Thaçi dëmton LDK-në e LVV-në në KQZ
Nga zgjedhjet e vitit të kaluar kanë dalë tri grupe parlamentare, PAN, LAA dhe LVV e që sipas Kushtetutës këto grupe do të duhej të kishin nga dy përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por presidenti Hashim Thaçi ka vendosur që edhe grupeve që janë formuar pas zgjedhjeve t’ua bëjë “dhuratë” nga një vend në KQZ, duke i dëmtuar kështu dy partitë e mëdha opozitare, LDK-në e LVV-në, shkruan sot Gazeta Zëri.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka kërkuar gjashtë grupeve parlamentare shqiptare (LDK, LVV, PDK, PSD, AAK dhe Nisma) që të propozojnë nga një përfaqësues për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhje.
Por kjo kërkesë e Thaçit po vlerësohet si antiligjore e antikushtetuese, pasi në bazë të Kushtetutës së Kosovës propozimet vijnë nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare, por nga zgjedhjet e vitit të kaluar kanë dalë vetëm tri grupe: PAN (PDK-AAK-Nisma), LAA (LDK-AKR-Alternativa) dhe LVV, që nënkupton se ato tri grupe do të duhej të kishin nga dy përfaqësues, shkruan më tutje Gazeta Zëri.
Megjithatë, pasi nga këto tri grupe janë formuar edhe tri grupe tjera parlamentare presidenti ka vendosur që ta neglizhojë aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se grupi më i madh parlamentar është grupi që ka dalë nga zgjedhjet, pra Kushtetuesja nuk i ka vlerësuar grupe parlamentare grupet që janë formuar pas zgjedhjeve.
LDK-ja akuzon Thaçin se po i bën nder koalicionit aktual qeverisës
Lidhja Demokratike e Kosovës dje përmes një njoftimi për medie ka bërë të ditur që këto ditë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka pranuar një kërkesë nga drejtori i Departamentit për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në kuadër të Zyrës së Presidentit për nominimin e një anëtari të KQZ-së nga radhët e LDK-së, kërkesë kjo që LDK-ja e cilëson si antikushtetuese.
“LDK-ja vlerëson se presidenti Thaçi, pavarësisht afatit ligjor për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, sipas së cilit jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend, që ishin certifikuar më 8 korrik 2017, ende nuk ka emëruar përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me çka ka bllokuar një institucion të pavarur dhe të përhershëm kushtetues”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Kështu duke e prolonguar këtë proces për gati një vit e gjysmë, duke e defunksionalizuar tërësisht KQZ-në, LDK-ja thotë se presidenti ka vepruar në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit dhe përgjegjësitë e tij të përcaktuara në këtë akt, sipas së cilave presidenti garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë.
“Me qëllim të zvarritjes akoma më shumë të këtij procesi dhe me dëshirën për të ruajtur përbërjen aktuale të KQZ-së, e cila është në favor të koalicionit aktual qeverisës, presidenti Thaçi çështjen e ndarjes së vendeve në KQZ e ka referuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese e që, siç është parë edhe nga vendimi i Gjykatës, sipas së cilit është refuzuar kërkesa e tij, një kërkesë e tillë ka qenë fare e paarsyeshme dhe e panevojshme”, thotë LDK-ja në një komunikatë për medie.
Partia e Isa Mustafës konsideron se çështjen e ndarjes së vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka rregulluar qartësisht Kushtetuta e vendit dhe kjo çështje në asnjë rast nuk mund të trajtohet si çështje e vullnetit të dikujt për përcaktimin e numrit dhe vendeve të subjekteve politike në KQZ, madje as e presidentit.
Në këtë mënyrë LDK-ja thotë se i takojnë dy anëtarë të KQZ-së, emrat e të cilëve thotë se shumë shpejt do t’i dërgohen presidentit për emërimin përfundimtar të tyre.
LVV: Thaçi po e shkel Kushtetutën
Ish-anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka thënë për “Zërin” që presidenti Thaçi me kërkesën e tij për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është duke e shkelur Kushtetutën e vendit me qëllim që të përmbushë apetitet e koalicionit PAN.
