A do të flitet për Kosovën nesër në seancën e KS të OKB'së

Aktuale February 03, 2019 - 23:48
Lexo Detajet

Ishte planifikuar që nesër të mbahej seanca e radhës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku do të raportohej për Kosovën.

Ishte planifikuar që seanca e parë për këtë vit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara të mbahej më 4 shkurt, pra nesër, transmeton lajmi.net.

Mirëpo, siç raportojnë mediat serbe, ende nuk ka asnjë agjendë apo njoftim zyrtar për këtë seancë.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ende nuk ka arritur të miratojë agjendën e shkurtit me konsensus, dhe aktualisht ka një “luftë” të fortë midis anëtarëve nëse do të vazhdojë praktika e themeluar e debateve tre-mujore mbi raportet e Sekretarit të Përgjithshëm mbi misionin e UNMIK-ut në Kosovë .

Faqja zyrtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për këtë muaj nuk ka ndonjë agjendë për Kosovën, por është vetëm një njoftim ku thuhet se nesër, më 4 shkurt, do të ketë një takim ku do të diskutohen kërcënimet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, transmeton më tutje lajmi.net.

Kujtojmë se kanë qenë shtetet e mëdha të cilat kanë kërkuar që seancat për raportimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të mos mbahen çdo tre muaj, për shkak se siç u shprehën përfaqësuesit e SHBA-së, Anglisë e disa shteteve të tjera, një raportim i tillë çdo tre muaj është i panevojshëm.

Në anën tjetër, Serbia ka kundërshtuar këtë kërkesë të këtyre shteteve, duke insistuar që raportimi për Kosovën në KS të OKB-së të bëhet çdo tre muaj dhe jo çdo gjashtë muaj siç kanë kërkuar vendet më të fuqishme.