Fizikani kosovar që i gjeti gabime Ajnshtajnit

Aktuale December 30, 2018 - 07:47
Lexo detajet
Image

Profesori Shukri Klinaku është i sigurt se ka gjetur gabimet e gjeniut Albert Ajnshtajn. Sipas tij, teoria speciale e relativitetit është e paqëndrueshme, shkruan gazeta "Zëri".

Një profesor kosovar i fizikës ka marrë guximin ta sfidojë gjeniun e shekullit XX, përkatësisht fizikanin e ndjerë të përmasave globale Albert Einstein (Albert Ajnshtajn).

Ajnshtajn ishte vlerësuar se kishte koeficientin e dijes së trurit 165 dhe ishte i njohur në botë me teorinë e relativitetit, përderisa para gati një shekulli kishte fituar çmimin “Nobel për Fizikë” për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik.

LEXO EDHE: Automekanikja që po sfidon meshkujt në Kosovë

Por doktori i Fizikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Shukri Klinaku, thotë për gazetën “Zëri” se teoria e Ajnshtajnit është e paqëndrueshme, pasi ka gjetur shumë gabime në të. Klinaku shkon edhe më tej me kritika, duke e vlerësuar Ajnshtajnin si njeri konfuz dhe mistik, ndërsa për teorinë e tij thotë se është e pasaktë.

Për të arritur në këto konstatime Klinaku thotë për “Zërin” se i janë dashur 30 vjet studime.

“Shumicën e kohës kam punuar në shpjegimin e lëvizjes relative. Sot teoria speciale e relativitetit është teoria dominante shkencore. Unë qysh para përfundimit të studimeve bazike kam filluar ta studioj atë teori, afër 30 vjet unë punoj në këtë lëmi”, ka thënë ai.

Rrëzimi i teorisë së Ajnshtajnit

Pas të gjithë studimeve që ka bërë ka konstatuar se Ajnshtajni ka bërë gabime në tri faza të zhvillimit të teorisë speciale të relativitetit. Sipas tij, kjo teori është e padobishme dhe e gabuar.

“Unë në tri faza të zhvillimit të teorisë speciale të relativitetit e rreth lëvizjes relative kam hulumtuar dhe kam hedhur idetë e mia. Faza e parë është çfarë ka çuar në lindjen e teorisë speciale të relativitetit, pastaj si është ndërtuar dhe aftësia e saj për ta shpjeguar realitetin. Unë konsideroj që në të tria fazat kam dhënë shumë argumente që teoria speciale e relativitetit jo që është e gabuar dhe nuk shpjegon gjë në mënyrë efektive, por është edhe me defekt të brendshëm. Për teorinë speciale të relativitetit nuk mund të thuhet se është pak ose shumë e dobishme, ajo është e gabuar sepse ka defekt të brendshëm, prandaj është edhe e padobishme”, ka thënë ai.

Derisa teoria special relative e Ajnshtajnit kishte të bënte me lëvizjet e njëanshme të dritës, Klinaku ka dhënë edhe një shembull se ku ngec kjo teori dhe pse është e pasaktë.

Sipas tij, nëse dy persona duhet të takohen pas 10 minutave, të dy duhet të fillojnë të lëvizin drejt njëri-tjetrit në mënyrë që të mbërrijnë me kohë, përndryshe nëse vetëm njëri person bën lëvizje, atëherë do të jetë e pamundur që ata të mbërrijnë në kohë. Lëvizja që bëjnë të dy personat është lëvizje relative. Lëvizja relative është ajo që një vrojtues jashtë gjykon se intervistuesi edhe i intervistuari kanë kaluar rrugën për 10 minuta, të cilën një i vetëm nuk do ta kalonte. Shpejtësia me të cilën e kemi kaluar rrugën quhet shpejtësi relative. Sot fizika thotë se në qoftë se kemi dritën dhe një trup tjetër vetëm shpejtësia e dritës merret. Unë provoj me shumë argumente që drita është e posaçme për jetën tonë, mirëpo drita i nënshtrohet të gjitha ligjeve të lëvizjes, të cilave u nënshtrohen edhe të gjithë trupat tjerë të zakonshëm”, ka thënë ai.