“Hapat që ka marrë aktualisht presidenti Thaçi, duke i ftuar kinse të gjitha grupet parlamentare për të nominuar nga një anëtar për KQZ-në, është një procedurë e nisur në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe krejtësisht në funksion të interesave politike partiake, madje edhe pjesë e pazareve të zhvillimeve të fundit”, ka thënë Rrustemi.
Kjo sepse, sipas tij, në bazë të Kushtetutës së vendit dhe Ligjit për Zgjedhje dhe veçmas në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, kur është definuar grupi parlamentar, të drejtë për të nominuar anëtarë në KQZ kanë grupet parlamentare që kanë dalë drejtpërdrejt nga zgjedhjet.
Sipas tij, kjo gjë përpos që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, është edhe cenim i rëndë i integritetit të KQZ-së.
“Kjo përveçqë është në kundërshtim me Kushtetutën, është duke e cenuar rëndë integritetin e KQZ-së si një institucion i pavarur dhe kushtetues. Presidenti po synon ta zgjerojë artificialisht, pa të drejtë dhe pa bazë përfaqësimin e PAN-it, ngase pjesë të PAN-it juridikisht ishin PDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe PSD-ja, në kuptimin juridik në përfaqësimin në KQZ këto janë një subjekt i vetëm, është çështje tjetër si operojnë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.
Vetëvendosja përmes një reagimi për medie ka thënë se KQZ-ja duhet të përbëhet sipas rezultatit të zgjedhjeve, pra dy anëtarë nga koalicioni PAN, dy anëtarë Lëvizja Vetëvendosje dhe dy anëtarë koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa), siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhje.
PSD-ja do të ketë një anëtar në KQZ
Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, për “Zërin” ka bërë të ditur që kanë marrë kërkesën nga presidenti Thaçi për emërimin e një anëtari nga partia e tyre si anëtar i KQZ-së.
“Po, na ka ardhur shkresa zyrtare nga presidenti ashtu siç është e paraparë edhe me Kushtetutë dhe me aq sa e di unë shkresë u ka dërguar edhe partive të tjera, domethënë grupeve më të mëdha parlamentare. Emri prej PSD-së do të bëhet publik sonte ose nesër”, ka thënë Kuçi.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, për “Zërin” ka bërë të ditur që Ilir Gashi do të jetë anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së.
Emërimi i anëtarëve të KQZ-së të bëhet në bazë të dispozitave ligjore
Emërimin e anëtarëve të KQZ-së e ka kritikuar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D), të cilët e kanë konsideruar kërkesën e presidentit si kërkesë në kundërshtimin me ligjin zgjedhor në fuqi.
“Nga informatat e siguruara nga terreni dhe nga mediet KDI-ja dhe D4D konsiderojnë që Zyra e Presidentit është duke shfaqur tendenca për të vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore për emërimin e anëtarëve të KQZ-së. Çdo përpjekje tjetër për të tejkaluar dispozitat ligjore në fuqi ndikon negativisht në integritetin e zgjedhjeve dhe ka implikime në të gjitha fazat e procesit zgjedhor”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas tyre, Kushtetuta e Republikës së Kosovës përmes Nenit 139, paragrafit 4 e rregullon përbërjen e KQZ-së, ku konstaton se gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, një anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb të Kosovës dhe tre anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.
“Rrjedhimisht, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe në rezultatin nga zgjedhjet parlamentare në vitin 2017, 11 vendet e KQZ-së duhet të shpërndahen si vijon: Koalicionit PAN, Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së u takojnë nga dy anëtarë, grupeve parlamentare që përfaqësojnë komunitetet joshumicë u takojnë katër (4) anëtarë dhe një (1) vend për kryetaren e KQZ-së. Çdo interpretim tjetër për përbërjen e KQZ-së është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në reagim.
Këto dy organizata konsiderojnë që funksionalizimi i KQZ-së duhet të trajtohet me prioritet nga presidenti, në mënyrë që t’i përmbushë obligimet e saj e aq më tepër kur disa nga anëtarët e KQZ-së vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit pavarësisht mosfunksionimit të këtij institucioni.