BE: Hiqeni taksën, angazhohuni në dialog!

Aktuale January 28, 2019 - 07:51
Lexo detajet
Image

Bashkimi Evropian tash e dy muaj është duke bërë presion ndaj qeverisë “Haradinaj” për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe, në mënyrë që të vazhdojë dialogu me Serbinë. Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka thënë se Brukseli pret të hiqet taksa dhe të dyja vendet të angazhohen për vazhdimin e dialogut, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për më shumë se dy muaj, prejse Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, Bashkimi Evropian (BE) nuk po ndalet së ushtruari presion ndaj Kosovës për heqjen e kësaj tarife. Por të njëjtën gjë BE-ja nuk po e praktikon edhe me Serbinë, e cila nuk po rresht së bëri luftë diplomatike ndaj shtetit të Kosovës.

LEXO EDHE: Në muajin shkurt vazhdojnë intervisimet e të ftuarve tjerë nga Gjykata Speciale

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë për “Zërin” se qëndrimi i BE-së sa i takon taksës mbetet po ai që ka qenë, kundër masës së vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Sipas saj, BE-ja pret që Serbia e Kosova të angazhohen në procesin e dialogut, në mënyrë që të shkohet drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Mirëpo Kocijançiq nuk është përgjigjur rreth pyetjes së parashtruar nga gazeta, nëse po bëhet presion edhe ndaj shtetit serb, kur kihet parasysh fakti që Serbia aktualisht është në ofensivë për tërheqje të njohjeve ndaj Kosovës dhe për pengim të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ndërkohë procesi i bisedimeve me Serbinë po vazhdon të jetë i pezulluar, pasi Serbia tashmë ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në dialog deri në heqjen e tarifës. Por Qeveria e Kosovës, as pas presionit të ardhur nga ndërkombëtarët, nuk po zmbrapset nga vendimi i marrë më 21 nëntor 2018 për vendosjen e taksës në fjalë.

Kocijançiq: BE-ja pret që Serbia e Kosova të angazhohen në dialog

Teksa ka thënë se pozicioni i Bashkimit Evropian mbi tarifën e vendosur ndaj produkteve serbe është bërë më se i qartë në mënyrë të vazhdueshme, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka deklaruar për “Zërin” se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë kërkon një klimë, e cila çon drejt raporteve të mira në mes të dyja vendeve.

“Arritja e një marrëveshjeje ligjore gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës kërkon një klimë, që kontribuon në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ku marrëveshjet e kaluara respektohen dhe zbatohen plotësisht”, ka thënë Kocijançiq.

Po ashtu për të ardhur deri te një marrëveshje e tillë, sipas saj, duhet të shmangen edhe deklaratat e veprimet, të cilat nuk janë në përputhje me interesat e përgjithshme dhe objektivat strategjike të rajonit.

“BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të shfaqin angazhimin e shpejtë të tyre ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis tyre dhe perspektivave konkrete për aspiratat e tyre në BE”, ka potencuar ajo.

Ndërkaq teksa ka folur për Serbinë, Kocijançiq ka thënë se si një shtet kandidat për anëtarësim në BE, Serbia duhet të angazhohet për normalizim të plotë, për pajtim, për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal. Por nuk ka treguar nëse ka pasur presion e kritika edhe ndaj Serbisë për veprimet e ndërmarra kundër Kosovës, siç ka pasur presion dy muajt e fundit ndaj Kosovës për ta hequr tarifën 100 për qind.

Thaçi: Institucionet do të ndërmarrin veprime për forcim të partneritetit me ndërkombëtarët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në ditët dhe në javët në vazhdim institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime e vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët tanë ndërkombëtarë.

“Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, të avancimit dhe të arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore. Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, në NATO dhe në OKB. Këto synime janë të arritshme për aq kohë sa jemi të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile, flasim fuqishëm njëzëri dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së”, ka shkruar Thaçi.

Në anën tjetër Avni Arifi, shef i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, njëherësh anëtar i delegacionit për dialogun, ka thënë se bisedimet me Serbinë nuk do të zhvillohen siç janë zhvilluar deri më tani, pasi dialogu i deritanishëm ka qenë vetëm në shërbim të Serbisë, por jo edhe të Kosovës.

“Një dialog çfarë ka pasur Kosova nuk duhet ta ketë më kurrë. Dialogu në nëntë vjetët e fundit ishte dialog në shërbim të interesave të Serbisë”, ka deklaruar ai.

Ndaj Qeveria aktuale e Kosovës dhe delegacioni shtetëror sipas Arifit nuk do të jenë më në funksion të një dialogu të tillë.

Kurteshi: BE-ja nuk po i trajton njësoj Kosovën e Serbinë

Duke folur rreth presionit të BE-së për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka konsideruar se Bashkimi Evropian është duke u treguar i pabarabartë dhe me anim kah Serbia.

“BE-ja nuk po i trajton njësoj dy vendet, nuk është i paanshëm dhe si i tillë po e humb edhe përkrahjen, edhe besueshmërinë te qytetarët e Kosovës. Sado që Kosova është e vogël dhe BE-ja është një fuqi e madhe është me rëndësi që ta ruajë raportin korrekt me qytetarët e Kosovës dhe besimin e tyre”, ka deklaruar ai.

Nëse BE-ja është dashur të reagojë ndaj njërës palë, sipas Kurteshit, atëherë është dashur me dhjetëra herë të reagojë ndaj veprimeve që shteti serb ka ndërmarrë kundër Republikës së Kosovës.

“Por aty BE-ja e ka bërë veshin e shurdhër dhe sikur nuk po i sheh shkeljet e mëdha, ndërkohë po ndërhyn vetëm atje ku Kosova si shtet i pavarur e ka marrë një vendim sovran, që nuk është i interesuar t’i hyjnë në vend prodhimet serbe”, ka shtuar ai.

Gjersa është deklaruar rreth kushtëzimit të Serbisë, e cila ka thënë se nuk do ta vazhdojë dialogun nëse nuk shfuqizohet tarifa, deputeti i LVV-së ka thënë se Kosovës nuk duhet t’i ngutet që ta vazhdojë këtë proces.

“Nëse nuk vazhdojnë bisedimet më shumë i pengon Serbinë sesa neve, pasi ne nuk jemi duke pritur që nesër të bëhemi pjesë e BE-së, kurse Serbia është shumë afër që t’i kalojë të gjitha pengesat për t’u bërë pjesë e BE-së”, ka theksuar ai.

Edhe njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka vlerësuar se BE-ja çdoherë ka pasur një qasje të pabarabartë mes dy palëve që i ka ndërmjetësuar, respektivisht mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Serbinë e ka favorizuar vazhdimisht, e ka përkëdhelur vazhdimisht, i ka bërë koncesione, i ka dhënë mundësi që të integrohet, duke ia dhënë kandidaturën për anëtarësim. Ndërkaq Kosova as nga dialogu dhe as nga të ashtuquajturat integrime evropiane nuk ka përfituar asgjë”, ka theksuar ai.

Rrjedhimisht, sipas Baraliut qasja e Bashkimit Evropian duhet të ndryshojë sa më parë, në mënyrë që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë, ashtu siç trajtohet Serbia./ZERI