Fëmijët nuk do të marrin shtesa këtë vit

Aktuale January 19, 2019 - 08:10
Lexo tjera detaje
Image

Fëmijët kosovarë nuk do t’i marrin shtesat këtë vit, siç u premtua. Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ende nuk është hartuar në ligj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe rrjedhimisht me këtë vonesë nuk do të mundë të përfshihet as në buxhetin e vitit 2019, kur të dalë në votim, shkruan Gazeta "Zëri".

Fëmijët në Kosovë nuk do t’i marrin shtesat prej 10 eurove as gjatë muajit janar, siç u ishte premtuar, por as gjatë këtij viti për shkak se rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ka kaluar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila ende nuk e ka hartuar legjislacionin për shtesat.

Përderisa kjo rezolutë nuk hartohet në legjislacion, atëherë është e pamundur të përfshihet në buxhetin e këtij viti, i cili ka kaluar në lexim të parë pa i përfshirë këto shtesa dhe se ka pak hapësirë nëse ato do të jenë pjesë e buxhetit kur ai të vendoset për votim në lexim të dytë. Kjo rezolutë vlerësohet se do të marrë kohë derisa të përpilohet në ligj dhe se me shumë mundësi do të jetë e gatshme për vitin e ardhshëm, por jo për këtë vit.

Në të pritet të përfshihen disa kategorizime se si do të shpërndahen këto paga, duke marrë parasysh statusin financiar të fëmijëve. Kjo rezolutë ishte iniciuar nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës vitin e kaluar dhe në nëntor ishte votuar në Kuvendin e Kosovës me 61 vota pro.

Qeveria: Shtesat me shumë mundësi jepen vitin tjetër

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Haki Shatri, ka thënë për gazetën “Zëri” se është pothuajse e pamundur shpërndarja e shtesave për fëmijët në këtë vit. Shatri ka përmendur shumë faktorë që do ta pengonin këtë çështje, ndër ta edhe mospërfshirja e kësaj rezolute në buxhetin e vitit 2019.

“Buxheti i këtij viti është miratuar në Qeveri pa këtë komponentë, pastaj ka shkuar në Kuvend dhe është miratuar në lexim të parë, tash është në proces të amendamentimit për lexim të dytë dhe të shohim grupet parlamentare çka do të propozojnë të vendosin për lexim të dytë, por nuk mendoj që kanë arritur ndonjë dakordim që kjo çështje të zërë vend në buxhetin e këtij viti”, është shprehur Shatri. Shatri thotë se shpërndarja e shtesave është e mundur për vitin e ardhshëm vetëm pasi që rezoluta të bëhet ligj. “Unë mendoj që do të ishte optimale në qoftë se brenda këtij viti do të arrijë të përgatitet legjislacioni primar dhe kur të përgatitet ai legjislacion bëhet obligativ që në buxhetin e vitit të ardhshëm patjetër të parashihet.

Buxheti sipas rregullave nuk përmban në vete asnjë obligim që nuk ka bazë ligjore, kjo ka qenë një rezolutë, por nuk e ka pasur bazën ligjore, kështu që nuk mundet Ministria e Financave ta japë pajtimin pa u bërë ligj dhe kur të bëhet ligj ata do të jenë të obliguar ta përfshijnë në buxhet”, deklaroi ai. Shatri ka thënë se hartimi i rezolutës në ligj nuk është çështje e thjeshtë, ka shumë komplikime në të dhe se pritet të marrë pak kohë. “Për të zënë vend në një ligj kjo rezolutë merr pak kohë, sepse përveç Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet harmonizim edhe me Ministrinë e Financave që ata ta analizojnë vlerën dhe koston e atij ligji. Pra, është një procedurë bukur e komplikuar për shkak edhe të presionit prej institucioneve financiare ndërkombëtare”, theksoi Shatri.

