Krijimi i Forcës së Kosovës nuk paraqet kërcënim, ashtu siç kanë propaganduar Serbia dhe Rusia

Aktuale December 12, 2018 - 19:48
Lexo tjera detaje

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Burim Ramadani ka thënë se Kosova ka qenë e bombarduar me propagandë nga Serbia dhe Rusia të cilat shprehen se transformimi i FSK-së në ushtri paraqet kërcënim për rajonin.

Ramadani gjatë intervistës dhënë për Telegrafin sqaroi se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), nuk është kërcënim, kundërshtim apo inat ndaj dikujt, por plotësim i nevojave të brendshme për sigurinë e Kosovës.

Ai tha se FSK-ja është “fëmijë i NATO-s”, i pajisur me standardet e saj.

LEXO EDHE: Qehaja: Angazhimi i Serbisë për të penguar formimin e ushtrisë së Kosovës i rrezikshëm

“Prej janarit të këtij viti ne kemi punuar në ndërtimin e tregimit (narrativit). Transformimi i forcës tonë nuk është kërcënim, kundërshtim apo inat ndaj dikujt, por për plotësimin e nevojave të brendshme për sigurinë e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kemi qenë të bombarduar me propagandë nga Serbia dhe Rusia, se Kosova paraqet kërcënim për rajonin etj. Të vërtetat janë krejtësisht të kundërta. Forca jonë është multietnike, është plotësisht ‘fëmijë i NATO-s’, i pajisur me standardet e NATO-s”, potencoi ai.

Ramadani theksoi se gjatë këtij viti kanë pasur një kampanjë informuese me shtetet anëtare të NATO-s duke argumentuar partnerët për planet dhe nevojën e fillimit të tranzicionit të FSK-së.

“Në fillim të vitit kemi bërë një plan të komunikimit me shtetet e jashtme. Brenda një viti është e pamundur të arrihet komunikimi me 29 shtete. Kemi arritur që në një varg shtetesh, kemi pasur kampanjë informuese të detajuar dhe kemi argumentuar partnerët për planet dhe nevojën e fillimit të tranzicionit dhe largimin e vetos të Rusisë dhe Serbisë. Kosova ka pas dhe ka argument të mjaftueshme për tranzicionin e forcës“.