PDK-ja pro rrëzimit të Haradinajt, por s’gjen partner koalicioni

Aktuale February 15, 2019 - 07:52
Lexo Detajet
Image

Partia Demokratike e Kosovës, e nxitur nga presidenti Hashim Thaçi, sipas analistëve politikë, është e interesuar ta gjejë një partner të ri për bashkëqeverisje pa shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme, por partitë e opozitës në kohën kur Qeveria e ka kaluar gati gjysmën e mandatit nuk janë të interesuara të bashkëqeverisin me partnerin e madh të koalicionit qeverisës, shkruan gazeta "Zëri".

Eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës, partnerit të madh në koalicionin qeverisës, kanë nisur të flasin për mundësinë e prishjes së koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, partinë e kryeministrit Ramush Haradinajt, duke u arsyetuar në acarimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të taksës, por si duket e kanë të vështirë të gjejnë partner të ri për bashkëqeverisje.

Ka qenë zëvendësministri i Inovacionit, Bujar Cakolli, dikaster ky qeveritar që e drejton PDK-ja, i cili ditë më parë ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” se nëse miqësia dhe përkrahja e SHBA-së vihen në pikëpyetje më s’ka kuptim as koalicioni, as Qeveria, as pushteti e as taksa.

LEXO EDHE: “Vijat e kuqe” të Platformës

“PDK-ja duhet të rishqyrtojë shumë seriozisht pozicionin e saj në raport me zhvillimet e fundit politike”, ka shkruar mes tjerash zëvendësministri Cakolli.

Edhe deputeti i kësaj partie Hajdar Beqa, ka thënë për “Zërin” se nuk i kanë në agjendë zgjedhjet e parakohshme, por nëse në të ardhmen nuk ka harmonizim të qëndrimeve mes partnerëve në koalicionin qeverisës nuk përjashtohet mundësia e zgjedhjeve.

PDK-ja, e nxitur nga presidenti Hashim Thaçi, sipas analistëve politikë, është e interesuar ta gjejë një partner të ri për bashkëqeverisje pa shkuar vendi në zgjedhje, në mënyrë që të mos humbet kohë me proces zgjedhor, por partitë e opozitës në kohën kur Qeveria e ka kaluar gati gjysmën e mandatit nuk janë të interesuara të bashkëqeverisin me partnerin e madh të koalicionit qeverisës.

Haradinaj: Mocioni nga opozita, e vetmja mundësi për zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga posti që mban, teksa ka ripërsëritur qëndrimin e tij se taksa prej 100 për qind e vënë ndaj mallrave nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina nuk do të hiqet derisa këto dy vende ta njohin Kosovën shtet të pavarur e sovran. “Unë nuk po dua të jap dorëheqje. A e dini pse? Se mendoj se kam të drejtë në vendimet dhe në qëndrimet, të cilat i kam marrë për këtë vend”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për medie.
I pari i ekzekutivit është shprehur i hapur për çfarëdo zgjidhje e cila do të ishte në dobi të vendit, madje edhe për qeveri gjithëpërfshirëse, por ka hedhur poshtë mundësinë e dorëheqjes. “Shkuarja në zgjedhje, që e kërkon opozita, është legjitime... Shkuarjes në zgjedhje duhet t'i prijë një mocion. S'ke si shkon në zgjedhje ndryshe”, është shprehur ai.

PDK-ja nuk i përjashton zgjedhjet, por ata vetë nuk e rrëzojnë Qeverinë

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, duke folur për situatën e krijuar në vend ka thënë për “Zërin” se partia e tij nuk i ka në agjendë zgjedhjet e jashtëzakonshme, mirëpo nëse në të ardhmen ka përsëri mosharmonizim të qëndrimeve mes koalicionit qeverisës nuk përjashtohet asnjë mundësi e tillë.  “Ne nuk e kemi në agjendë rrëzimin e Qeverisë, por kemi kryerjen e detyrave tona që i kemi marrë në mandat prej qytetarëve e të cilat janë në interes të tyre. Normalisht që nuk përjashtohet asnjë mundësi nëse ka mosharmonizim të qëndrimeve në të ardhmen, por nuk kemi biseduar për këtë dhe nuk do të ketë një rrëzim të Qeverisë nga PDK-ja në atë kuptim”, ka thënë Beqa.
Ndërsa duke folur për qëndrimet e koalicionit qeverisës në lidhje me taksën, Beqa ka theksuar se interesat partiake janë duke e bllokuar dialogun me Serbinë. “Kryeministri Haradinaj është bllokuar në qëndrimin e vet, mendoj që në politikë nuk ka asgjë absolute dhe duhet që ai të reflektojë në interes të vendit. Kryeministri Haradinaj vlerëson që interes i vendit është për të mbetur taksa, kurse PDK-ja vlerëson që në interes të vendit është për t’u zhbllokuar dialogu, por jo për Serbinë, por për Kosovën dhe me këtë rast të ruhet edhe miqësia me SHBA-në. Unë mendoj që për interesa të një subjekti politik nuk duhet të bllokohet interesi i Kosovës”, ka thënë ndër të tjera ai.