Ministria e Punës ende nuk e ka hartuar ligjin për shtesat

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ende nuk e ka hartuar legjislacionin që parashihet në rezolutën e miratuar në Kuvend në nëntorin e vitit të kaluar, mirëpo ata kanë njoftuar që janë duke punuar në të dhe në pjesën e parë të këtij viti pritet ta përfundojnë. “MPMS-ja do të marrë përsipër hapat e nevojshëm për hartimin e legjislacionit, ashtu siç parashihet në rezolutë dhe kjo do të bëhet në pjesën e parë të këtij viti”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë. Ministria e Punës ka bërë të ditur se është duke bërë reformën pensionale dhe për të kanë hartuar një koncept-dokument nga i cili do të dalin dy ligje, ndër to edhe ligji për sigurime sociale, në të cilin përfshihen shtesat për fëmijë. “Krahas rezolutës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është në fazën e reformës pensionale, ku tashmë kemi hartuar koncept-dokumentin për reformë në fushën e pensioneve dhe beneficioneve, koncept-dokument të cilin e kemi dorëzuar në Qeveri për miratim. Nga ky koncept-dokument do të burojnë dy ligje, ligji unik për pensionet dhe ligji për sigurime sociale. Pas hartimit të ligjit për sigurime sociale do të krijohet fondi për sigurime sociale dhe nëpërmjet këtij fondi MPMS-ja ka paraparë financimin sa i përket mbrojtjes prindërore ose shtesave për fëmijë”, thuhet më tutje në përgjigjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kadaj pret që shtesat të shpërndahen këtë vit

Iniciuesja e kësaj çështjeje, deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi, i ka thënë “Zërit” se presin që brenda këtij viti të fillojë zbatimi i rezolutës. Ajo theksoi se Qeveria e ka marrë me prioritet këtë çështje dhe se hartimi i saj në legjislacion është në punë e sipër.

“Ne kemi bërë punën tonë, si deputetë kemi nxjerrë rezolutën e cila e obligon Qeverinë brenda viti 2019 që të fillojë implementimin e pikave nga kjo rezolutë, që nënkupton zbatimin e votimit tonë për shtesat e fëmijëve. Kam informata nga niveli qeverisës se kryeministri e ka përcjellë me prioritet këtë çështje në Ministrinë e Punës dhe tani gupet punuese janë në punë e sipër që të hartojnë edhe pjesën e mbetur të legjislacionit, i cili do të mundësojë zbatimin e kësaj rezolute përmes aplikimit të shtesave për fëmijë”, ka thënë Bujupi. Deputetja është shprehur se në këto shtesa do të ketë kategorizim të atyre që do t’i marrin, kështu duke krijuar mundësitë që fëmijët prej familjeve në nevojë të gëzojnë shtesa më të larta se ata që qëndrojnë më mirë financiarisht. “Në njërën nga pikat e rezolutës kërkohet që të ketë edhe një kategorizim, meqë deputetët kanë konsideruar që ata që kanë të hyra më të vogla të kenë mundësi që të gëzojnë shtesa më të mëdha, kjo ka qenë arsyeja pse e kemi vënë pikën e kategorizimit dhe unë besoj fuqishëm që Qeveria do ta zbatojë në këtë frymë. Normalisht që kjo është vetëm një nismë e cila është vonuar dhe do të rritet varësisht prej rritjes së buxhetit”, ka thënë Bujupi.

E pamundur që shtesat të bëhen pjesë e buxhetit të këtij viti

Nënkryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ka thënë për “Zërin” se është pothuajse e pamundur që shtesat për fëmijë të bëhen pjesë e buxhetit të viti 2019 për shkak që rezoluta ende nuk është hartuar në ligj. “Në buxhetin e viti 2019 është pak vështirë të akomodohet një çështje e tillë, meqenëse nuk ka ligj që rregullon këtë çështje dhe është e pamundur të bëhet pjesë e buxhetit, pra mbetet që të punohet ligji dhe të detajizohen të gjitha çështjet. Në rezolutë janë caktuar disa pika çka duhet dhe si duhet t’i qasemi kësaj çështjeje dhe pasi që të miratohet ligji atëherë mund të bisedohet që të bëhet pjesë e buxhetit”, ka thënë Hadërgjonaj.

Edhe kryetarja e Komisionit për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, thotë se janë në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, por që ende nuk ka diçka konkrete për këtë çështje, në lidhje me kategorizimet ajo thotë se është diskutuar që shtesat të ndahen në kategori. “Ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim rreth përmbushjes së asaj rezolute nga ana e Qeverisë. Është diskutuar për kategorizim që të mos ndahen vetëm nga 10 euro për fëmijë, por të bëhen kategorizime, ka mendime të ndryshme, por ende nuk është konkretizuar diçka në këtë drejtim”, ka thënë Baftiu./ZËRI