Vetëvendosje i përgjigjet ftesës së Veselit, e quan takim parapolitik

Aktuale December 20, 2018 - 18:53
Lexo Detajet

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar në një takim të përbashkët Presidentin, Kryeministrin, Ekipin Negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare ende të papërfaqësuara në Ekipin Negociator, LDK dhe VV, për t’u koordinuar për Dialogun.

“Si Kryetar i Kuvendit, do t’i ftoj për të mërkurën, në orën 10:00, Presidentin, Kryeministrin, Ekipin Negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare ende të papërfaqësuara në Ekipin Negociator, LDK dhe VV”, është shprehur Veseli.

Ditë më parë në Kuvendin e Kosovës është votuar rezoluta për dialogun me Serbinë dhe pjesë e ekipit negociator është bërë edhe lideri i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, shkruan lajmi.net

Ndërsa pjesa tjetër e opozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk u bënë pjesë e këtij ekipi dhe nuk morrën pjesë në seancën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, ani pse vendet e tyre janë siguruar në ekipin negociator.

Sot më herët, lideri i LDK-së, Isa Mustafa nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur se ky ekip negociator është improvizim dhe jo legjitim.

Ndërkohë, lajmi.net ka kontaktuar me Sami Kurteshin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për të marrur qëndrimin e tyre në lidhje me takimin e ftuar nga kryeparlamentari Veseli.

Kurteshi tha se nuk beson që VV do të marrë pjesë në këtë takim.

“Megjithëse këtë çështje nuk e kemi trajtuar në ndonjë mbledhje të Kryesisë, unë nuk besoj se LVV do të jetë pjesë e këtij takimi parapolitik”, tha Kurteshi për lajmi.net.

Ndërkaq, ftesë LDK-së dhe Vetëvendosjes bërë t’u bërë pjesë e ekipit negociator, i ka bërë edhe partia e Shpend Ahmetit, subjekt ky ka marrë rol udhëheqës në dialogun me Serbinë.