BE-ja e do Thaçin negociator të Kosovës

Aktuale December 19, 2018 - 08:02
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Pak ditë pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën përmes së cilës është caktuar edhe ekipi negociator për dialogun me Serbinë, ndërmjetësuesja e këtij procesi Frederica Mogherini i ka shkruar letër kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, me ç’rast ia ka bërë të ditur se në procesin e negociatave Kosova do të përfaqësohet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Por një kërkesë e tillë e zyrtarëve të BE-së është kundërshtuar ashpër si nga Qeveria, ashtu edhe nga partitë opozitare në Kosovë, shkruan sot Gazeta Zëri. 

Derisa shefi i ekzekutivit ka thënë se ky qëndrim i BE-së është joobligativ për Kosovën, përfaqësuesit e Vetëvendosjes, të cilët megjithëse nuk kanë pranuar të jenë pjesë e delegacionit, kanë vlerësuar se BE-ja nuk mund t’i përcaktojë punët e brendshme të Kosovës.

LEXO EDHE: Thaçi dëmton LDK-në e LVV-në në KQZ

Lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, duke thënë se letra e zyrtarëve të BE-së paraqet një përpjekje për ta kontestuar kornizën demokratike të vendimmarrjes së Republikës së Kosovës.

Porse një gjë të tillë, siç ata janë shprehur, Kosova nuk duhet ta lejojë në asnjë rrethanë.

BE-ja zgjedh Thaçin, jo Qeverinë

Në letrën që kryeministri Ramush Haradinaj ka pranuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së Frederica Mogherini, komisionarja për tregti Cecilia Malmstrom dhe komisionari Johannes Hahn thuhet se procesin e dialogut nga pala kosovare e udhëheq kreu i shtetit, Hashim Thaçi.

Megjithëkëtë, në këtë dokument thuhet se rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës do të kontribuojë për ta forcuar peshën e autoriteteve të Kosovës. Rezoluta sipas BE-së do të duhej ta mundësonte përshpejtimin e këtij procesit në mënyrë konstruktive në kuadër të organizimit aktual të dialogut në nivel të lartë.

“Ne e mirëpresim atë dhe e konsiderojmë si një informacion në kuadër të qëndrimeve të Kosovës, që do të shprehen nga presidenti i saj në dialogun aktual e që përbën për BE-në kornizën e vetme reale për adresimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në letrën e zyrtarëve evropianë.

Teksa është deklaruar rreth letrës së në fjalë, kryeministri Haradinaj ka thënë se qëndrimi i Mogherinit mbi udhëheqësin e procesit të dialogut është joobligativ për Kosovën.

Sipas Haradinajt, Mogherini ka bërë të ditur përmes letrës se është në dijeni për arritjen e marrëveshjes për ekipin negociator, porse ky ekip sipas saj duhet të shërbejë vetëm për ta ndihmuar presidentin në këtë proces.

“E vërteta është që Kosova po do dialog, nuk po duam ta vonojmë. Ajo thotë se për marrëveshjen kanë dëgjuar që ekziston, thotë se është një ndihmë për presidentin kur paraqitet në dialog. Tani është e kuptueshme që Mogerini e ka këtë qëndrim dhe për ne është diçka joobligative për punët tona si i kryejmë ne në Kosovë”, ka nënvizuar Haradinaj.

Rrjedhimisht, kreu i ekzekutivit ka ripërsëritur edhe një herë gjatë së martës se Mogherini e ka çrregulluar dhe e ka devijuar totalisht procesin e dialogut.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se deklaratat e fundit të Mogherinit janë manifestim i nervozes që e ka kapluar atë për shkak të vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me taksën ndaj produkteve serbe, krijimin e Ushtrisë dhe miratimin e ekipit negociator për dialog.

Reagimet e tilla sipas Sherifit dëshmojnë qartë se projekti për ndarjen e Kosovës ka pësuar goditje serioze.

Opozita, kundër deklaratës së BE-së

Qëndrimin e zyrtarëve të BE-së se procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga presidenti e kanë kundërshtuar edhe përfaqësuesit e partive opozitare.

Duke komentuar letrën e BE-së të drejtuar Qeverisë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se vetëm Qeveria e Kosovës është ajo e cila mund ta drejtojë procesin e negociatave me Serbinë.

Megjithëkëtë, sipas tij, procesi në fjalë nuk mund të drejtohet me ekipe të tilla siç është delegacioni negociator i formuar së fundi.

“Vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës me legjitimitet qytetar mund ta udhëheqë Kosovën në dialogun me Serbinë. Ky proces nuk udhëhiqet me kuazi ekipe dialoguese”, ka deklaruar ai.

Rrjedhimisht, letra e zyrtarëve të lartë të BE-së, sipas Hotit, duhet të kuptohet qartë nga ekipi tashmë i caktuar për dialogun. “Letra e tre zyrtarëve të lartë të BE-së, që i është dërguar Qeverisë së Kosovës, le të kuptohet qartë nga kuazi ekipi dialogues”, ka potencuar ai.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka thënë se punët e brendshme të Kosovës as BE-ja e askush nuk ka të drejtë t’i përcaktojë.

Në këtë drejtim, sipas tij, BE-ja nuk mund t’i përcaktojë as njerëzit që i udhëheqin bisedimet.

“Këto letra janë vërtet të pakuptimta. Qoftë nëse e dërgon BE-ja, qoftë dikush tjetër, është ndërhyrje dhe nuk duhet të merret parasysh. Është Kosova, është Kuvendi i Kosovës ai që vendos se kë duhet ta dërgojë në bisedime e çka duhet të bisedohet”, ka theksuar ai.

Sipas Kurteshit, Bashkimi Evropian tashmë ka nisur ta humbë besueshmërinë, duke mos u treguar e paanshme në të tilla çështje siç është dialogu.

“Nëse këto duhet t’i bëjë BE-ja, atëherë ata le ta bëjnë delegacionin, të shkojnë të bisedojnë në emër të Kosovës, sepse në këtë formë BE-ja ka filluar ta humbë besueshmërinë e sidomos Mogherini, e cila hapur është parë që nuk është e paanshme”, ka potencuar deputeti i LVV-së.

BE-ja s’mund ta përcaktojë udhëheqësin e dialogut

Njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të zgjedhë kush do ta udhëheqë dialogun.

Ndryshe prej situatës në Serbi, shtet ky i cili ka një sistem tjetër zgjedhor, ku presidenti zgjidhet drejtpërdrejt dhe i ka kompetencat ekzekutive, në Kosovë sipas Mushkolajt është situata ndryshe për shkak se kemi të bëjmë me Republikë Parlamentare, ku kryeministri është ai i cili menaxhon shtetin.

“Kështu që me këtë logjikë Kosova duhet t’ia bëjë të qartë Bashkimit Evropian se nuk është BE-ja që e përcakton se kush duhet ta udhëheqë dialogun, por është Kosova ajo që e përcakton një gjë të tillë. Me këtë logjikë i bie që Kosovën në dialog me Serbinë duhet ta përfaqësojë ekipi i cili është krijuar dhe i cili është votuar në Parlament”, ka theksuar ai.

Më tej Mushkolaj ka thënë se BE-ja edhe mund ta ketë presidentin Thaçi si person të dashur e të pëlqyer për ta udhëhequr dialogun, por kjo sipas tij nuk do të thotë që ai është personi i duhur.

Përkundrazi, siç ai është shprehur, për një gjë të tillë vendos Parlamenti i Kosovës si organi legjislativ i cili e ka edhe përgjegjësinë për të miratuar çdo marrëveshje që arrihet në dialog.

Ndërkaq Përparim Kryeziu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka vlerësuar se letra e zyrtarëve të BE-së e dërguar për Qeverisë së Kosovës është një përpjekje për ta kontestuar kornizën demokratike të vendimmarrjes së Republikës së Kosovës.

“Ajo duket të ketë qëllim neutralizimin e plotë të rolit përfaqësues dhe përcaktues të Kuvendit të Kosovës në një proces që pritet ta përcaktojë të ardhmen paqësore të Kosovës në raport me Serbinë. Në një demokraci parlamentare, siç është Kosova, institucioni i Parlamentit gëzon rol qendror në përcaktimin e pozicionit negocioues në rastet kur diskutohen çështje të rëndësisë së jashtëzakonshme, sikurse është marrëveshja finale me Serbinë”, ka theksuar ai gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Rrjedhimisht, sipas tij, kushdo që synon ta tejkalojë një rol të tillë i shërben së kundërtës së qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve.

“BE-ja nuk mund të ndërhyjë në dialog në formë të tillë, që cenon rendin minimal të demokracisë së brendshme e që është e përcaktuar qartazi në Kushtetutën e vendit”, ka vazhduar Kryeziu.