SBASHK-u: Të tërhiqet Projektligji i pagave, të ndihmohet Ushtria e Kosovës

SBASHK-u: Të tërhiqet Projektligji i pagave, të ndihmohet Ushtria e Kosovës

Aktuale dhjetor 19, 2018 - 14:44
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) përmes një deklarate për media ka kërkuar tërheqjen e Projektligjit për pagat dhe që buxheti prej dhjetëra milionë eurove shtesë që duhen për Ligjin e pagave të dedikohen për Ushtrinë e Kosovës për të blerë një pjesë të mjeteve të domosdoshme.

“Kështu djelmoshat e vashat në uniforma të ushtrisë sonë do të ndjeheshin krenar me këtë përkrahje e po ashtu edhe miqtë do të vlerësonin shumë ketë gjest dhe do të thoshin se ja populli i Kosovës  nuk po pret vetëm nga të tjerët, po edhe vetë e brenda mundësive po ndihmon  ushtrinë e shtetit të tyre”, thuhet në deklaratë.

SBASHK kërkon që për një vit mos të ketë ngritje pagash që nga presidenti e  deri te njeriu i fundit që merr pagë nga buxheti i Kosovës, në shërbim e në përkrahje konkrete  të Ushtrisë së Kosovës.               

“Projektligji i pagave i kthyer në kabinetin e ministrit Yagcilar në pjesën e parë të vitit 2019  do të korrigjohej duke dëgjuar zërin e arsyes së palëve të interesuara do të behej Ligj që vërtetë do të bënte nivelizim  pagash e jo siç është ky versioni aktual  që për dikë  është  nënë e për dikë njerkë”, përfundon deklarata e SBASHK-ut.