Klinaku: Jam i vetmi në botë që i kam vërtetuar plotësisht gabimet e Ajnshtajnit

Klinaku ka thënë se ai është i vetmi në botë, i cili deri më tani në mënyrë të plotë ka vërtetuar se në teorinë e Ajnshtajnit ka gabime.

“Ka në botë me qindra persona që punojnë në këtë drejtim dhe të cilët mendojnë se teoria speciale e relativitetit është e gabuar. Mirëpo siç unë i gjykoj, konsideroj që për ta shpjeguar thjesht tani për tani jam i vetmi, sepse mendoj se e shpjegoj drejt me argumente të thjeshta dhe me eksperimente se kjo teori është e gabuar. Ndërsa të tjerët kanë vërejtje fragmentare ku disa fragmente të tyre janë të sakta. Mirëpo unë me plotësi e vërtetoj hap pas hapi se ku është bërë gabimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, duke u marrë me teoritë e relativitetit ai ka hulumtuar edhe në fusha të tjera të fizikës.

Argumentet në libër

Profesor Klinaku ka vlerësuar se pasi të shihet se këto teori kanë gabime, fizika do të shëndoshet dhe do të ecë me hapa më të shpejtë në çdo fushë.

“Shkenca është një. Unë duke u marrë me këtë shkencë është dashur të hulumtoj edhe në fusha tjera. Unë kam konstatuar se duke e mbrojtur teorinë speciale të relativitetit dhe teorinë e përgjithshme të relativitetit fizika është gjymtuar edhe në fusha të tjera. Meqenëse konsideroj se kam ndriçuar gjithë këtë rrethin e ngushtë të teorive të relativitetit të Ajnshtajnit, tani kam dalë edhe në fusha tjera, si në gravitet, në përkufizimin e valës, në natyrën e materies. Në të gjitha këto fusha e kam parë ndikimin negativ që e kanë pasur teoria speciale e relativitetit dhe ajo e përgjithshme”, ka thënë ai.

Në lidhje me të gjitha pretendimet e tij për gabimet në teorinë relative, Klinaku kishte shkruar edhe një libër në vitin 2012, me titull “Lëvizja relative, shpjegimi i drejtë dhe gabimet e Ajnshtajnit”.

Ndërsa në fushën e fizikës ai ka botuar edhe shumë punime shkencore.

“Prej vitit 2012 e deri më sot kam fuqizuar dhe i kam shtuar argumentet në dobi të shpjegimit të drejtë të lëvizjes relative dhe shpjegimin më të qartë të gabimeve të Ajnshtajnit. Kur ta ribotoj librin, ai do të jetë më i fuqishëm në numrin e argumenteve. Unë në këtë fushë i kam të botuara mbi 30 punime shkencore. Gjysma e tyre janë në revista mjaft të besueshme, pastaj edhe në dhjetëra konferenca shkencore anembanë botës”, ka shtuar ai.

Klinaku nuk e ka pasur të lehtë që konstatimet e tij ndaj teorisë së Albert Ajnshtajnit t’i paraqesë para opinionit kosovar. Duke e ditur se Ajnshtajn është vlerësuar si një gjeni, Klinaku është përballur me njerëz të shumtë të cilët kanë pasur këndvështrime të ndryshme për konstatimet e tij.

Sipas tij, ka pasur qytetarë që nuk i kanë besuar, por ka pasur edhe të tillë që e kanë dëgjuar me vëmendje. Klinaku shpreson që së shpejti i gjithë komuniteti shkencor do të bindet se ajo që ka thënë Ajnshtajni është thellësisht e gabuar.