Pediatrja Latifaj mohon të jetë përfshirë në mbylljen e Këshillimores për Fëmijë
Pas publikimit të tekstit nga gazeta “Zëri” për mbylljen e këshillimores për fëmijë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ka pasur reagime nga pediatrja Hamide Latifaj, e cila nuk e ka pranuar se ka ndikuar në mbylljen e këshillimores për fëmijë.
Ndonëse gazeta ka kërkuar qëndrimin e Latifaj në kohën kur është publikuar teksti, ajo nuk iu është përgjigjur telefonatave të gazetës. Për hir të korrektësisë, gazeta ka kontaktuar edhe gjatë ditës së sotme me pediatren për të marrë një qëndrim rreth kësaj çështje, ajo është shprehur e mllefosur lidhur me publikimin e tekstit, duke thënë se ka luftuar gjatë për ta mbajtur këshillimoren Të hapur.
Madje, sikur nuk i ka mjaftuar kjo, ia ka kaluar telefonin edhe bashkëshortit të saj, i cili ka hedhur një sërë akuzash për gazetën “Zëri”.
Gazeta “Zëri” distancohet nga çdo deklaratë e palëve duke mbajtur paanshmëri dhe duke iu qëndruar besnike lexuesve të saj me profesionalizmin më të madh.
LEXO EDHE : Mbyllet Këshillimorja e Fëmijëve, akuza për favorizim të një ordinance private
Përndryshe, “Zëri” sot prapë i ka drejtuar pyetje drejtoreshës së QKMF-së, Sadete Hadri e cila edhe njëherë ka treguar se si kanë ardhur deri te mbyllja e këshillimores .
“Në “Raport inspektimi specifik QKMF – Prishtinë” të datës 25.10.2018 me Nr. Ref. 10/F-99-18 të protokolluar me nr. 05-7301 me datë 26.10.2018 në Ministrinë e Shëndetësisë, të pranuar nga ne përmes znj. Hamide Latifaj me datë 12 dhjetor 2018 është kërkuar që të zbatohet UA 08/2017 që nënkupton edhe mbylljen e këshillimores për fëmijë, që nuk është e paraparë në strukturën organizative të KPSh-së gjegjësisht Mjekësisë familjare. Për më tepër, na është kërkuar që në afat prej 10 ditësh nga data e marrjes së raportit të njoftohet inspektorati për rekomandimet e plotësuara”, ka thënë ajo për gazetën.
Hadri një ditë më parë, kishte thënë për “Zërin” se kishin kërkuar një zgjidhje të ndërmjetme në lidhje me funksionimin e këshillimores për fëmijë, por që sipas saj, Latifaj kishte bërë ankesë në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi që kjo gjë ia kishte vështirësuar punën në praktikën private.
“Për këtë çështje për gati gjashtë muaj kemi diskutuar një zgjidhje të ndërmjetme të zbatuar përmes një vendimi të përkohshëm (Nr. 2703 të dt. 15 08.2018) të Bordit të QKMF-së, të marrë edhe në konsultim me Zyrën ligjore të MSh-së. Kjo zgjidhje e ndërmjetme, ka qenë e mirëpritur nga të gjithë në Njësinë e Pediatrisë, përveç ish-shefes së njësisë dr. Hamide Latifaj, e cila për shkaqe subjektive ka kontestuar këtë zgjidhje, ani pse e njëjta zgjidhje nuk e ka penguar derisa ishte shefe e njësisë. E njëjta ka ushtruar ankesë në MSh për këtë mënyrë të punës, që ia ka vështirësuar punën në praktikën private, duke u thirrur në zbatimin e konceptit të Mjekësisë familjare, që ajo e mbështet më pak se kushdo tjetër”, kishte thënë ajo, duke shtuar se shkak për mosmiratimin e një zgjidhje të ndërmjetme ka qenë edhe ankesa e Latifaj./Zëri/