Engjëjt mbrojtës të Kosovës

Aktuale January 12, 2019 - 07:58
Lexo tjera detaje
Image

Ulja e dy miqve të shqiptarëve në postet më të fuqishme të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi dhe Eliot Engel, mund ta shpëtojë Kosovën nga ndarja. Njohësit e çështjeve ndërkombëtare kanë vlerësuar për “Zërin” se Pelosi dhe Engel nuk pajtohen me qëndrimin e bashkëpunëtorëve të presidentit Trump për çështjen e kufijve me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Rikthimi i miqve të shqiptarëve në Kongresin Amerikan, Nancy Pelosi dhe Eliot Engel, mund ta shpëtojë Kosovën nga ndarja. Kështu kanë vlerësuar për “Zërin” njohësit e çështjeve ndërkombëtare, të cilët thonë se miqtë e shqiptarëve, të cilët janë ulur në postet më të fuqishme të Kongresit, nuk e përkrahin idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Nancy Pelosi është rikthyer javë më parë në pozitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, të cilën e mbante edhe tetë vjet më parë, ndërsa Eliot Engel, miku më i madh i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, është zgjedhur kryetar i Komitetit të fuqishëm të Marrëdhënieve me Jashtë.

Këta të fundit, sipas analistëve, nuk janë në linjë me qëndrimet e bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit amerikan Donald Trump për çështjen e kufijve me Serbinë.
 

Pa miratimin e SHBA-së nuk arrihet asnjë marrëveshje Kosovë - Serbi

Faton Bislimi, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe ligjërues në Universitetin Amerikan në Kosovë, ka thënë për “Zërin” që në asnjë deklaratë zyrtare nga SHBA-ja nuk është përkrahur ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve.  “As letra e presidentit Trump drejtuar Thaçit dhe homologut të tij Vuçiq e as takimet e Thaçit në Washington, në asnjë moment, në asnjë transkriptë takimesh, në asnjë prononcim direkt zyrtar amerikan nuk kanë shprehur përkrahjen e Amerikës për korrigjim kufijsh. Realisht Amerika e përkrah dialogun me Serbinë dhe dëshiron që një zgjidhje e problemit Kosovë - Serbi të arrihet sa më shpejt dhe të jetë historike. Por, se cila do të jetë zgjidhja në fjalë, do të vendoset nga dialogu”, ka thënë Bislimi.

Bislimi vlerëson se pa miratimin e SHBA-së nuk do të arrihet asnjë marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. “Pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të amerikanëve në fazën finale të dialogut as ideja e korrigjimit të kufijve e as çfarëdo ideje tjetër nuk do të mundë të realizohet. Traktatit historik i paqes në mes të Kosovës e Serbisë, që pritet të arrihet këtë vit, nuk do të ketë as vlerën e duhur e as që do të mundë të arrihej madje pa përfshirjen direkt dhe të sinqertë të SHBA-së. Në këtë përfshirje Kongresi Amerikan do të luajë rol shumë të rëndësishëm. Presidenti Trump dhe kryetarja Pelosi do të duhej të dakordoheshin për këtë çështje, ashtu që rezultati të jetë i suksesshëm”, ka theksuar ai.

Baliqi: Pelosi dhe Engel kanë ndikim në politikën e jashtme amerikane

Ndërsa njohësi i çështjeve ndërkombëtare Bekim Baliqi për “Zërin” ka thënë se SHBA-ja nuk do të lejojë në asnjë formë që shkëmbimi territorial ose çfarëdo marrëveshje e dëmshme për Kosovën të arrihet.
“Me përzgjedhjen e kongresistit Eliot Engel dhe të kongresistes nga Kalifornia Nancy Pelosi besoj që pikërisht këta të dy dhe pozitat që kanë marrë do të ndikojnë pozitivisht sidomos kur jemi në finalizimin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë dhe besoj që pikërisht për faktin se ata kanë ndikim në politikën e jashtme amerikane nuk do të lejojnë arritjen e çfarëdo marrëveshjeje, e cila do të dëmtonte Kosovën”, ka thënë ai, duke përfshirë këtu edhe idenë për shkëmbim të territoreve.

