca e Serbisë në Kosovë. Moslargimi i strukturave të quajtura paralele nënkupton moslargimin e Serbisë nga Kosova, moslargimin e prezencës së Serbisë nga Kosova. Ato struktura të quajtura paralele nuk janë struktura të krijuara nga qytetarët serbë të Kosovës, por nga shteti i Serbisë. Prandaj prezenca e tyre në Kosovë nënkupton prezencën e Serbisë në Kosovë”, ka theksuar ai.

Kjo prezencë e Serbisë në Kosovë sipas tij do të duhej nga ana e institucioneve të Kosovës të largohej sa më shpejt që është e mundur. Madje, siç deputeti i LVV-së është shprehur, një gjë e tillë ka qenë e mundur të ndodhë qysh herët po që se do të zbatohej ligji e Kushtetuta. /ZERI