Ndotja e ajrit vazhdon të jetë alarmante

Aktuale December 12, 2018 - 08:02
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Tash e disa javë Prishtina vazhdon të jetë në krye të listës së qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Por përveç kryeqytetit të vendit me këtë problem po ballafaqohen edhe disa qytete tjera, në mesin e të cilave edhe Obiliqi e Gjilani. Njohës të çështjeve të ambientit kanë vlerësuar se niveli i lartë i ndotjes është alarmant, andaj edhe urgjentisht duhet të merren masa për përmirësimin e tij. Ndërsa pulmologët apelojnë te qytetarët që të marrin masa mbrojtëse, në mënyrë që të mos përkeqësohet shëndeti i tyre, shkruan sot Gazeta Zëri. 

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se kanë ndërmarrë masat e duhura për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

LEXO EDHE: 'Ringjallet' ideja e korrigjimit të kufijve

“Kemi kërkuar të ndalohet përdorimi i thëngjillit nëpër institucione publike dhe është aprovuar kërkesa nga ana e Qeverisë dhe e ka ndaluar përdorimin e saj në të gjitha institucionet publike. Më herët kemi kërkuar prej ministrit të Arsimit ta ndërpresë përdorimin e thëngjillit në shkolla dhe po ashtu këtë vit punëtorët e KEK-ut nuk marrin thëngjill falas prej korporatës, me kërkesën tonë ministri Lluka e ka marrë këtë vendim. Jemi duke kërkuar të bëhet kontroll më i rreptë i cilësisë së derivateve të naftës”, ka thënë Matoshi për “Zërin.

Kurse kryetari i organizatës “Eko Lëvizja e Gjelbër”, Arif Krasniqi, ka vlerësuar se Kosova është në gjendje alarmante sa i përket nivelit të lartë të ajrit të ndotur.

Sipas tij, Korporata Elektroenergjike e Kosovës dhe ngrohja me thëngjill janë disa nga faktorët e ndotjes së ajrit në Kosovë.

“Ashtu siç kemi konstatuar edhe më parë, nuk funksionojnë filtrat në tymtarët e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, mungon përcjellja dhe kontrolli i tyre. Ministria e Mjedisit pavarësisht premtimit të tyre të vazhdueshëm se bën matjet në mënyrë permanente për nivelin e ndotjes, kjo edhe më tutje mungon. Gjithashtu, tani duhet të kemi parasysh që jemi në dimër kur bëhen ngrohjet e ndërtesave dhe të shtëpive individuale nga qytetarët e saj dhe atë me thëngjill, me dru ose me alternativa të tjera të pakta. Kjo është edhe një argument shtesë për vazhdimin e ndotjes në Kosovë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka kërkuar që urgjentisht të merren masa në përmirësimin e ajrit.

“Qeveria aktuale, MMPH-ja, por edhe institucionet tona të tjera, duke përfshirë edhe qytetarët, duhen alarmuar këtë gjendje të ndotjes dhe duhen angazhuar në përpilimin e strategjive afatshkurtra, për të cilën besoj dhe shpresoj se ekzistojnë kapacitete të shumta, ka ekspertë dhe njerëz të vullnetit të mirë, por veçse duhet mobilizuar dhe duhet vepruar në mënyrë urgjente, pasi pasojat nga ndotja janë të pariparueshme dhe atë më së miri do ta ndiejnë qytetarët tanë në trupin dhe në mendjen e tyre”, ka shtuar Krasniqi.

Baca: Qytetarët të marrin masa mbrojtëse ndaj ndotjes së ajrit

Pulmologu në Klinikën e Mushkërive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Skender Baca, ka apeluar te qytetarët që të marrin masa mbrojtëse ndaj ndotjes së ajrit.

“Tani e kemi sezonin e vjeshtës/dimrit, ku edhe ashtu është shtimi për shkak të gripit sezonal, kështu që pavarësisht asaj ne gjithmonë apelojmë që të kemi kujdes ndaj ndotjes së ajrit që të mos dalim kur është temperaturë e ulët dhe kur është thatësi”, ka thënë Baca.

Ai ka dhënë edhe disa këshilla se si të mbrohen qytetarët nga ajri i ndotur.

“Apelojmë te qytetarët që të vaksinohen në numër sa më të shumtë për shkak se po hyjmë në sezonin e dimrit kur temperaturat e ulëta janë jo të favorshme për traktin respirator. Preferohet konsumimi i lëngjeve, i çajeve dhe gjithsesi një gotë qumësht është e obligueshme për shkak se vetëm qumështi i lidh metalet e rënda prej organizmit dhe i eliminon jashtë”, ka thënë ai.

Asamblistët kritikojnë Komunën e Prishtinës për papërgjegjshmëri

Asamblistët në Komunën e Prishtinës kanë kritikuar Komunën për papërgjegjshmëri në marrjen e masave në përmirësimin e nivelit të ajrit në Prishtinë. Leotrim Retkoceri, asamblist në Komunën e Prishtinës nga radhët e PDK-së, ka thënë se masat e marra nga Komuna në përmirësimin e ajrit nuk kanë rezultuar pozitivisht.

“Sa i përket ndotjes, vitin e kaluar është bërë njëfarë spektakli prej ekzekutivit të Komunës, por nuk ka rezultuar asgjë me punë konkrete, kanë qenë vetëm fjalë për shkak se vitin që po e lëmë pas nuk është instaluar dhe as nuk është kyçur asnjë qytetar i ri në rrjetin e Ngrohtores e ne e dimë që problemi më i madh i ndotjes vjen prej stufave shtëpiake, ndërkohë Komuna nuk ka mundur t’i japë qasje qytetarëve në rrjetin e Ngrohtores së Qytetit”, është shprehur Retkoceri.

Në anën tjetër asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Egzon Azemi, ka thënë se Komuna duke qenë e papërgjegjshme në disa fusha të cilat lidhen me ajrin në Prishtinë ka bërë që cilësia e ndotjes të jetë prapë e lartë.

“Ndërtimet pa leje në raportin e Bankës Botërore konsiderohen si një ndër problemet e ndotjes së ajrit për shkak që grimcat ndotëse nuk kanë kah të qarkullojnë për shkak të kësaj ndotjeje e ne po e shohim çdo ditë që në Prishtinë po ka përsëri ndërtime pa leje. Ne si Lëvizje kemi mbjellë edhe përmbi 60 fidanë në një aksion simbolik tonin, ndërsa Komuna ka premtuar qe një vit se do t’i mbjellë 2000 fidanë dhe ende nuk ka arritur t’i mbjellë, që është një shifër krejt simbolike në raport me ndotjen për shkak se Prishtina po prin në listën botërore sa i përket ndotjes”, ka thënë ai.