Deputetët e përjetshëm (VIDEO)

Aktuale January 01, 2019 - 11:53
Detajet
Image

Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Flora Brovina e Xhavit Haliti për rreth 18 vjet radhazi mbajnë pozitën e deputetit në Kuvendin e Kosovës. Ata janë të vetmit që kanë arritur të jenë pjesë e gjashtë legjislaturave të pasluftës e që postin e deputetit nuk e kanë ndërruar asnjëherë me poste tjera. Brovina e Haliti thonë se legjislatura e parë dhe e dytë kanë qenë më të veçantat, madje sipas tyre edhe niveli i deputetëve ka qenë shumë më i lartë në ato legjislatura, kurse shpalljen e pavarësisë e veçojnë si momentin më emocionues gjatë këtyre gati 18 vjetëve. Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës për gazetën “Zëri” kanë rrëfyer edhe për raportet e tyre me deputetët e partive tjera.

Legjislatura e parë dhe e dytë, më emocionueset

Për të dy deputetët legjislatura e parë dhe ajo e dytë kanë qenë më me emocione. “Më emocionuesja për ne ka qenë legjislatura e parë kur gjithë sytë e Kosovës kanë qenë të orientuar kah institucioni themelor, i cili është i zgjedhur nga populli - Kuvendi i Kosovës, dhe atëherë jam ndier shumë e lumtur që jam aty e i përfaqësoj gjeneratat, gratë e të gjithë ata të cilët mund t’i përfaqësoja duke përfshirë shokët e shoqet e mia të luftës, familjarët e dëshmorëve”, ka thënë Brovina për “Zërin”.

Edhe deputeti Xhavit Haliti ka veçuar dy legjislaturat e para, madje sipas tij në ato legjislatura edhe niveli i deputetëve ka qenë më i lartë. “Legjislatura e parë dhe e dytë kanë qenë në një nivel tjetër. Ka pasur më shumë akademikë, më shumë figura nga kultura dhe nga shkenca që janë marrë me çështjet e Kuvendit. Në legjislaturat e fundit me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet kanë ndryshuar për nga cilësia dhe për nga përbërja”, është shprehur Haliti.

Për Halitin është e rëndësishme të jesh deputet misionar e jo deputet i cili punon për interesa personale. “Nëse ai nuk është misionar dhe është deputet sa për të marrë rrogën e për t’i zgjedhur problemet personale, atëherë është më mirë të mos jesh fare deputet”, ka thënë Haliti.

Pavarësia e Kosovës, momenti më i mirë për ta

Haliti e Brovina kanë veçuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës si momentin ku janë ndier më së miri në Kuvendin e Kosovës. “Do të veçoja emocionet e vitit 2018 ku ne shpallëm pavarësinë e Kosovës dhe isha njëra ndër nënshkrueset e saj. Në ato momente po kujtoja të gjitha gjeneratat që kishin sakrifikuar, ata që donin të dëgjonin për këtë ditë dhe ndoshta nuk është parë, por mua më rrodhën lotët. Më rrodhën lotët për një arsye, të cilën po e them për herë të parë, kur në sallën e Kuvendit hyri një flamur tjetër e jo ai për të cilin kemi sakrifikuar”, ka rrëfyer Brovina për “Zërin”.

LEXO EDHE: Ambasadorja finlandeze kënaqet me djathë dhe ajvar të Kosovës

Njësoj si Brovina është shprehur edhe Haliti. “Shpallja e pavarësisë dhe miratimi i Kushtetutës janë momentet më të mira sepse të tjerat pastaj janë në kuadër të këtyre dy ngjarjeve. Sipas Kushtetutës kemi ecur pastaj, është dokumenti bazë mbi të cilin është formuar shteti”, ka thënë Haliti.

Nuk janë ftuar asnjëherë që të marrin pozita në institucione

Të dy deputetët për “Zërin” kanë treguar arsyen se pse për afro dy dekada janë deputetë dhe nuk kanë marrë pozita të tjera në institucione shtetërore. Të dy kanë deklaruar që nuk kanë marrë oferta për të marrë poste qeveritare. “Zgjedhja e ministrave duke lënë mandatin e deputetit është më joshëse sepse të jesh ministër ke një jetë dinamike të angazhimeve. Edhe interesat personale janë më të dukshme e të qenit ministër sesa të qenit deputet. Nuk kam pasur asnjëherë ofertë deri më sot për të qenë ministër ose kryeministër”, ka deklaruar Haliti.

