Edhe Dardan Molliqaj i reagon ashpër Albin Kurtit për 'Shko në Hagë Hashim'

Aktuale January 10, 2019 - 15:19
Lajmet e fundit nga vendi

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pas thirrjes së liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që Hashim Thaçi të shkojë në Hagë.

Molliqaj kujton qëndrimin e Vetëvendosjes sa ishte ai pjesë e saj kur kundërshtohej ashpër formimi i Gjykatës Sociale. Ndërsa tash, sipas Molliqajt, për Kurtin po është e pranueshme Gjykata Speciale, nëse ajo e merr presidentin Thaçi.

Tutje, Molliqaj e ka krahasuar ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Kurtin me Presidentin Thaci.

“Duke i personalizuar marrëdhëniet politike deri në obsesion, Albini është zhytur e ka humbur brenda orbitës së kundërshtarëve, duke përvetësuar mënyrat e tyre. Sikur Hashimi, edhe ky punon me vegla e instrumentalizon çdo gje. Sikur Hashimi, edhe ky është frikacak që nuk ka pranuar të marrë mbi vete asnjë rrezik. Asnjë! Sikur Hashimi, edhe ky zgjohet në mengjes me dy fjalë: unë dhe historia”.

Shkrimi i plotë i Molliqajt:

Rrofte baba, poshtë UÇK-ja! Ky ishte mesimi

Ku kemi dalluar asokohe si VV nga LDK dhe një pjesë e shoqërisë civile rreth Gjykatës Speciale është pikërisht kjo: ne thoshim se kriminelët e korruptuar që e kanë kapur shtetin duhet t’i denojnë gjykatat tona për keto vepra; thoshim po ashtu se drejtësia e çlirimi nuk mund të na vijnë nga jashtë, ato janë autentike; një Gjykatë e veçantë vetëm për Kosovën, për më tepër një etnike është e papranueshme në secilin rast. Pavarësisht kush mund te arrestohet. Madje herë pas here thoshim se pushteti i VV-së nuk do t’i dorëzoje çlirimtarët.

Sot kanë ndërruar yjet, tjetër këngë këndohet. Gjykata Speciale, varet…Nese e arreston Hashim Thaçin edhe bën.

Duke i personalizuar marrëdhëniet politike deri në obsesion, Albini është zhytur e ka humbur brenda orbitës së kundërshtarëve, duke përvetësuar mënyrat e tyre. Sikur Hashimi, edhe ky punon me vegla e instrumentalizon çdo gje. Sikur Hashimi, edhe ky është frikacak që nuk ka pranuar të marrë mbi vete asnjë rrezik. Asnjë! Sikur Hashimi, edhe ky zgjohet në mengjes me dy fjalë: unë dhe historia.

Parimi është i tillë vetëm kur është i verbër karshi emrave konkretë. Parimet dhe e verteta nuk kanë karakter primordial. Ato nuk mund të lidhen për kërthizen e askujt, as te Albinit. Ata që e japin UÇK-në në kuadër të luftës së brendshme politike, e duan pushtetin dhe jo Kosoven. E duan veten dhe jo UÇK-në. Prandaj, nuk janë as parimorë e as të vërtetë.

Rrofte baba, poshtë UÇK-ja! Ky ishte mësimi. Secili subjekt është i përkohshëm, edhe Albini shkoi.