Demokratët nuk do ta përkrahin idenë për shkëmbim të territoreve

Faton Bislimi vlerëson se as kongresistja Pelos e as kongresisti Engel nuk janë në linjë me presidentin Trump, kësisoj ai vlerëson se presidenti Thaçi nuk e ka përkrahjen e Washingtonit për korrigjim të kufijve, ashtu siç pretendon ai. “Kryetarja Pelosi dhe kongresisti Engel, duke qenë të dy demokratë, kuptohet se nuk do të jenë në një linjë me presidentin Trump. Gjersa presidenti ynë Thaçi po përdor çdo mjet të mundshëm për ta paraqitur në opinionin publik përkrahjen që ai pretendon ta ketë nga Washingtoni për idenë e tij për korrigjim kufijsh, ai këtë përkrahje vështirë se do ta arrijë nga demokratët, pasi të njëjtën pretendon ta ketë nga administrata, e cila tani menaxhohet nga republikanët”, ka potencuar ai.

Ai tutje ka thënë që përzgjedhja e kryetares Nency Pelosi si dhe e kongresistit Eliot Engel është gjë pozitive për Kosovën, pasi Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësueseve historikisht ka qenë pro shqiptarëve.

Në anën tjetër Bekim Baliqi vlerëson se përzgjedhja e re në Kongresin Amerikan do të ndikojë pozitivisht për Kosovën dhe për Ballkanin në përgjithësi. “Përzgjedhja e dy kongresistëve, Eliot Engel dhe Nancy Pelosi nga Kalifornia, do të ndikojnë pozitivisht pasi Eliot Engel është si një muzë për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi, roli i tij dhe përvoja në përgjithësi është shumë pozitive. Mendoj që në përgjithësi ardhja e një pjese të demokratëve në Kongres do të ketë një ndikim pozitiv në Ballkan dhe sidomos në Kosovë”, ka thënë ai.

Kurse sipas Bislimit, Kosova dhe shqiptarët kanë lidhje të forta edhe me republikanë, edhe me demokratë prandaj asnjëra palë nuk do të ishte pengesë për marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së.  “Edhe pse lobi ynë në SHBA, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e udhëhequr nga ish-kongresisti Joe DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes, së cilës unë i shërbej tash e 17 vjet radhazi, punon me të dy taborët, unë personalisht historikisht kam qenë më anues kah republikanët. Kam pritur që republikanët do ta mbanin kontrollin e Senatit, por jo edhe të Dhomës së Përfaqësueseve. Por për shkak të angazhimit të DioGuardit dhe të diasporës sonë në SHBA Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kanë lidhje të forta edhe me republikanë, edhe më demokratë”, ka thënë ai.

Letra e presidentit Trump e qartëson pozicionin amerikan për dialog

Ndërkaq njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Arben Fetoshi për “Zërin” ka thënë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë e kjo u reflektua edhe në letrën e presidentit Trump drejtuar institucioneve të Kosovës. “Letra e presidentit Trump do të duhej të merret me seriozitet maksimal dhe porosia për unitet në dialog të jetë detyra e parë e spektrit politik. Jam i bindur se letra e presidentit Trump e bën të qartë pozicionin amerikan dhe angazhimin e tyre për ta shtyrë përpara zgjidhjen. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e konfliktit me Serbinë, që reflektohet nga pozicioni i Rusisë dhe nga kriza e brendshme në Bashkimin Evropian, ashtu si edhe për rëndësinë vendimtare të SHBA-së në përmbylljen e këtij procesi”, ka thënë ai.

Faton Bislimi në anën tjetër ka thënë që përkrahja e shtetit të Amerikës nuk duhet të ketë vetëm një synim të caktuar dhe një limit kohor, që lidhet me individë të caktuar.

Edhe Arben Fetoshi konsideron që marrëdhëniet e Kosovës e të SHBA-së janë historike dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me individë të caktuar.  “Marrëdhëniet mes Kosovës e SHBA-së nuk bazohen në persona të caktuar dhe me gjithë ndikimin pozitiv që domosdo do të ketë qasja mbështetëse e këtyre udhëheqësve ato i kanë rrënjët në histori, në mbështetjen historike ndaj shqiptarëve që nga presidenti Wilson. Pra, marrëdhëniet ndërkombëtare e pranojnë rëndësinë e nivelit personal, por politika udhëhiqet nga interesat e jo nga emocionet, prandaj ne në Kosovë duhet ta kemi të qartë përgjegjësinë e madhe për ruajtjen dhe për kultivimin e marrëdhënieve pozitive me Amerikën”, ka thënë ai