Edhe deputetja Flora Brovina asnjëherë nuk ka marrë ofertë për pozitë tjetër në institucione. “Kjo pyetje ka dy përgjigje. Së pari, asnjëherë nuk jam ftuar në institucionet tjera që të punoj, por jam zgjedhur për popullin. Së dyti, unë jam shumë e privilegjuar që jam zgjedhur deputete, sepse edhe kur kam heshtur kam qenë zëri i popullit tonë”, ka deklaruar Brovina.

Nuk janë aktivë gjatë fushatave zgjedhore

Dy deputetët e PDK-së thonë se kanë arritur t’i fitojnë ulëset në Kuvend pa qenë aktivë gjatë fushatave parazgjedhore. “Nuk kam qenë asnjëherë shumë aktiv nëpër fushata. Unë jam ky që jam me të mirat dhe me të këqijat. Kam fituar vota aq sa janë nevojitur për të qenë deputet. Deputetët zgjidhen dhe vlerësohen nga puna, sinqeriteti që kanë me qytetarët dhe me besimin që ka elektorati ndaj tyre”, ka thënë Xhavit Haliti.

Ndërsa Flora Brovina ka thënë që e ka pasur të vështirë që votën ta kërkojë edhe te shoqet e saj, edhe te shoqata të cilën ajo e ka drejtuar.  “E kam pasur mjaft të vështirë, madje edhe shoqet e mia t’i lus për të ma dhënë votën. Kurrë nuk kam kërkuar votë në Qendrën për Rehabilitimin e Nënës edhe pse kanë qenë mijëra gra, të cilave u kam ofruar shërbime falas gjatë luftës e pas luftës. Kujtoj që njerëzit të cilët më kanë votuar e kanë kuptuar këtë dhe i falënderoj për mirëkuptim që e kanë ditur rolin e mirëfilltë timin si deputete”, ka thënë Brovina, duke treguar që për partinë ajo jep maksimumin në fushatë.

Deputetët kanë raporte të mira me partitë tjera

Kur bëhet fjalë për raportet me kolegët e tjerë në Kuvend që nuk i përkasin PDK-së Haliti ka thënë që ka marrëdhënie të mira me deputetët e AAK-së, të LDK-së e të Nismës, ndërsa ka kritikuar deputetët e Vetëvendosjes për sjelljen e tyre në Kuvend. “LDK-ja është partia më e madhe dhe duke pasur më shumë deputetë kam më shumë miq. Por edhe me partitë tjera si në AAK-në të gjithë i njoh dhe të gjithë i kam miq. Edhe te Nisma është njësoj. Te Vetëvendosja kanë disa qëndrime ekstreme të tyre. Edhe në LVV kam miq shumë të mirë dhe i respektoj, por nuk i kuptoj në qëndrimin që e mbajnë shumica e tyre, të cilët nuk i shoh duke qëndruar me kolegë deputetë të partive të tjera, madje as nuk të përshëndesin”, ka deklaruar Haliti.

Ndërsa deputetja Flora Brovina nuk ka dashur të flasë për raportet që ka me deputetët e partive të tjera.  Mirëpo ajo e ka pranuar që ka simpati për deputetë të partive të tjera, duke mos dhënë ndonjë emër konkret. “Nuk besoj që mund t’i ndaj deputetët sepse ndonjëherë i gëzohem ndonjë deputeti të ndonjë subjekti tjetër që jep një mendim shumë pozitiv ose një argumentim adekuat të një çështjeje. Kam të tillë qoftë edhe nga partia që nuk është e imja dhe është në opozitë. Por ka edhe deputetë që mendojnë që sa më shumë të flasin janë më interesantë dhe janë më aktualë, por bëhen të bezdisshëm”, ka deklaruar Brovina./ZERI/

">http://