Kushtetuesja i kërkon sqarime Thaçit për marrëveshjet ndërkombëtare

Aktuale December 24, 2018 - 07:54
Lexo Detajet
Image

Gjykata Kushtetuese ende nuk i ka kthyer përgjigje presidentit Hashim Thaçi në kërkesën e tij për të sqaruar nëse marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti konsiderohen të ratifikuara ose nëse patjetër duhet të ratifikohen edhe nga Kuvendi. Madje Kushtetuesja ka kërkuar sqarime shtesë nga Zyra e Presidentit. Afati i fundit për dorëzimin e këtyre sqarimeve është 24 dhjetori (sot), shkruan Gazeta "Zëri".

Më 4 shtator presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese të Nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, specifikisht pjesës e cila ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Thaçi kishte kërkuar që Gjykata të sqaronte nëse konsiderohen të ratifikuara marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti, kështu pa pasur nevojë që ato të dërgohen në Kuvend për miratim me votat e dy të tretave (2/3) të deputetëve. Por gardiania e Kushtetutës ende nuk ka dhënë përgjigje në këtë kërkesë, madje ka kërkuar sqarime shtesë nga parashtruesi i kësaj kërkese. Kjo është konfirmuar për gazetën “Zëri” nga Zyra për Informim e Presidentit.

LEXO EDHE: Ambasada e SHBA-së: Opozita të përfshihet në dialog!

Ndërsa afati për dorëzimin e këtyre sqarimeve përfundon sot. “Më 12 shtator të këtij viti Gjykata Kushtetuese na ka njoftuar për regjistrimin e kërkesës lidhur me rastin KO 131/18 dhe më 11 dhjetor nga Gjykata Kushtetuese kemi pranuar kërkesë për sqarim lidhur me rastin KO 131/18, ku komentet tona kemi mundësi t’i dërgojmë deri më 24 dhjetor të po këtij viti”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit për gazetën “Zëri”, por pa treguar se çfarë sqarime janë kërkuar.

Kurse Gjykata Kushtetuese në një përgjigje me shkrim për “Zërin” ka thënë se ende është duke e shqyrtuar kërkesën e presidentit dhe se nuk ka ndonjë afat kohor që përcakton se kur duhet të merret vendimi. “Kjo kërkesë aktualisht është ende në fazën e shqyrtimit. Vendimi do të merret brenda një afati të arsyeshëm kohor, ndonëse nuk ka afat të vendimmarrjes në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Beqa: Do ta respektojmë përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese

Nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Hajdar Beqa, ka thënë për “Zërin” se vonesa e Gjykatës Kushtetuese nuk ka pasoja për vendin, pasi vlerëson se nuk është çështje e ngutshme. “Nuk kemi humbur asgjë si institucione për moskthim të përgjigjes, ndoshta është vonuar pak, por prapëseprapë vendimi do të merret. Tani për tani kjo çështje është e rregulluar, që një marrëveshje ndërkombëtare duhet t’i ketë 2/3-at e deputetëve për ratifikim dhe ne do të presim se si do të vendosë Gjykata”, ka thënë Beqa.

I pyetur nëse kërkesën e Thaçit ndaj Gjykatës Kushtetuese e sheh si përpjekje për ta anashkaluar Kuvendin, Beqa nuk ka dashur të komentojë, por vetëm ka thënë se do ta respektojnë vendimin e Kushtetueses çfarëdo që të jetë ai. “Presidenti ka pasur të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarim të këtij neni dhe jam optimist që brenda afateve që ka Gjykata Kushtetuese do të kthejë përgjigje dhe ne do ta respektojmë cilado që të jetë ajo”, ka deklaruar Beqa.

Kollçaku: Tendenca e Thaçit për ta anashkaluar Kuvendin, shkelje e rëndë

Deputetja dhe nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për gazetën “Zëri” se presidenti Thaçi me kërkesën e tij në Kushtetuese ka dashur që ta anashkalojë Kuvendin, gjë e cila sipas saj përbën shkelje të rëndë ligjore. “Gjykata Kushtetuese besoj se nuk do t’i kthejë përgjigje pozitive Thaçit, sepse nuk është e mundur një gjë e tillë, sepse anashkalimi i Kuvendit është shkelje e rëndë ndaj këtij organi vendimmarrës”, është shprehur Kollçaku.

Pavarësisht kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, Kollçaku ka thënë se presidenti e ka arritur deri diku qëllimin e tij, duke formuar, siç tha ajo, të ashtuquajturin “grup negociator”, i cili sipas Kollçakut do t’ia legjitimojë presidentit marrëveshjet që i arrin në dialogun me Serbinë. “Në njëfarë mënyre presidenti e ka arritur këtë qëllim me këtë të ashtuquajturin ‘grup negociator’ që është formuar, duke marrë një lloj legjitimiteti të rrejshëm, i cili do t’i mbështesë marrëveshjet e Thaçit në dialog” , ka deklaruar Kollçaku.

Analistët i konsiderojnë të pajustifikueshme vonesat e Kushtetueses

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se vonesa e Gjykatës Kushtetuese për të dhënë përgjigje është e panevojshme, pasi sipas tij në Kushtetutë përcaktohet qartë se përgjegjës për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare është Kuvendi. “Vonesat janë të panevojshme dhe të paarsyeshme, sepse dispozita e Nenit Kushtetues është krejtësisht e qartë, madje nuk e di edhe pse është bërë adresimi për këtë ligj kur është krejtësisht e qartë dhe e kuptueshme për këdo qoftë”, ka thënë Smaka.

Ai më tej ka kritikuar punën dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se shumë herë kjo gjykatë nuk ka qenë as korrekte. “Vonesat janë defekt i funksionimit të Gjykatës, e cila shpeshherë deri sot nuk ka qenë korrekte, nuk ka qenë në nivel, ka pasur interpretime të karakterit politik, ka raste kur ka krijuar norma për të cilat nuk ka pasur autorizim”, ka deklaruar Smaka.

Edhe Mazllum Baraliu, njohësi i çështjeve kushtetuese, i ka konsideruar të pajustifikueshme këto vonesa të Gjykatës. Në një prononcim për “Zërin” Baraliu ka thënë se kjo zvarritje tregon mosefikasitetin dhe mosrespektimin e afateve ligjore nga ana e Gjykatës Kushtetuese. “Është çështje e mosefikasitetit dhe mosrespektimit të afateve ligjore, sepse mesa më kujtohet në bazë të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregullores së Punës kjo Gjykatë është e detyruar që në afat prej 60 ditësh të japë përgjigje për mospranueshmëri ose për shqyrtim dhe vendimmarrje për çfarëdo parashtrese që i drejtohet në adresë të saj”, ka vlerësuar Baraliu.

Më tej ai ka theksuar se kërkesa e presidentit e ka përgjigjen pikërisht në nenin iniciues në të cilin është bazuar. “Mendoj se Gjykata nuk ka nevojë ta vonojë këtë proces, gjithsesi është çështje e saj sovrane për të vendosur si mendon që është më së miri duke u bazuar në ligj, por këtu nenet përkatëse të Kushtetutës janë të qarta dhe është dashur të jepte ndonjë përgjigje të paktën brenda afatit ligjor. Sidoqoftë, për marrëveshjet ndërkombëtare është e qartë në bazë të Kushtetutës se si procedohen, si ratifikohen nga Kuvendi e si nga presidenti”, ka theksuar Baraliu./ZERI

Image