Hoti: Partitë në pushtet ta kërkojnë dorëheqjen e Haradinajt

Kurse Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë për “Zërin” që në situatën në të cilën ndodhet vendi partitë në pushtet do të duhej vetë ta kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Koalicioni PAN në asgjë nuk është unik, përveç për të qëndruar në pushtet me çdo kusht. Është hera e parë në historinë 30-vjeçare të përpjekjeve tona për shtet të pavarur që cenohen marrëdhëniet miqësore me SHBA-në. Është hera e parë në historinë tonë si shtet që kryeministrit i vendosen ndalesa për udhëtim në SHBA. Mendoj se vetë partia e tij do të duhej të kërkonte dorëheqjen e Haradinajt”, ka thënë Hoti.
Ai vlerëson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse nuk është bërë asnjë hap para me qeverisjen aktuale. “Derisa në qeverinë e kaluar janë bërë disa hapa përpara sado modestë në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, duke nënshkruar MSA-në, pastaj anëtarësimin në organizata të ndryshme, promovimin e zhvillimit ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe arritje të tjera, me këtë koalicion Kosova ka bërë hapa shumë mbrapa”, ka thënë tutje ai.

LVV: Nuk bashkëpunojmë me PDK-në e as me Listën Serbe

Në anën tjetër deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, për “Zërin” ka thënë që në asnjë formë partia e tij nuk do të bashkëpunojë me PDK-në ose me Listën Serbe, qoftë kjo edhe për rrëzim të Qeverisë. “Ne e kemi qëndrimin e qartë, mendojmë që kjo Qeveri ka bërë shumë lëshime gjatë kohës sa po qeveris dhe do të ishte në interes të vendit që ajo të ndërrohet. Ne nuk i pranojmë as votat e PDK-së, as të Listës Serbe, por nëse deputetët votojnë është e drejtë e tyre sovrane, askush nuk mund t’ia mohojë atë. Mirëpo ne nuk bëjmë marrëveshje me PDK-në e as me Listën Serbe, sepse me asnjërën nuk do të hynim në koalicion edhe nëse do të kishte zgjedhje”, ka theksuar ai.
Duke folur për qëndrimet e kundërta të liderëve shtetërorë në raport me taksën 100% ndaj produkteve serbe, Kurteshi ka thënë që Vetëvendosja e përkrah taksën që Qeveria ia ka vënë produkteve serbe.

Mushkolaj: Partitë s’kanë interes për zgjedhje


Njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj për “Zërin” ka thënë që nëse presidenti Hashim Thaçi do ta kishte përnjëmend heqjen e taksës, atëherë ai këtë do ta arrinte përmes ish-partisë së tij (PDK-së). “PDK-ja është në një situatë kur në njërën anë po kërkon që kryeministri ta heqë taksës, kurse në anën tjetër nuk po ndërmerr masa ta heqë kryeministrin. Thaçi le t’i drejtohet PDK-së, një parti në të cilën ai ka një ndikim shumë të madh që të mos themi se joformalisht edhe e udhëheq atë, e kjo parti e ka pjesën më të madhe të hises në koalicionin qeveritar. Kështu që është shumë e natyrshme nëse përnjëmend presidenti dëshiron që taksa të hiqet t’i drejtohet PDK-së, por ai nuk po e bën këtë”, ka thënë ai.
Ndërkohë pavarësisht se PDK-ja mund ta rrëzojë qeverinë “Haradinaj” Mushkolaj vlerëson që asnjërës parti aktualisht nuk i konvenojnë zgjedhjet, sepse mbajtja e zgjedhjeve në këtë situatë do t’i dëmtonte ato politikisht. “Nuk po shoh që dikush është i interesuar për zgjedhje, pasi edhe nëse shkohet në zgjedhje pa u hequr taksa, taksa mbetet. Askush në këtë moment nuk do ta marrë përgjegjësinë që të shkojë në zgjedhje, sepse do të dëmtohej shumë politikisht. Nëse Qeveria do të rrëzohej vetëm sepse kryeministri nuk ka dashur ta heqë taksën kjo në fakt nuk i sjell vota partive politike, por përkundrazi i dëmton shumë ato. Prandaj për këtë shkak nuk besoj që në këtë fazë ka mundësi për zgjedhje”, ka thënë ai.
Në anën tjetër sipas Mushkolajt, kryeministri Haradinaj taksën po e përdor si kartë për ta ndaluar idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve. “Taksën kryeministri po e sheh si një kartë për ta penguar Thaçin rreth idesë së tij për korrigjim të kufijve, ndërkohë Thaçi po duket se e ka shumë personale që taksa të hiqet dhe të vazhdojë dialogu e eventualisht të realizohet ideja e tij për korrigjim të kufijve. Besoj që Thaçi do të vazhdojë të bëhet edhe më i ashpër në kërkesat e tij dhe në qasjen e tij kundër kryeministrit Haradinajt, por nuk do të duhej ta bëjë një gjë të tillë sepse taksa është vënë nga Qeveria e jo nga kryeministri Haradinaj”, ka thënë ai./Zeri/