Alternativa fton partitë politike të dakordohen për datën e zgjedhjeve

Alternativa fton partitë politike të dakordohen për datën e zgjedhjeve

Aktuale dhjetor 11, 2018 - 17:58
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, pa mbështetjen e partive kryesore opozitare, mund të dështojë ende pa rifilluar.

Kështu konsideron partia Alternativa, e cila përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se rrethanat e krijuara në raport me dialogun Kosovë – Serbi nuk kanë hapësirë avancimi në rast se nuk e kanë mbështetjen e partive politike shqiptare në Kuvendin e Kosovës.

Madje Alternativa u ka bërë thirrje partive në pushtet të ulen së bashku me partitë opozitare, të caktojnë prioritetet nacionale dhe datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Njoftimi i plotë i Alternativës:

Pas mbledhjes së Kryesisë qendrore të Alternativës të mbajtur mbrëmë me 10 dhjetor dhe diskutimit të vazhduar sot, 11 dhjetor, Kryesia e Alternativës me shumicë votash miratoi këtë qëndrim të Partisë lidhur me procesin e Dialogut Kosovë – Serbi:

Alternativa konsideron se rrethanat e krijuara në raport me dialogun Kosovë – Serbi nuk kanë hapësirë avansimi në rast se nuk e kanë mbështetjen e partive politike shqiptare në Kuvendin e Kosovës.

Rrjedhimisht, mbështesim përpjekjet për arritjen e koncenzusit nacional para fillimit të fazës së re të dialogut.

Pa mbështetjen e partive politike kryesore opozitare në Kuvendin e Kosovës, dialogu ende pa ri-filluar mund të dështojë.

Alternativa ka mbështetur të gjitha përpjekjet për arritjen e këtij konsensusi dhe ende mbesim prapa qëndrimit se Kuvendi i Kosovës duhet të:

1. Miratojë rezolutën për mos cenim të kufinjëve të Kosovës
2. Miratojë platformën për bisedime
3. Miratojë ekipin negociator i cili do t’i pamundësonte Presidentit Thaçi vazhdimin e negociatave për kufinjët e Kosovës.

I bëjmë thirrje partive në pushtet të ulen së bashku me partitë opozitare, të caktojnë prioritetet nacionale dhe datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare për të arritur tek konsensusi i kërkuar nga dy partitë kryesore opozitare, LDK dhe VV.

Situata e krijuar në Kosovë, nuk duhet të i shërbejë askujt për shtyrje të interesave të politikës ditore, në të kundërtën, duhet të jetë thirrje e fundit për arritjen e konsensusit të brendshëm para arritjes së çfarëdo marrëveshje me Serbinë.