Thaçi ia dorëzon dokumentacionin ekipit negociator
Pas takimit të ekipit negociator me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, bashkëkryesuesi i ekipit Shpend Ahmeti ka thënë se kanë pranuar dokumentacionin nga presidenti Thaçi për bisedimet paraprake me Serbinë, raporton Zëri.info.
Ahmeti ka thënë se ky ka qenë dokumentacion që përmban temat që janë biseduar dhe jo marrëveshje të arrira pasi nga presidenti është konfirmuar se nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare as me Serbinë as me Brukselin.
“Dua t`i potencoj dy gjëra ky është një raport i presidencës por nuk është dokumentacion që është dakorduar me Brukselin nuk është transkript i takimeve por raportim për temat që janë hapur në Bruksel. Në këto tema janë të zhdukurit, të zhvendosurit, trashëgimia kulturore minoriteteve etj. Tash këtë material do ta dërgojmë në delegacionin shtetëror Presidenti konfirmoi edhe sot në takim nuk ka asnjë draft zyrtar të dakorduar me Serbinë as me Brukselin ashtu siç na është konfirmuar edhe në Bruksel. Tutje konfirmoi që deri më tani kanë ndodhur 3+1 takime pra i katërti nuk ka ndodhur për shkak të taksës por që presidentët kanë qenë në Bruksel”, deklaroi Ahmeti.
Ahmeti tha se tash mbetet në delegacion ta diskutojnë këtë temë por është e qartë që nuk ka një marrëveshje dhe për ta mbetet të dërgojnë temat në Bruksel.
Bashkëkryesuesi tjetër i ekipit negociator Fatmir Limaj ka thënë se tani gjithçka do të niset nga e para pasi që nuk ka pasur marrëveshje të arrirë.
“Për ne si delegacion ne e dimë tani ku jemi në këtë proces dhe ky ka qenë qëllimi që ta kemi të qartë nga ku po fillojmë.
Aktualisht ne duhet të fillojmë prodhim-dokumentet, kemi marrë dokumentet nga institucioni kryeministrit dhe presidentit dhe së shpejti tash do tia dorëzojmë platformën Kuvendit. Por ky proces do të nisë nga zero”, është shprehur Limaj.
Ahmeti ka shtuar se nëse në raportin e presidentit thuhet qe nuk ka asnjë marrëveshje të shkruar atëherë kuptohet kështu që do të fillohet nga zero./Zëri.info