Sylejman Selimi emërohet këshilltar i kryeministrit Haradinaj

Aktuale February 01, 2019 - 22:36
Lexo Detajet

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi ditë më parë është liruar nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin për disa muaj. Por, tash Selimi ka vendosur që të mos e çojë kohën kot. Ai tashmë do të punojë krahë për krahë me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Zyrës së kryeministrit të Kosovës, i është shtuar edhe një këshilltar politik. Këshilla për shefin e qeverisë tash e tutje do të jap ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.

Lajmin se Selimi do të behët pjesë e qeverisë e ka konfirmuar Avni Arifi, shef i kabinetit të Haradinajt.

Ai ka thënë se Selimi sot ka pasur takim me kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Sylejman Selimi do të bëhet këshilltar politik i kryeministrit Haradinaj. Ata dy edhe gjatë ditës së sotme kanë pasur një takim”, ka thënë Arifi.

Ish-Komandanti i Përgjithshëm i UÇK'së pas luftës për një kohë ishte edhe Komandat i Përgjithshëm i TMK'së, e më pas edhe FSK'së, Ambasador i Kosovës në Tiranë.