Negociatorët, pa negociata

Aktuale January 24, 2019 - 07:53
Lexo tjera detaje
Image

 

Ekipi Negociator Qeveritar i formuar para më shumë se një muaji asnjëherë nuk ka arritur të takohet deri më tani me palën serbe në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Pengesë për një takim të tillë vlerësohet taksa prej 100 për qind, shkruan Gazeta "Zëri".

Pavarësisht presionit nga bashkësia ndërkombëtare që taksa ndaj produkteve serbe të hiqet sa më parë, Qeveria e Kosovës po vazhdon të deklarojë se tarifa në fjalë do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ndonëse pala serbe tashmë ka bërë të ditur se nuk do ta vazhdojë dialogun pa u shfuqizuar taksa ndaj produkteve serbe, Ekipi Negociator, i cili është propozuar nga Qeveria, ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës platformën për negociatat me Serbinë. Por njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Delegacioni Shtetëror mbetet krejtësisht i kotë në qoftë se njohja e Kosovës nga Serbia kushtëzohet të ndodhë me heqjen e taksës. Kjo pasi sipas tyre një gjë e tillë, që Serbia ta njohë Kosovën, mund të arrihet vetëm nëpërmjet dialogut. Në të kundërtën, siç ata konsiderojnë, zhvillimi i negociatave me Serbinë do të ishte krejtësisht i panevojshëm. Rrjedhimisht, vlerësohet se propozimi i Ekipit Negociator nga Qeveria dhe vendimi për mosheqjen e taksës deri në njohje janë dy veprime paradoksale të ekzekutivit.     

Dialogu i bllokuar, platforma drejt Kuvendit

Bashkëkryesuesi i delegacionit për negociatat me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se platforma për dialogun do të shkojë në Kuvend në fillim të sesionit pranveror. “Besoj se gjatë javës në vijim do ta dorëzojmë platformën në Kuvend. Platforma do të dërgohet posa të fillojë sesioni pranveror”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai më tej ka thënë se synimi i procesit të negociatave është që të arrihet njohje e ndërsjellë mes dy shteteve. Ndërkohë, teksa është deklaruar rreth taksës, Ahmeti ka theksuar edhe një herë se tarifa ndaj produkteve serbe nuk do të largohet momentalisht.

Se taksa nuk do të hiqet ka ripërsëritur edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se masa e vendosur ndaj Serbisë do të mbetet në fuqi derisa nuk pushojnë arsyet që e kanë detyruar Kosovën që ta marrë këtë vendim.

Kërkohet zhbërja e Ekipit Negociator

Teksa është deklaruar rreth zhvillimeve të fundit rreth taksës, ish-ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari-Lila, e cila njëherësh është deputete e Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar se vendosja e tarifës me kushtin e vetëm, për njohjen e Kosovës nga Serbia e jo me ndonjë kusht tjetër, e paralizon tërësisht procesin e dialogut me Serbinë. Në këtë kuptim, sipas saj, Kosova nuk ka nevojë fare që të ketë Ekip Negociator për Dialogun. “Për arsye se përmes procesit të dialogut vjen njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, andaj nëse kryeministri e ka seriozisht, siç po deklaron, atëherë lirisht le ta dërgojë në Kuvend edhe zhbërjen e Ekipit, edhe të procesit negociator, për arsye se ka mekanizmin e taksës, i cili pret që ta sigurojë njohjen”, ka potencuar ajo në një prononcim për “Zërin”.

Pavarësisht Kusari-Lilës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka vlerësuar se taksa dhe procesi i negociatave nuk ndërlidhen aspak mes vete. “Taksa është një vendim sovran i Kosovës dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me negociatat. Këto dy procese mund të vazhdojnë”, ka deklaruar ai.

Kushti i Qeverisë i vënë karshi Serbisë, që taksa të hiqet vetëm me njohje, sipas Kurteshit është plotësisht i drejtë dhe i duhur.

Demhasaj: 10 ekipe janë të kota nëse nuk ka heqje të taksës

Nëse taksa do të mbahej në fuqi deri në njohje të Kosovës nga Serbia, sipas njohësit të çështjeve politike Arton Demhasajt, nuk do të kishte fare nevojë që të zhvillohej procesi i dialogut. Porse një gjë e tillë, që Serbia ta njohë Kosovën pa dialoguar, sipas tij nuk mund të ndodhë. Rrjedhimisht Demhasaj ka vlerësuar se procesi i negociatave është ai i cili mund ta sjellë një marrëveshje që mund të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia.

Formimi i Ekipit Negociator dhe kushtëzimi i heqjes së taksës me njohje, sipas Demhasajt, ngjan me një lloj paradoksi nga ana e Qeverisë. “Nëse momentalisht është kjo taksë, ku Serbia thotë se nuk dialogon nëse nuk hiqet, mund të krijohen edhe 10 ekipe negociatore, por mund të jenë të kota derisa nuk kanë me kë të dialogojnë”, ka theksuar ai.

Megjithëkëtë, sipas tij, ky ekip mund t’i kryejë disa detyra brenda vendit, të krijojë platformën e të merret me dokumentacione.

E meqë vendimi i Qeverisë për vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe ka ardhur si një kundërpërgjigje ndaj kampanjës së egër të autoriteteve serbe kundër Kosovës, sipas Përparim Kryeziut, njohës i procesit të dialogut nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ky vendim është dashur të ndërlidhej me kërkesën politike që shteti serb ta anulonte një qasje të tillë ndaj Kosovës dhe kjo të prezantohej si parakusht për vazhdimin e dialogut. Kjo pasi, sipas tij, kushti i vetëm i Qeverisë, që taksa të hiqet me njohje, e zhvleftëson nevojën për të zhvilluar negociata më tej. “Ndonëse vendimi i Qeverisë ka qenë i drejtë, barasvlerësimi i saj me kërkesën për njohje nga Serbia, si kushti final që vendimi të tërhiqet, është problematik në thelb sepse zhbën nevojën për dialog në rend të parë”, ka theksuar Kryeziu./ZËRI