Dyfishimi i pagave s’i kënaq kirurgët

Aktuale February 05, 2019 - 08:04
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Rritja 100 për qind e pagës me ligjin e ri nuk i ka bindur kirurgët e QKUK-së që ta ndërpresin grevën e filluar rreth shtatë javë më parë. Nga vazhdimi i grevës  vlerësohet se më së shumti po e pësojnë pacientët, pasi gjatë kësaj kohe janë anuluar mijëra operacione, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Një pjesë e personelit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po vazhdon të qëndrojë në grevë edhe pas miratimit të Ligjit për Paga, i cili parasheh rritje të pagave deri në 100 për qind për ta.

LEXO EDHE: PDK-ja mund ta rrëzojë Qeverinë, jo Lista Serbe

Kirurgët të cilët tashmë kanë anuluar me mijëra operacione prejse kanë hyrë në grevë kanë bërë të ditur se edhe më tej do të vazhdojnë të përdorin grevën derisa të plotësohet kërkesa e tyre për rritje të koeficienteve.

Sipas Ligjit të ri për Pagat, mjekët specialistë do të paguhen rreth 1200 euro në muaj, nga afro 600 sa ishte deri më tani. Por ata thonë se do ta vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre, rrjedhimisht ngritja e koeficientit nga 5 në 10.

Përfaqësuesi i Kolegjiumit të Kirurgëve, Arbër Morina, ka thënë për “Zërin” se greva po vazhdon me intensitetin e njëjtë dhe se kërkesa e tyre nuk do të ndryshojë.

Morina ka konsideruar se Ligji për Paga ka qenë i padrejtë për kirurgët.

“Greva vazhdon me të njëjtin intensitet dhe me të njëjtën kërkesë të pandryshueshme. Në mbledhjen e kolegjiumeve të kirurgëve është diskutuar situata e re e krijuar dhe përfundimisht kemi marrë vendim që greva duhet të vazhdojë me të njëjtën kërkesë për faktin që në vendimet që janë marrë në Parlament është shkelur Ligji i Pagës dhe ne kemi konstatuar që padrejtësisht jemi të shkelur dhe vazhdojmë me grevën. Të gjithë ata që janë në grevë do të vazhdojnë me grevën”, ka thënë ai.

Së bashku me kirurgët grevën po e vazhdon edhe stafi mjekësor në Klinikën e Syve në QKUK.

Florim Zejnullahu, drejtor i Klinikës së Syve, ka thënë për “Zërin” se qe gati shtatë javë ata kanë anuluar operacionet.

“Shumica e Kolegjiumit janë në grevë. Kontrollet po kryhen, por operacionet nuk janë kryer qe 7 javë ndoshta. Diku 16 operacione ditore anulohen”, ka bërë të ditur ai.

FSSHK: Mjekët morën vendin e merituar

Për dallim nga një pjesë e personelit mjekësor të cilët janë shprehur të pakënaqur me miratimin e Ligjit për Paga, Kryesia e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) e ka përshëndetur miratimin e këtij ligji.

Në një njoftim për medie nga kjo federatë është thënë se personeli mjekësor ka marrë vendin e merituar.

“FSSHK-ja ndihet krenare që me propozimin dhe me punën e saj të palodhshme njëvjeçare më në fund ky ligj u jetësua në Parlament. Falënderojmë të gjithë aktorët që kanë dhënë kontribut në këtë ligj. Punëtorët shëndetësorë pavarësisht disa padrejtësive (sidomos niveli bachelor) brenda koeficienteve më në fund janë ranguar në vendin e merituar. FSSHK-ja mbetet që këto parregullsi t’i rregullojë në suaza të akteve nënligjore”, thuhej në njoftim.

Baftiu: Nga greva e personelit mjekësor janë duke pësuar pacientët

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, ka thënë për “Zërin” se nga greva e personelit mjekësor janë duke pësuar pacientët, andaj edhe kjo grevë duhet të ndalet.

Ajo ka treguar se anëtarët e Komisionit për Shëndetësi kanë diskutuar me kirurgët në lidhje me kërkesat e tyre, por që, siç ka thënë ajo, amendamentet të cilat i ka hartuar më pastaj Komisioni nuk janë votuar nga deputetët.

“Ne si komision i kemi takuar mjekët. Fillimisht ka qenë greva e organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, por e kemi takuar edhe Këshillin Grevist të Kirurgëve. Ata janë në grevë tashmë në muajin e dytë dhe kemi diskutuar, i kemi marrë kërkesat e tyre sa i përket Ligjit të Pagave dhe koeficienteve dhe ne si Komision e kemi hartuar një amendament, i cili nuk ka kaluar në Komisionin e Administratës Publike. Unë e kam paraqitur amendamentin në seancë, mirëpo nuk i ka marrë votat e deputetëve”, ka thënë ajo.

Baftiu ka thënë më tej se as anëtarët e Komisionit për Shëndetësi e as anëtarët e partisë së cilës ajo i takon nuk janë të kënaqur me koeficientet e stafit mjekësor.

“Ne si komision dhe si Parti Socialdemokrate nuk kemi qenë të kënaqur me këtë koeficient, mirëpo më mirë është të kemi një Ligj të Pagave, sepse nuk kemi pasur Ligj të Pagave tani qe 20 vjet”, ka shtuar ajo.